{"id":2894,"date":"2025-04-27T11:28:14","date_gmt":"2025-04-27T10:28:14","guid":{"rendered":"https:\/\/migjeni.se\/?p=2894"},"modified":"2025-04-27T11:28:16","modified_gmt":"2025-04-27T10:28:16","slug":"kristaq-turtulli-burgu-ka-dy-dyer-vdekja-nje","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/2025\/04\/27\/kristaq-turtulli-burgu-ka-dy-dyer-vdekja-nje\/","title":{"rendered":"KRISTAQ TURTULLI: BURGU KA DY DYER, VDEKJA NJ\u00cb!"},"content":{"rendered":"<div><b>\u00a0KRISTAQ TURTULLI<\/b><\/div>\n<div><b>BURGU KA DY DYER, VDEKJA NJ\u00cb!<\/b><\/div>\n<div><b>Mb\u00ebshtetur n\u00eb ngjarje reale<\/b><\/div>\n<div><\/div>\n<div>Proletar Muzaqi s\u2019mundi t\u00eb lexonte m\u00eb, i p\u00ebrv\u00eblonin syt\u00eb. Rr\u00ebkeja e kripur e djers\u00ebve njomi brazdat e thata t\u00eb rrudhave, me v\u00ebshtir\u00ebsi p\u00ebrmbajti hung\u00ebrim\u00ebn. U t\u00ebrhoq nga rruga e madhe si zvarranik bisht shkelur, duke iu marr\u00eb m\u00ebnt\u00eb, por gazet\u00ebn s\u2019e l\u00ebshoi nga dora. Dielli q\u00ebndronte pezull n\u00eb kup\u00eb t\u00eb qiellit dhe p\u00ebrv\u00eblonte. Prej djers\u00ebs k\u00ebmisha iu ngjit pas l\u00ebkur\u00ebs. Ai me nervoziz\u00ebm shkuli t\u00eb gjitha kom\u00e7at dhe rr\u00ebzoi syt\u00eb mbi gazet\u00eb. Germat shtyheshin, ngat\u00ebroheshin, k\u00ebrlesheshin me nj\u00ebra tjetr\u00ebn, gazeta u qull nga djersa q\u00eb rridhte rr\u00ebke&#8230;<\/div>\n<div>Shkrimi i botuar n\u00eb faqen e par\u00eb t\u00eb gazet\u00ebs, s\u00eb bashku me foton e vjet\u00ebr t\u00eb \u2018ATIJ,\u2019 prej vitesh s\u2019\u00ebsht\u00eb mes t\u00eb gjall\u00ebve, e v\u00ebshtronte me qes\u00ebndi n\u00ebp\u00ebrmjet syzeve t\u00eb m\u00ebdha, xhamave t\u00eb trasha optike. \u00c7far\u00eb dreq pafaj\u00ebsi asgj\u00ebsuese kish ai! Edhe pse gjith\u00e7ka ishte e zverdhur, irnosur nga koha. P\u00ebrvijimi e Atij l\u00ebvizi, ajri u drodh, iu b\u00eb sikur u qes\u00ebndis keqas nga l\u00ebvizjet rrethore. Gishtat e Reizit t\u00eb zverdhura nga duhani u mblodh\u00ebn instinktivisht, m\u00ebshuan forc\u00ebrisht mbi flet\u00ebn e hirt\u00eb t\u00eb gazet\u00ebs. Gishti i madh u p\u00ebrthye dhe \u00e7ori me mllef foton e \u2018ATIJ.\u2019 Syzet e m\u00ebdha, me xhama t\u00eb trasha u b\u00ebn\u00eb shuk, d\u00ebgjoi zhurm\u00ebn acaruese t\u00eb th\u00ebrrmimit, dhe asgj\u00ebsimit, si\u00e7 \u00ebsht\u00eb asgj\u00ebsuese vet\u00eb jeta.<\/div>\n<div>V\u00ebrtet t\u00eb qe g\u00ebrmuqje marrake?! P\u00ebrshpirtje e heshtur, k\u00ebrc\u00ebnim nga fundbota?! G\u00ebrryerje nervoze n\u00ebntok\u00ebsore. Uji i turbull \u00e7jerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura e t\u00eb vdekurve t\u00eb harruar. Mokrat e kalbura, t\u00eb mykura varen k\u00ebrc\u00ebnuesh\u00ebm n\u00eb g\u00ebrxhe dhe brigje. Qarje e zvargur ujore n\u00eb p\u00ebrp\u00eblitje t\u00eb vonuar, rast\u00ebsore n\u00eb k\u00ebt\u00eb fund shekulli.<\/div>\n<div>Proletari v\u00ebshtroi hjith\u00eb ankth p\u00ebrreth me mendimin se shikimet dashakeqe s\u00eb bashku me shtyrjet ishin mb\u00ebrthyer si gozhd\u00eb n\u00eb \u00e7do pjes\u00eb t\u00eb trupit t\u00eb tij. Tmerri ngjeth\u00ebs i p\u00ebrfshiu krejt trupin. Flok\u00ebt e bardha, prera shkurt iu ngrit\u00ebn p\u00ebrpjet\u00eb si gjemba iriqi. Donte t\u00eb ul\u00ebrinte si ujk i plagosur e, turravrap t\u00eb gremisej mes moris\u00eb s\u00eb njer\u00ebzve. T\u00eb shtynte, shkelmonte n\u00eb verb\u00ebri nga ta kishte p\u00ebr mbar\u00eb. Turma indiferente s\u2019 i ndjeu goditjet edhe pse u d\u00ebgjuan krisma dhe rr\u00ebmet. Kap\u00ebrdiu klithm\u00ebn e hidhur n\u00eb stomak. I murr\u00ebtyer eci pjerrtas, ktheu b\u00ebrrylin e rrug\u00ebs. I nervozuar mblodhi gazet\u00ebn shuk dhe e rrasi shpejtazi n\u00eb zgavr\u00ebn e goj\u00ebs. Tehet e mprehta t\u00eb germave i cop\u00ebtuan gjuh\u00ebn dhe qiellz\u00ebn. Volli me gul\u00e7e dhe, p\u00ebrpara k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb tij u krijua pellg i madh, tmerr\u00ebsisht i err\u00ebt. P\u00ebrnj\u00ebher\u00ebsh iu b\u00eb sikur e vjella l\u00ebvizi mori form\u00ebn e nj\u00eb p\u00ebrbind\u00ebshi t\u00eb lemerish\u00ebm, aq sa klithi i tmerruar dhe p\u00ebshtjella e shtyu t\u00eb vraponte sa t\u2019i hanin k\u00ebmb\u00ebt..<\/div>\n<div>Proletari u ndje i kapitur. U ul n\u00eb bisht dhe r\u00ebnkoi. Pellgorja e vjelljes p\u00ebrzier\u00eb me morin\u00eb e neveritshme t\u00eb germave i qe ngjitur si masti\u00e7 n\u00eb shpin\u00eb, n\u00eb asfaltin e lagur dhe, shkelej pakujdessh\u00ebm nga moria e hapave t\u00eb njer\u00ebzve. U sk\u00ebrmit. Qeshi turbullt, dhe g\u00ebrhiti:<\/div>\n<div>\u2018Hajt kaqol\u00eb t\u00eb gjor\u00eb, shkeleni, shkeleni vjelljen time t\u00eb qelbur, t\u00eb neveritshme, merreni me vete, shp\u00ebrndaheni kudo. Do tu b\u00ebj\u00eb mir\u00eb.<\/div>\n<div>S\u2019mundi t\u00eb l\u00ebvizte. U l\u00ebkund si lavjerr\u00ebs, u g\u00ebrmuq. U shty. U p\u00ebrmbys. U zvarrit marramend\u00ebsh, mb\u00ebshtjell\u00eb me petkun e ronitur t\u00eb vrerit.<\/div>\n<div>Kishin kaluar shum\u00eb vite. Ndoshta shekuj. Gjith\u00e7ka mb\u00ebshtjell\u00eb me mjegull\u00ebn e thell\u00eb, n\u00eb terrin e thell\u00eb, aq sa besonte dhe vete s\u2019kish ndodhur kurr\u00eb. U hodh p\u00ebrsip\u00ebr mali i madh i harres\u00ebs. U gropos. U zhduk n\u00eb humnerat e fundbot\u00ebs, ku fshiheshin enigma dhe \u2018m\u00ebkate\u2019 t\u00eb m\u00ebdha. Proletari donte t\u00eb \u00e7lirohej, ta shkulte deri n\u00eb gjakosje prej vetes t\u00eb ngush\u00ebllohej dhe t\u00eb b\u00ebrtiste me t\u00eb madhe: \u2018<\/div>\n<div>Fundja, t\u00eb treturit dhe t\u00eb \u2018paditurit\u2019 si un\u00eb s\u2019 mund t\u00eb gjykohen\u2019.<\/div>\n<div>Ndryshimet sociale e hodh\u00ebn Proletarin n\u00eb krah\u00ebt e fes\u00eb, pa\u00e7ka se dikur e p\u00ebrbuzte, e urrente, e luftoi me shpirt. Shkat\u00ebrroi xhamin\u00eb e vog\u00ebl q\u00eb gjendej n\u00eb kodr\u00ebn e \u2018 Sh\u00ebn M\u00ebris\u00eb\u2019. Tashm\u00eb sa her\u00eb thot\u00eb ndonj\u00eb fjal\u00eb me pesh\u00eb, v\u00eb dor\u00ebn n\u00eb kuran dhe per\u00ebndon syt\u00eb. Filloi t\u00eb besoj\u00eb se krimi nga m\u00ebkati s\u2019i ndan asnj\u00eb fije nga nj\u00ebra tjetra. Jan\u00eb Nj\u00eb p\u00ebrpara gjykimit t\u00eb fundit. Besimi te Zoti dhe m\u00ebkati i krimit e ndihmoi q\u00eb ngjarja e vjet\u00ebr t\u00eb th\u00ebrrmohej prej memories. Ndjehej i qet\u00eb. Besimi ta leht\u00ebsuaka shpirtin. Qet\u00ebsi shpirt\u00ebrore e \u00e7uditshme, si shpend q\u00eb endet n\u00eb kuror\u00ebn e nj\u00eb pylli n\u00eb dim\u00ebr, me drur\u00eb pa flet\u00eb.<\/div>\n<div>Habia m\u00eb e madhe, budallall\u00ebku m\u00eb i madh dhe posht\u00ebrsia m\u00eb e madhe kan\u00eb hark kohor tre ditor. K\u00ebt\u00eb Proletari e njihte mire, por s\u2019 b\u00ebhej fjal\u00eb p\u00ebr \u00e7udi e marr\u00ebzi, por l\u00ebvizte si eter shkundja trondit\u00ebse. Mug\u00ebtir\u00ebn koh\u00eb e pat mb\u00ebshtjell\u00eb me kujdes me pelerin\u00ebn e tretjes, azgj\u00ebsimit. S\u2019la asnj\u00eb shteg. Asnj\u00eb shenj\u00eb. Asnj\u00eb fakt. Asgj\u00eb prej gj\u00ebje, p\u00ebrve\u00e7 rr\u00ebkeve dhe prurjeve t\u00eb t\u00ebrbuara t\u00eb lumit q\u00eb rridhnin dhe rridhnin pa nd\u00ebrprerje.<\/div>\n<div>Besoi se qe hedhur thjesht nj\u00eb version. Nj\u00eb alibi me hallakatjet e pamenduara t\u00eb gazetar\u00ebve, q\u00eb shkelin p\u00ebr para mbi d\u00ebrrasat e kalbura t\u00eb koh\u00ebs. Por, p\u00ebrs\u00ebri i p\u00ebrv\u00ebloi trupi, si ti futnin mes p\u00ebrmes hell t\u00eb skuqur. T\u00eb ishte si m\u00eb par\u00eb, h\u00ebm! Dhe maja e qerpikut s\u2019do i luante. P\u00ebr dreq situatat ndryshuan, komunizmi shkoi dhe vate dhe kjo gj\u00eb i futi lepurin n\u00eb bark, e \u00e7ekuilibroi. V\u00ebrtet donte t\u00eb besonte n\u00eb fe, por jo si naiv i mjer\u00eb, t\u00eb p\u00ebrd\u00ebllehej \u00a0dhe t\u00eb zbrazte l\u00ebngjet e barkut.<\/div>\n<div>Vala e urrejtjes i mpiu gjuh\u00ebn. Ishte gati ta shqyente gazetarucin e posht\u00ebr, at\u00eb mi zyre q\u00eb futi hund\u00ebn n\u00eb humb\u00ebtir\u00eb dhe nxori me q\u00ebllim qelbin nga err\u00ebsira e r\u00ebnd\u00eb. Ngriti nga balta kund\u00ebrmimin mbyt\u00ebs p\u00ebr t\u00eb rivrar\u00eb t\u00eb vrar\u00ebn. Donte ta \u00e7avaliste me thonj t\u00eb poshtrin, ja k\u00ebshtu si\u00e7 \u00e7avaliti gazet\u00ebn, ta qelb\u00ebte me jarg\u00eb. Sa mir\u00eb do ishte t\u00eb zg\u00ebrlaqej njeriu me ca l\u00ebvizje t\u00eb shpejta t\u00eb gishtave, pastaj t\u00eb p\u00ebrtypej dhe t\u00eb p\u00ebrtypej derisa t\u00eb dilte nj\u00eb mas\u00eb e qull\u00ebt, nj\u00eb e vjell\u00eb e neverit\u00ebshme, qelb\u00ebsir\u00eb. Nj\u00eb asgj\u00eb t\u00eb ndyr\u00eb pa form\u00eb. Asgj\u00ebja \u00ebsht\u00eb kryevepra m\u00eb e sakt\u00eb, prej saj s\u2019ke p\u00ebrse t\u00eb frik\u00ebsohesh. Mund t\u00eb b\u00ebsh \u00e7do gj\u00eb t\u00eb ndyr\u00eb dhe, p\u00ebrs\u00ebri asgj\u00ebja mbetet asgj\u00eb. S\u2019ka materie, por, Hi\u00e7. Kur \u00ebsht\u00eb hi\u00e7 dhe gjumi, qet\u00ebsia shpirt\u00ebrore q\u00ebndron n\u00eb shkall\u00ebn maksimale. S\u00eb fundi prej librave t\u00eb shenjt\u00eb m\u00ebsoi se Zoti krijoi jet\u00ebn prej Hi\u00e7it, asgj\u00ebs\u00eb. S\u00eb paku t\u00eb ishte asgj\u00eb n\u00eb miniatur\u00eb. D\u00ebshironte me gjith\u00eb shpirt t\u00eb vazhdonte asgj\u00ebja e m\u00ebparshme. Por dreq\u00ebrit nuk flen\u00eb e shkund\u00ebn asgj\u00ebn\u00eb.<\/div>\n<div>V\u00ebshtronte sy \u00e7ap\u00eblyer ronitjen e mas\u00ebs pa form\u00eb t\u00eb Hi\u00e7it. Asgj\u00ebs\u00eb. U g\u00ebrmuq t\u00eb ikte me vrap, por asgj\u00ebja e thithte me ngut. Megjith\u00ebse k\u00ebt\u00eb Asgj\u00eb dhe Hi\u00e7 e donte deri n\u00eb verb\u00ebri. Jo rrall\u00eb n\u00eb net\u00ebt pa h\u00ebn\u00eb, n\u00eb err\u00ebsir\u00ebn m\u00eb t\u00eb thell\u00eb, klithte z\u00ebzvargur, kafshonte thonjt\u00eb derisa shija e ath\u00ebt e gjakut njomte buz\u00ebt e p\u00ebrthara. Harronte q\u00eb kishte nd\u00ebr dhemb\u00eb gishtat e tij, por vazhdonte t\u00eb thithte me neps i bab\u00ebzitur. Vet\u00ebm kur i mpiheshin gishtat dhe dh\u00ebmb\u00ebt dergjej p\u00ebrdhe. Mb\u00ebshtillej kutulla\u00e7, qante me gul\u00e7e sy ngulur err\u00ebsir\u00ebs s\u00eb pafund. Duhej err\u00ebsira dhe mjegulla t\u00eb dyt\u00ebsoheshin&#8230;<\/div>\n<div><\/div>\n<div>Rrjedha e jet\u00ebs kishte qen\u00eb shum\u00eb e favorshme p\u00ebr Proletar Muzaqin. Qysh kur lindi ra kutulla\u00e7, si l\u00ebmsh, n\u00eb k\u00ebmb\u00ebt e s\u00eb \u00ebm\u00ebs, mes t\u00eb ar\u00ebs me misra, n\u00eb mesdit\u00eb tetori me mjegull. Nuk qau. E \u00ebma kujtoi se kishte mes k\u00ebmb\u00ebve nj\u00eb mas\u00eb mishi t\u00eb vdekur. E p\u00ebrnj\u00ebmend mendoi t\u00eb gjente nj\u00eb vend ta groposte. Por p\u00ebrnj\u00ebher\u00ebsh u pendua, mbasi ishte pjes\u00eb e mishit t\u00eb saj. Le t\u2019i jepte cop\u00eb mishit nj\u00eb shans jete. E kapi p\u00ebr k\u00ebmbe, e ngriti lart dhe, e q\u00eblloi pes\u00eb her\u00eb n\u00eb bythka. Proletari n\u00eb cope midh u kuq u ngal\u00eb dhe l\u00ebshoi t\u00eb klithm\u00eb t\u00eb mpreht\u00eb. E \u00ebma mb\u00ebshtolli mishin e kuq me pecet\u00ebn e pist\u00eb q\u00eb mb\u00ebshtillte buk\u00ebn dhe me xhaket\u00ebn e lesht\u00eb gjith\u00eb arna. Ishte f\u00ebmija tet\u00eb i familjes dhe e \u00ebma as q\u00eb vuajti n\u00eb lindjen e tij. Hapi k\u00ebmb\u00ebt dhe foshnja ra p\u00eblltump si nj\u00eb kafsh\u00ebz e vog\u00ebl n\u00eb dheun e shkrif\u00ebt. Sidoqoft\u00eb e \u00ebma ishte e hapur dhe, s\u2019 kish p\u00ebrse t\u00eb ankohej p\u00ebr t\u00eb e p\u00ebr peripecit\u00eb e mundimshme t\u00eb grave n\u00eb lindje.<\/div>\n<div>F\u00ebmij\u00ebrin\u00eb e kaloi n\u00ebp\u00ebr k\u00ebmb\u00ebt e t\u00eb rriturve dhe n\u00eb rrug\u00ebt e p\u00ebrbaltura t\u00eb fshatit. B\u00ebnte \u00e7far\u00eb t\u00eb donte dhe si ti shkrepej. Hante ku mundte dhe zhg\u00ebrryhej paq n\u00eb rrug\u00ebt e ndyra t\u00eb fshatit malor. Marifetet dhe djall\u00ebzit\u00eb e tij i hanin t\u00eb rriturit, v\u00ebllez\u00ebrit e motrat dhe ai sk\u00ebrmiste dhemb\u00ebt n\u00eb terr. Mos nd\u00ebshkimi I Proletarit si f\u00ebmij\u00eb i tet\u00eb i shtonte akoma m\u00eb shum\u00eb zellin e tin\u00ebzive. Nj\u00eb fshikull n\u00eb shpin\u00ebn e tij shpaguhej me dhjet\u00eb fshikuj n\u00eb shpinat e t\u00eb tjer\u00ebve. M\u00eb pas fshihej pas grumbullit t\u00eb hedhurinave dhe qeshte me hidh\u00ebsi, pa u v\u00ebn\u00eb veshin k\u00ebrc\u00ebnimeve t\u00eb v\u00ebllez\u00ebrve dhe shok\u00ebve.<\/div>\n<div>I ati, sekretari i partis\u00eb n\u00eb fshat, me kobure n\u00eb brez, i ngrefosur bridhte rrug\u00ebve t\u00eb ndyra t\u00eb fshatit, dhe betohej:<\/div>\n<div>\u2018P\u00ebr ideal t\u00eb partis\u00eb dhe, kobure s\u2019l\u00ebshoj pe.\u2019<\/div>\n<div>Nj\u00eb mbr\u00ebmje i gjyshi u grind me t\u00eb atin.<\/div>\n<div>\u2018O lanet,\u2019 i tha gjyshi z\u00eb lodhur dhe,rrahu me inat bastunin e shtremb\u00ebr pas tok\u00ebs: \u2018- Qehajai m\u00eb vriste syt\u00eb kur m\u00eb mbinte p\u00ebrpara hund\u00ebs me pushk\u00ebn n\u00eb sup. Tani bredh djali me kobure n\u00eb brez.\u2019<\/div>\n<div>\u2018Shko plak, nd\u00ebrrro puturet se i ke me shurr\u00eb. Me kobure mor\u00ebm pushtetin, me kobure do e mbajm\u00eb.\u2019<\/div>\n<div>\u2018T\u00eb dhjefsha ur\u00ebt,\u2019 shau gjyshi i verdh\u00eb dyll\u00eb n\u00eb fytyr\u00eb: \u2018M\u00eb treguake shurr\u00ebn.\u2019<\/div>\n<div>\u2018Plak vuri ushkur gjuh\u00ebs, t\u00eb ishte p\u00ebr ty akoma me bajgat do flija,- u shkreh i biri me kobure.\u2019<\/div>\n<div>I gjyshi s\u2019i ktheu p\u00ebrgjigje. Iku k\u00ebrrusur, duke iu marr\u00eb k\u00ebmb\u00ebt. U mbyll n\u00eb dhom\u00ebn e vog\u00ebl ngjitur me haurin, n\u00eb krah t\u00eb pyllit. Mbas nj\u00eb muaj vdiq dhe u varros pa shum\u00eb ceremoni. F\u00ebmija i Tet\u00eb nuk qau p\u00ebr t\u00eb gjyshin, q\u00eb si\u00e7 thoshte i ati: Plak grindavec i pjerdhur nga trut\u00eb, i kishte mbetur mendja turqi.<\/div>\n<div>Pushteti i t\u00eb atit i shtonte zellin p\u00ebr prap\u00ebsi Proletarit. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashk\u00ebmoshatar\u00ebt. M\u00ebsuesve u vinte n\u00eb libra e \u00e7anta minj, insekte dhe zvarranik\u00eb, t\u00ebrhiqej n\u00eb qoshe dhe p\u00ebrvuajtej n\u00eb fytyr\u00eb kur p\u00ebrmendej emri i tij. Hija e sekretarit t\u00eb partis\u00eb me kobure g\u00ebrmuqte sht\u00ebpit\u00eb e ul\u00ebta, rrug\u00ebt e p\u00ebrbaltura t\u00eb fshatit dhe jo m\u00eb m\u00ebsuesit anemik\u00eb, q\u00eb me nj\u00eb sinjalizim partie s\u2019dihej nga u rrihnin barqet. N\u00eb shkrepa dhe g\u00ebrxhe pafund, mbase n\u00eb qelit\u00eb e akullta t\u00eb burgut t\u00eb tmerrsh\u00ebm: \u2018Hani me dy porta.\u2019<\/div>\n<div>Proletar Muzaqi e kuptonte: \u2018M\u00eb mir\u00eb t\u00eb jesh i pari i fshatit se i fundit i qytetit\u2019. Ndaj nuk prapsej para asgj\u00ebje. Fshati n\u00eb gji t\u00eb maleve ishte nj\u00eb bot\u00eb m\u00eb vete. Kur p\u00ebrfundoi klas\u00ebn e shtat\u00eb, personeli i m\u00ebsuesve mori frym\u00eb i leht\u00ebsuar. Pak u interesonte n\u00ebse nx\u00ebn\u00ebsi qe aft\u00ebsuar n\u00eb m\u00ebsime. Njeriu me kobure u v\u00ebrtitej p\u00ebrpara syve si gogozhel, ndaj i shtuan nga nj\u00eb, dy, pse jo edhe tre nota.<\/div>\n<div>Kur e \u00e7uan n\u00eb shkoll\u00ebn pedagogjike, braktisi togjet me hedhurina, minjt\u00eb dhe insektet. Veshi pantallona t\u00eb reja doku dhe xhaket\u00ebn e shkurtuar t\u00eb atit, pa hequr stem\u00ebn sovjetike n\u00eb jak\u00eb. T\u00eb gjitha \u00e7apk\u00ebnll\u00ebqet dhe horrll\u00ebqet f\u00ebmij\u00ebrore i flaku s\u00eb bashku me minjt\u00eb n\u00eb haurin e kalit topall. T\u00eb gjitha k\u00ebto s\u2019do ndodhnin sikur t\u00eb mos e detyronte i ati. Nj\u00eb nat\u00eb e urdh\u00ebroi t\u00eb q\u00ebndronte n\u00eb k\u00ebmb\u00eb p\u00ebrpara se t\u00eb fillonte shkoll\u00ebn pedagogjike. I mbajti leksion t\u00eb gjat\u00eb, me t\u00eb folur\u00ebn e trash\u00eb, gr\u00ebn\u00e7ka- gr\u00ebn\u00e7ka, duke e sp\u00ebrkatur me p\u00ebshtym\u00eb, mbi detyr\u00ebn e v\u00ebshtir\u00eb dhe stoike t\u00eb djalit t\u00eb komunistit t\u00eb vjet\u00ebr dhe sekretarit t\u00eb partis\u00eb s\u00eb fshatit. P\u00ebr perspektiv\u00ebn dhe l\u00ebnien e stafet\u00ebs n\u00eb duar t\u00eb sigurta. P\u00ebr luft\u00ebn pa m\u00ebshir\u00eb ndaj armiqve t\u00eb kamufluar t\u00eb klas\u00ebs, borgjez\u00ebve dhe kulak\u00ebve. I ati heshti nj\u00eb moment. Koka e t\u00eb birit varej posht\u00eb. E shkundi nga supet, i tregoi koburen, i tha:<\/div>\n<div>\u2018E shesh k\u00ebt\u00eb, l\u00ebshon flak\u00eb dhe vret armiqt\u00eb e klas\u00ebs\u2019.<\/div>\n<div>Pastaj i foli p\u00ebr r\u00ebnd\u00ebsin\u00eb e kobures, e cila duhet t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb p\u00ebrher\u00eb n\u00eb brez, fisheku n\u00eb goj\u00eb.<\/div>\n<div>Trupi i t\u00eb birit l\u00ebkundej si lavjerr\u00ebs.<\/div>\n<div>\u2018P\u00ebrs\u00ebriti nga e para t\u00eb gjitha q\u00eb thash\u00eb,\u2019 urdh\u00ebroi t\u00eb birin.<\/div>\n<div>Proletarit i varej koka p\u00ebr gjum\u00eb.<\/div>\n<div>\u2018Kobure n\u00eb goj\u00eb fisheku n\u00eb brez,\u2019 b\u00ebrb\u00ebliti.<\/div>\n<div>\u2018Derr me zile,\u2019 g\u00ebrhiti i ati. Mb\u00ebrtheu t\u00eb birin nga krahu dhe i futi kok\u00ebn n\u00eb ujin e ftoht\u00eb t\u00eb pusit.<\/div>\n<div>\u2018Ma plevitose djalin,\u2019 u lig\u00ebshtua e shoqja.<\/div>\n<div>\u2018Plast\u00eb n\u00eb vend. P\u00ebrs\u00ebrite, urdh\u00ebroi birin, pa i v\u00ebn\u00eb veshin ankimeve t\u00eb gruas, dhe m\u00eb pas vazhdoi:- \u2018O firaun, duhet ta kesh busull, \u00e7do hap t\u00eb jet\u00ebs luft\u00ebn kund\u00ebr armiqve te kllas\u00ebs&#8230;\u2019<\/div>\n<div>Proletari p\u00ebrs\u00ebriste n\u00eb jerm fjal\u00ebt e t\u00eb atit dhe dera e vjet\u00ebr e ashefit p\u00ebrplasej prej er\u00ebs, kuiste si shpirtrat e t\u00eb ikurve.<\/div>\n<div>\u2018Grua, v\u00ebri llozin djallit ashef, na urgusi zorr\u00ebt,\u2019- b\u00ebrtiti i ati.<\/div>\n<div><\/div>\n<div>K\u00ebshillat e t\u00eb atit at\u00eb nat\u00eb t\u00eb tmerrshme, nuk kaluan pa l\u00ebn\u00eb gjurm\u00eb n\u00eb qenien e f\u00ebmij\u00ebs s\u00eb tet\u00eb. E shkund\u00ebn, ia mpreh\u00ebn shikimin, e aft\u00ebsuan p\u00ebr tin\u00ebzi t\u00eb fshehura. Nd\u00ebrgjegj\u00ebsimi ishte i plot\u00eb. Dy tre denoncime modeste n\u00eb drejtori p\u00ebr individ\u00eb t\u00eb pand\u00ebrgjegjsh\u00ebm, bashk\u00ebnx\u00ebn\u00ebs, pati efekt. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shok\u00ebve t\u00eb drejtoris\u00eb dhe mund\u00ebsia t\u00eb merrte klas\u00ebn, mbasi drejt e drejt s\u2019e hante dot.<\/div>\n<div>N\u00eb vitin e fundit t\u00eb shkoll\u00ebs pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyr\u00eb bari. M\u00ebsoi t\u00eb hekuroste, b\u00ebnte pantallonat me vij\u00eb. N\u00eb \u00e7aste dembelizmi sp\u00ebrkaste k\u00ebpuc\u00ebt me p\u00ebshtym\u00eb dhe i fshinte lezetsh\u00ebm me cepin e lesht\u00eb t\u00eb batanijes. Kostumi i dha r\u00ebnd\u00ebsi. Megjith\u00ebse n\u00eb m\u00ebsime nuk dallohej, zvarritej n\u00eb pragun e rreziksh\u00ebm midis not\u00ebs kaluese dhe mbet\u00ebse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure t\u00eb hipte n\u00eb kalin g\u00ebrdall\u00eb. T\u00eb linte fshatin me nj\u00ebmij\u00eb halle n\u00eb gji t\u00eb maleve, t\u00eb zbriste n\u00eb qytet dhe t\u00eb shkonte drejt e n\u00eb seksion t\u00eb arsimit. Shkuli koburen nga brezi e p\u00ebrplasi n\u00eb tavolin\u00eb dhe b\u00ebrtiti:<\/div>\n<div>\u2018Po shp\u00ebrdorohet njeriu i ri!\u2019<\/div>\n<div>Poterja e njeriut me kobure shkundi m\u00ebsuesit e mykur, t\u00eb cil\u00ebt akoma p\u00ebrdornin metoda t\u00eb vjetruara, nuk dinin t\u00eb aft\u00ebsonin bijt\u00eb e komunist\u00ebve. M\u00ebsuesit mbyll\u00ebn t\u00eb dyja syt\u00eb. F\u00ebmija i tet\u00eb p\u00ebrfundoi me sukses t\u00eb plot\u00eb shkoll\u00ebn pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyr\u00eb bari prej pluhurit t\u00eb dendur t\u00eb qytetit dhe u nis n\u00eb fshat. Komunisti i vjet\u00ebr b\u00ebri nj\u00eb dark\u00eb t\u00eb madhe dhe shkrehu disa her\u00eb koburen n\u00eb dritare.<\/div>\n<div><\/div>\n<div>Dit\u00ebn e h\u00ebn\u00eb Proletari filloi m\u00ebsues n\u00eb fshatin e lindjes. Qysh n\u00eb fillim s\u2019 i kushtoi r\u00ebnd\u00ebsi m\u00ebsimdh\u00ebnies, por zhbirimit t\u00eb koleg\u00ebve. Intuita s\u2019e gaboi. Sh\u00ebnjestra, m\u00ebsuesi i matematik\u00ebs, pak kurriz dal\u00eb, syze, xhama t\u00eb trasha, si tasa ku shkunden cigaret. Pa turp koleg\u00ebt e quanin \u2018shqerr\u00eb.\u2019 Gjith\u00eb dit\u00ebn e per\u00ebndis\u00eb mezi fliste dy fjal\u00eb, vet\u00ebm zhyste hund\u00ebn pingul mbi libra. Ky m\u00ebsues q\u00eb aksidentalisht thirrej \u2018Shqerr\u00eb,\u2019 i p\u00ebrkiste familjes s\u00eb deklasuar. I ati shkuli, gremisi tutje nga fshati familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, mos ka gisht armiku i klas\u00ebs?<\/div>\n<div>Nervozohej nga \u00e7do l\u00ebvizje e \u2018Shqerr\u00ebs\u2019. Aq sa heshtja dhe frym\u00ebmarrja e tij e acaronte. Filloi t\u00eb p\u00ebrgjonte \u00e7do hap q\u00eb shkelte. Syri i tij vigjilent ngulej me k\u00ebmb\u00ebngulje te rezja e der\u00ebs s\u00eb klas\u00ebs, n\u00eb dritare. Deri n\u00eb plasat e ndyra t\u00eb der\u00ebs s\u00eb WC. \u2018Shqerra\u2019 vet\u00ebm lexonte dhe heshte. P\u00ebr djall ishte absolut n\u00eb matematik\u00eb. Nj\u00eb moment b\u00ebnte habi, si mund t\u00eb heshte kaq gjat\u00eb njeriu! Por heshtja shpesh her\u00eb \u00ebsht\u00eb teh i mpreht\u00eb shpate. N\u00ebp\u00ebrmjet heshtjes koka katrore e \u2018shqerr\u00ebs\u2019 fshihte mendime t\u00eb mbrapshta. Filloi ta cyste p\u00ebr sherr. Haste n\u00eb murrin e padep\u00ebrtuesh\u00ebm t\u00eb heshtjes dhe shikimin e pafaj. Kjo e t\u00ebrbonte. At\u00ebher\u00eb e godiste me b\u00ebrryl gjat\u00eb shk\u00ebmbimeve n\u00eb korridoret e ngushta t\u00eb shkoll\u00ebs. I rr\u00ebzonte regjistrin, i shkelte k\u00ebmb\u00ebn. I k\u00ebrkonte t\u00eb falur duke i buz\u00ebqeshur me lig\u00ebsi. \u00c7udit\u00ebrisht gjente vet\u00ebm trishtim n\u00eb syt\u00eb e mjegullta t\u00eb \u2018shqerr\u00ebs\u2019.<\/div>\n<div>Proletar Muzaqi shkonte n\u00eb sht\u00ebpi i \u00e7liruar, ngaq\u00eb u m\u00ebsua t\u00eb grisej me dik\u00eb. Iu b\u00eb s\u00ebmundje dhe arg\u00ebtim mos p\u00ebrgjigja e m\u00ebsuesit t\u00eb matematik\u00ebs. Nxiste nx\u00ebn\u00ebsit t\u00eb b\u00ebheshin pjes\u00eb e ngacmimit dhe posht\u00ebrimit t\u00eb kolegut. U b\u00ebrtiste nx\u00ebn\u00ebsve dhe n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb u shkelte syrin. M\u00ebsuesi i matematik\u00ebs s\u2019kthente fjal\u00eb. T\u00ebrhiqej i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe v\u00ebrtiste syt\u00eb miope. I rr\u00ebmbushur shtr\u00ebngonte librat n\u00eb gjoks dhe mbyllej n\u00eb dhom\u00eb. N\u00eb oborrin e shkoll\u00ebs plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja p\u00ebrzinte nx\u00ebn\u00ebsit me fshes\u00eb.<\/div>\n<div>Kjo loj\u00eb do vazhdonte gjat\u00eb. Ngacmim dhe heshtje. S\u2019\u00ebsht\u00eb keq arg\u00ebtohesh me dik\u00eb q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb n\u00eb gjendje t\u00eb l\u00ebviz\u00eb as qerpikun. S\u2019t\u00eb mposht\u00ebn monotonia e fshatit dhe dita shkon p\u00ebr bukuri.<\/div>\n<div>N\u00eb analiz\u00ebn vjetore, klasa e tij doli me rezultate shum\u00eb t\u00eb dob\u00ebta. U kritikua nga koleg\u00ebt. V\u00ebshtroi me indiferentiz\u00ebm dhe shkarraviti me inat bllokun e vog\u00ebl. Aty nga fundi i mbledhjes, kur s\u2019pritej dhe, diskutimet e kritikat po mbylleshin. \u00c7udit\u00ebrisht \u2018shqerr\u00ebs\u2019 iu hap goja. U ngrit me ngadal\u00eb n\u00eb k\u00ebmb\u00eb, shtr\u00ebngoi librat n\u00eb gjoksin e dob\u00ebt dhe l\u00ebshoi n\u00eb mes t\u00eb sall\u00ebs s\u00eb m\u00ebsuesve fshikullin e fort\u00eb, e kritikoi p\u00ebr paaft\u00ebsi. Nuk ishte fshikull por vet\u00ebtim\u00eb rrufeje. I deleguari e v\u00ebshtroi nj\u00eb cop\u00eb her\u00eb menduesh\u00ebm dhe, e aprovoi me kok\u00eb se \u00e7far\u00eb tha \u2018shqerra.\u2019<\/div>\n<div>\u2018\u00c7far\u00eb! I besonin atij?!\u2019- hung\u00ebriti Proletar Muzaqi. Shqeu syt\u00eb dhe trupi iu drodh si purtek\u00eb. U rrotullua dhe ngriti vesh\u00ebt n\u00eb p\u00ebrgjim. Ngjyrat e fytyr\u00ebs i ndryshonin \u00e7do minut\u00eb. E kritikoi p\u00ebr paaft\u00ebsi m\u00ebsuesi i matematikes, gjoja \u2018shqerra\u2019! Guxoi! P\u00ebrbuzja dhe urrejtja q\u00eb i kishte lindur n\u00eb thell\u00ebsi i p\u00ebrfshiu krejt trupin, i ng\u00ebrdheshi fytyr\u00ebn. Armiku i klas\u00ebs guxoi dhe kritikoi ardhm\u00ebrin\u00eb?! Hata e madhe!<\/div>\n<div>\u2018Shqerra\u2019 tha, duhej t\u00eb studioj\u00eb m\u00eb shum\u00eb! I tregoi seriozitetin e detyr\u00ebs s\u00eb m\u00ebsuesit! P\u00ebrse duhej t\u00eb fliste? Kush e lejoi t\u00eb fliste? \u00c7far\u00eb seriozitet k\u00ebrkon qorri! Kush \u2018kolegu\u2019, m\u00ebsuesi i matematik\u00ebs mban mbi supe m\u00ebkatin klasor! U ngrit\u00ebn k\u00ebmb\u00ebt ti bien kok\u00ebs. Mbledhja u b\u00eb e mjegullt. V\u00ebrtiste \u00e7el\u00ebsat n\u00eb duar, ah sikur t\u00eb kishte koburen e t\u00eb atit. Le ta kritikonin t\u00eb gjith\u00eb, uj\u00eb t\u00eb zi t\u00eb nxirrnin, vet\u00ebm qorri t\u00eb mos hapte goj\u00ebs. Le t\u00eb g\u00ebrmuqej, t\u00eb bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte syt\u00eb mbi fytyrat e koleg\u00ebve. \u00c7udit\u00ebrisht i dukeshin t\u00eb nj\u00ebjta, t\u00eb deformuara, por shfytyrimin m\u00eb t\u00eb madh e kishte gj\u00ebja q\u00eb quhej aksidentalisht \u2018shqerr\u00eb\u2019. Shqerrat e urta, t\u00eb buta t\u00eb per\u00ebndis\u00eb, han\u00eb, bleg\u00ebrijn\u00eb, presin n\u00eb heshtje, t\u00eb bindura sat\u00ebrin e kasapit dhe asgj\u00eb m\u00eb shum\u00eb.<\/div>\n<div>Drejtori i p\u00ebshp\u00ebrit t\u00eb deleguarit di\u00e7ka n\u00eb vesh. I deleguari v\u00ebshtroi \u2018shqerr\u00ebn\u2019 ngul\u00ebt:<\/div>\n<div>\u2018Drejtori m\u00eb tha q\u00eb ju, studioni t\u00eb mbroni disertacionin n\u00eb matematik\u00eb, apo jo?\u2019 e pyeti.<\/div>\n<div>Njeriu me syze q\u00eb thirrej aksidentalisht \u2018shqerr\u00eb\u2019 luajti kryet n\u00eb shenj\u00eb aprovimi.<\/div>\n<div>\u2018Po.\u2019 Murmuriti.<\/div>\n<div>\u2018Ashtu! Shum\u00eb mir\u00eb!\u2019- i tha i deleguari.<\/div>\n<div>\u2018Shum\u00eb mir\u00eb\u2019, i g\u00ebrhiti qenia e Proletar Muzaqit dhe, u b\u00eb gati t\u00eb ngrihej, t\u00eb shtynte stolat, t\u00eb derdhej drejt qorrit me xhama num\u00ebr pes\u00eb. T\u2019ia flakte syzet, ta mb\u00ebrthente nga shpatullat me eg\u00ebrsi dhe ta p\u00ebrplaste p\u00ebrdhe. Guxojn\u00eb i thon\u00eb shum\u00eb mir\u00eb armikut t\u00eb klas\u00ebs q\u00eb p\u00ebrdhosi djalin e komunistit t\u00eb or\u00ebve t\u00eb para! \u00c7menduri! O n\u00ebne, bota u b\u00eb p\u00ebr dreq!<\/div>\n<div>Kur resht\u00ebn kritikat, si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dor\u00ebn n\u00eb shpatull, e v\u00ebshtroi turbullt. Eci i d\u00ebrmuar drejt sht\u00ebpis\u00eb. A mundej djali i komunistit t\u00eb flakt\u00eb t\u00eb kritikohej, t\u00eb zg\u00ebrlaqej! Sigurisht, gj\u00ebja me syze miope q\u00eb thirrej prej koleg\u00ebve me idiot\u00ebsi \u2018Shqerr\u00eb\u2019, kishte p\u00ebrgatitur me kujdes skenarin e kritik\u00ebs dhe fundosjen e tij. Me kok\u00eb t\u00eb r\u00ebnduar nga mendimet ngjiti t\u00eb p\u00ebrpjet\u00ebn q\u00eb \u00e7onte n\u00eb sht\u00ebpi. Si marrin guximin t\u00eb p\u00ebrmbysurit dhe qorrat t\u00eb mendojn\u00eb t\u00eb b\u00ebhen shkenc\u00ebtar\u00eb. Ku, ku n\u00ebne! I paska hyr\u00eb vetja n\u00eb qejf. Por s\u2019kuptonte simpatin\u00eb e hapur t\u00eb drejtorit t\u00eb shkoll\u00ebs. Duhet par\u00eb me kujdes e shkuara e af\u00ebrt dhe e larg\u00ebt e drejtorit. Duhet t\u00eb ket\u00eb ndonj\u00eb kle\u00e7k\u00eb n\u00eb biografi q\u00eb p\u00eblqen dhe p\u00ebrkrah armiqt\u00eb e klas\u00ebs. Kishte b\u00ebr\u00eb k\u00ebrkes\u00eb n\u00eb seksion t\u00eb arsimit t\u00eb zinte vendin e drejtorit. Duhet t\u2019i ket\u00eb r\u00ebn\u00eb n\u00eb vesh ndaj e lufton. Eh! Qent\u00eb le t\u00eb lehin karvani ec\u00ebn p\u00ebrpara.<\/div>\n<div><\/div>\n<div>S\u2019i durohej sa t\u00eb shkonte n\u00eb sht\u00ebpi dhe t\u2019ia tregonte plakut. I ati u g\u00ebrmuq, rr\u00ebzoi vetullat e trasha, t\u00eb zbardhura dhe, goditi vrazhd\u00eb qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrap\u00ebllim\u00eb dhe turshit\u00eb e dimrit s\u00eb bashku me sh\u00ebllir\u00ebn p\u00ebrmbyt\u00ebn dhom\u00ebn.<\/div>\n<div>\u2018\u00c7\u2019m\u00eb the o bir, \u00e7\u2019m\u00eb the!\u2019-hung\u00ebriti plaku.<\/div>\n<div>Plaka mallkonte, mblidhte me kaci turshit\u00eb dhe pinte me leck\u00eb t\u00eb vjet\u00ebr sh\u00ebllir\u00ebn. At\u00eb e bir u ngjesh\u00ebn n\u00eb qoshe t\u00eb dhom\u00ebs dhe nis\u00ebn t\u00eb pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi e la n\u00eb tavolin\u00eb. Syt\u00eb e t\u00eb dyve u p\u00ebrqendruan te sendi i metalt\u00eb, q\u00eb prehej pafaj\u00ebsish por t\u00eb l\u00ebvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu dor\u00ebn dhe r\u00ebndoi mbi kobure:<\/div>\n<div>\u2018Biri i bushtr\u00ebs guxoi shau djalin! Do plumbin n\u00eb ball\u00eb t\u00eb q\u00ebrohet nj\u00ebher\u00eb e mir\u00eb ajo far\u00eb?\u2019- ul\u00ebriti.<\/div>\n<div>\u2018S\u2019\u00ebsht\u00eb si m\u00eb par\u00eb baba.\u2019<\/div>\n<div>\u2018S\u2019\u00ebsht\u00eb si me par\u00eb thot\u00eb! Hajde baba t\u00eb tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u b\u00ebj qull,\u2019-hung\u00ebriti i ati dhe u ngrit me vrull, k\u00ebmb\u00ebt nuk e mbajt\u00ebn, ra mbi t\u00eb birin q\u00eb e v\u00ebshtronte i nemitur dhe m\u00ebrm\u00ebriti:<\/div>\n<div>\u2018Plak, mos m\u00eb fyej.\u2019<\/div>\n<div>At e bir u ngat\u00ebrruan keqes duke sp\u00ebrkatur njeri tjetrin me p\u00ebshtym\u00eb.<\/div>\n<div>\u2018Raki e keqe!<\/div>\n<div>\u2018Jo, thash\u00eb far\u00eb e keqe,- u mbrojt i biri.<\/div>\n<div>\u2018Mos guxo t\u00eb shah rakin\u00eb. E dua shpagimin n\u00eb \u00e7ast dhe pa asnj\u00eb ceremoni,\u2019- b\u00ebrb\u00ebliti i ati, piu raki me neps dhe vazhdoi:-\u2018Do t\u00eb kishim b\u00ebr\u00eb mir\u00eb ti zhduknim t\u00eb gjith\u00eb qysh m\u00eb 45. Por k\u00ebta dreq\u00ebr ishin shum\u00eb dhe plumba kishim pak.\u2019<\/div>\n<div>\u2018Fole gj\u00eb p\u00ebr zhdukje baba?\u2019<\/div>\n<div>\u2018Zhdukje o posi.\u2019<\/div>\n<div>\u2018Zhdukuni nga dhom\u00eb pijanec\u00eb t\u00eb ndyr\u00eb\u2019,- u grind e \u00ebma e mbytur n\u00eb djers\u00eb.<\/div>\n<div>\u2018Mbylle halen\u00eb plak\u00eb. Apo do nj\u00eb shkelm\u00eb t\u00eb flakesh si qyp me turshi,\u2019- e k\u00ebrc\u00ebnoi plaku me kobure.<\/div>\n<div>\u2018Ta denoncoj, ta rrasin n\u00eb birucat e \u2018Hanit me dy porta,\u2019- foli i biri mes jarg\u00ebve.<\/div>\n<div>\u2018Jo,\u2019- ul\u00ebriti i ati dhe rr\u00ebmbeu koburen. Arma i shp\u00ebtoi nga duart, ra p\u00ebrdhe n\u00eb grumbullim me turshi. Koburja e t\u00eb atit s\u00eb bashku me t\u00ebrbimet qen\u00eb t\u00eb ndryshkura, nuk ngrinin m\u00eb pesh\u00eb.<\/div>\n<div>\u2018Pse?!\u2019<\/div>\n<div>\u2018Hajvan, burgu ka dy dyer, vdekja vet\u00ebm nj\u00eb\u2019, hung\u00ebriti i ati.<\/div>\n<div>I biri luajti kryet, i ishte mpir\u00eb qafa. I ati s\u2019kish fuqi t\u00eb ngrinte koburen nga togu me turshi. Dhoma kund\u00ebrmonte er\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb sh\u00ebllire dhe raki. Plaka duke i shtyr\u00eb, sharr\u00eb dhe mallkuar i nxori nga dhoma.<\/div>\n<div>Duke i mbajtur pas parmakut t\u00eb drunjt\u00eb t\u00eb shkall\u00ebve u ngjit n\u00eb dhom\u00eb dhe, pa u zhveshur u shtri n\u00eb shtrat. P\u00ebr her\u00eb t\u00eb par\u00eb e kuptoi se s\u2019duhet t\u00eb mbahej vet\u00ebm pas nj\u00eb medaljeje. Dritarja ishte hapur kat m\u00eb kat. Pa qiellin, i ngjau pus i thell\u00eb, i pafund, p\u00ebrmbytur nga err\u00ebsir\u00eb. Iu b\u00eb sikur d\u00ebgjoi z\u00ebra t\u00eb mbytura, m\u00ebrm\u00ebrima vinin prej s\u00eb thelli. Stomaku i p\u00ebrv\u00eblonte, i ziente si t\u00eb kish b\u00ebrsi. Grom\u00ebsiu dhe l\u00ebshoi avull t\u00eb nxeht\u00eb. I vinte t\u00eb nxirrte t\u00eb gjitha pla\u00e7kat e barkut. E \u00ebma i la mbi komodin\u00eb nj\u00eb got\u00eb me limonad\u00eb por s\u2019kish fuqi t\u00eb ngrihej ta pinte.<\/div>\n<div><\/div>\n<div>Qindra krah\u00eb t\u00eb zinj oktapodi e p\u00ebrfshin\u00eb dhe e t\u00ebrhiqnin drejt asgj\u00ebs\u00eb. U p\u00ebrpoq t\u00eb shk\u00ebputej, s\u2019 mundi. U p\u00ebrdrodh dhe u mblodh si l\u00ebmsh. Nj\u00eb val\u00eb e zjarrt\u00eb u ngjit nga fundi i barkut, volli disa her\u00eb me gul\u00e7e duke r\u00ebnkuar. P\u00ebshtyu me neveri th\u00ebrrimet e qull\u00ebta q\u00eb i kishin mbetur n\u00eb kthinat e zgavr\u00ebs s\u00eb goj\u00ebs dhe morri frym\u00eb i \u00e7liruar.<\/div>\n<div>U shtri p\u00ebrmbys. E \u00ebma me z\u00eb t\u00eb trishtuar m\u00ebrm\u00ebriste dhe fshinte t\u00eb vjellat. Nuk e merrte vesh n\u00eb ish n\u00eb \u00ebnd\u00ebrr apo n\u00eb zhgj\u00ebnd\u00ebrr&#8230;<\/div>\n<div>Mug\u00ebtir\u00eb. Zhurm\u00eb, z\u00ebra t\u00eb \u00e7jerra. Diku m\u00eb tej qeshja e acaruar t\u00eb atit. Nd\u00ebrsa koburja e ndryshkur l\u00ebkundej dhe p\u00ebrplasej pas murit. I b\u00ebhej se kishte net dhe dit\u00eb, jav\u00eb dhe muaj q\u00eb ecte n\u00eb mjegull t\u00eb dendur dhe nuk shk\u00ebputej dot. Ishte qull dhe fill i vet\u00ebm. D\u00ebgjonte hung\u00ebrima dhe r\u00ebnkime t\u00eb mbytura t\u00eb vinin nga mo\u00e7ali. Fytyra e \u2018Shqerr\u00ebs\u2019 iu shfaq e deformuar, mbuluar nga xhamat miope. D\u00ebgjoi p\u00ebrs\u00ebri z\u00ebra t\u00eb lodhur dhe m\u00eb pas zhurm\u00ebn e mbytur t\u00eb gjuh\u00ebs q\u00eb rrahu dhemb\u00ebt dhe foli:<\/div>\n<div>\u2018Eja \u2018shqerr\u00eb\u2019 t\u00eb thith\u00ebsh er\u00eb mjegulle\u2019.<\/div>\n<div>L\u00ebvizi krah\u00ebt t\u00eb ngrihej iu duk sikur i kishte t\u00eb b\u00ebra prej shpendi t\u00eb irnosur. \u2018Shqerra\u2019 mbrohej pas xhamave t\u00eb trasha dhe ecte ngadal\u00eb, i b\u00ebnte dredh\u00eb mo\u00e7alit.<\/div>\n<div>N\u00eb shtegun i ngusht\u00eb t\u00eb Dajlanit u ndal. \u2018Shqerra\u2019 iu afrua pran\u00eb dhe qeshi i \u00e7liruar. P\u00ebrpara tyre u hap tjet\u00ebr pamje. Ngriti krahun, i ran\u00eb pend\u00eb t\u00eb hirta p\u00ebrdhe dhe njeriu \u2018Shqerr\u00eb\u2019 u tremb.<\/div>\n<div>\u2018Mos tremb,\u2019- i tha, -\u2018Je pjesa ime e munguar\u2019.<\/div>\n<div>Pa u kushtuar r\u00ebnd\u00ebsi rr\u00ebzimit t\u00eb pend\u00ebve ngriti krahun dhe tregoi shp\u00ebrthimin e gjelb\u00ebrimit, t\u00eb luleve. I foli p\u00ebr frym\u00ebmarrjen e mjegull\u00ebs, t\u00eb pyllit. \u00a0\u2018Shqerra\u2019 d\u00ebgjonte dhe ecte kokulur. N\u00eb nj\u00eb dor\u00eb mbante \u00e7ant\u00ebn e r\u00ebnd\u00eb t\u00eb mbushur me libra t\u00eb matematik\u00ebs, p\u00ebr t\u00eb p\u00ebrfunduar disertacionin dhe n\u00eb tjetr\u00ebn pardesyn\u00eb. V\u00ebshtronte ball\u00eb rrudhur dhe merrte frym\u00eb thell\u00eb, t\u00eb mbushej me ajrin e fresk\u00ebt. Nuk ngopej prej shp\u00ebrthimit marramend\u00ebs t\u00eb ngjyrave, reflekseve m\u00ebngjesore dhe val\u00ebzimin e bul\u00ebzave t\u00eb ves\u00ebs. Nuk ka m\u00eb bujare se N\u00ebna natyr\u00eb. Ishte i p\u00ebrhumbur. Prapa zvarritej nj\u00eb hije e r\u00ebnd\u00eb. Njeriu \u2018shqerr\u00eb\u2019 k\u00ebrceu si kangur t\u00eb largohej prej hijes por ishte e pamundur.<\/div>\n<div>Sa shpejt p\u00ebrhumben njer\u00ebzit q\u00eb jan\u00eb si \u2018shqerra,\u2019 sa shpejt!<\/div>\n<div>N\u00eb b\u00ebrrylin e \u2018Qyqes\u2019, aty ku p\u00ebrroi ishte m\u00eb i thell\u00eb. Me l\u00ebvizje t\u00eb shpejt\u00eb \u00a0t\u00eb sakt\u00eb kujtoi se e goditi njeriun \u2018shqerr\u00eb\u2019 eg\u00ebrsisht prapa kok\u00ebs. \u2018Shqerra\u2019 u kthye vringthi dhe e v\u00ebshtroi me habi, \u00e7anta me libra dhe pardesyja i shp\u00ebtuan nga duart. Nuk pati koh\u00eb t\u00eb fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djatht\u00eb e kok\u00ebs. Iu k\u00ebput\u00ebn k\u00ebmb\u00ebt \u2018shqerr\u00ebs\u2019 dhe ra p\u00ebrdhe pa nxjerr\u00eb z\u00eb. Por ai kishte krah\u00eb t\u00eb mbuluar me pend\u00eb t\u00eb irnosura dhe s\u2019mund t\u00eb godiste!<\/div>\n<div>P\u00ebrs\u00ebri, dikush tjet\u00ebr shtyu dhunsh\u00ebm \u2019Shqerr\u00ebn\u2019 dhe e goditi n\u00eb p\u00ebrrua. Me shpejt\u00ebsi nxori hostenin q\u00eb e kishte fshehur dit\u00eb m\u00eb par\u00eb, t\u00ebrhoqi trupin e ngroht\u00eb t\u00eb \u2018shqerr\u00ebs\u2019 e ngjeshi me forc\u00eb n\u00eb rr\u00ebnj\u00ebt e vidhit t\u00eb vjet\u00ebr, aty ku vorbulla e ujit ishte me e madhe.<\/div>\n<div>Vesh\u00ebt i bu\u00e7isnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si t\u00ebrmet. Pend\u00ebt e irnosura rran\u00eb t\u00eb gjitha p\u00ebrdhe. Ul\u00ebriti fort t\u00eb largonte hijen e vdekjes s\u00eb tjetrit. Ul\u00ebrima u p\u00ebrs\u00ebrit disa her\u00eb me radh\u00eb. U rr\u00ebqeth. Njeriu \u2018shqerr\u00eb\u2019 si dele e per\u00ebndis\u00eb q\u00eb ishte, humbi menj\u00ebher\u00eb n\u00ebn uj\u00eb. Rr\u00ebnj\u00ebt e trasha t\u00eb vidhit e rr\u00ebmbyen n\u00eb \u00e7ast n\u00ebn vete.<\/div>\n<div>U plandos mbytur n\u00eb djers\u00eb. Uturimat ngriheshin dhe p\u00ebrplaseshin, kujtoj se do \u00e7mendej&#8230;<\/div>\n<div>Zhurmat ofsh\u00ebtin\u00eb dhe, p\u00ebr nj\u00eb moment drodh\u00ebn ajrin, pastaj u fashit\u00ebn. Z\u00ebri i grindur i t\u00eb atit u tret s\u00eb bashku me mjegull\u00ebn. D\u00ebgjohej vet\u00ebm uturima e ujit dhe pend\u00ebt e hirta q\u00eb iknin tutje.<\/div>\n<div><\/div>\n<div>Trupi i \u2018shqerr\u00ebs\u2019 u gjend mbas nj\u00eb jave. Artikulli n\u00eb cep faqes s\u00eb parafundit t\u00eb gazet\u00ebs fliste p\u00ebr nj\u00eb njeri t\u00eb panjohur, ndoshta m\u00ebsues i humbur n\u00eb uj\u00eb. M\u00eb von\u00eb askush\u00a0 s\u2019u kujtua t\u00eb thoshte gjysm\u00eb fjale. Si mund t\u00eb kujtohej, kur \u2018Shqerra\u2019 si i hutuar q\u00eb ishte, i sht\u00ebn\u00eb marr\u00ebzisht pas librave, s\u2019diti ku hodhi k\u00ebmb\u00ebn. Uji gj\u00ebmonte aty pran\u00eb, aksidentalisht shkau, u p\u00ebrmbys dhe u mbyt n\u00eb p\u00ebrrua&#8230;<\/div>\n<div>Proletar Muzaqi besonte se qe n\u00eb kllapin\u00eb e gjumit dhe s\u2019 ishte ai, por dikush tjet\u00ebr, me krah\u00eb puplash t\u00eb irnosura q\u00eb kreu aktin e sh\u00ebmtuar t\u00eb vrasjes. Mbase \u2018Shqerra\u2019, v\u00ebrtet shkau n\u00eb lum\u00eb, kur kishte \u00a0mjegull dhe d\u00ebgjoheshin p\u00ebrshpirtjet e ujit.<\/div>\n<div>Po kush qe ai bir kurve q\u00eb guxoi nga turma t\u00eb tundte gazet\u00ebn dhe t\u00eb thoshte:<\/div>\n<div>\u2018M\u00ebsuesi, nuk u mbyt por u vra nga nj\u00eb dor\u00eb gjakatare.\u2019<\/div>\n<div>Futi kok\u00ebn mes shpatulla dhe m\u00ebrm\u00ebriti si p\u00ebr gjynah:\u2018H\u00eb, kush thot\u00eb, gjakatar qenka uji dhe p\u00ebrroi! Fundja m\u00eb n\u00eb fund, t\u00eb treturit, t\u00eb ikurit, \u2018t\u00eb paditurit\u2019, \u2018t\u00eb hutuarit\u2019 s\u2019kthehem m\u00eb. H\u00ebm, mir\u00eb m\u00eb thosh merhumi plak: Burgu ka dy dyer dhe vdekja Nj\u00eb\u2026<\/div>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>\u00a0KRISTAQ TURTULLI BURGU KA DY DYER, VDEKJA NJ\u00cb! Mb\u00ebshtetur n\u00eb ngjarje reale Proletar Muzaqi s\u2019mundi t\u00eb lexonte m\u00eb, i p\u00ebrv\u00eblonin syt\u00eb. Rr\u00ebkeja e kripur e djers\u00ebve njomi brazdat e thata t\u00eb rrudhave, me v\u00ebshtir\u00ebsi p\u00ebrmbajti hung\u00ebrim\u00ebn. U t\u00ebrhoq nga rruga e madhe si zvarranik bisht shkelur, duke iu marr\u00eb m\u00ebnt\u00eb, por gazet\u00ebn s\u2019e l\u00ebshoi nga [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":3,"featured_media":2895,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[11],"tags":[],"class_list":["post-2894","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-proze"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/2894","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/users\/3"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=2894"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/2894\/revisions"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media\/2895"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=2894"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=2894"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/migjeni.se\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=2894"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}