Përgatiti: Gladiola Jorbus
Valdanosi: Thesar i fshehur i natyrës dhe i legjendave
Valdanosi, ky vend i bukur në bregdetin e Ulqinit tërheq vëmendjen me formën e tij të veçantë dhe me bollëkun e ullinjve që e mbulojnë. I njohur jo vetëm për bukurinë e tij natyrore, por edhe për legjendat e tij, Valdanosi përfaqëson një thesar të fshehur për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë unike dhe të pasur. Gjiri i Valdanosit është një destinacion i bukur bregdetar i mbrojtur nga erërat dhe ka një histori të gjatë si vend strehimi për anijet gjatë shtrëngatave.
Me një formë unike në formë patkoi, Valdanosi krijon një liman natyror duke ofruar një peizazh të paimagjinueshëm dhe një vend të përsosur për shëtitje relaksuese. Ujërat e qarta të Adriatiku dhe bregdeti me plazhe të pastra e bëjnë këtë vend një destinacion të dashur për vizitorët që kërkojnë paqe dhe qetësi larg zhurmave të qytetit. Përveç bukurisë së tij natyrore dhe legjendave, Valdanosi është edhe një vend i pasur me kulturë dhe histori. Ullinjtë që mbulojnë këtë vend janë dëshmitarë të shekujve të kaluar, duke ofruar një burim të vlefshëm për prodhimin e vajit të ullirit dhe duke simbolizuar paqen dhe prosperitetin.
Valdanosi është një destinacion që duhet vizituar dhe zbuluar.
Historia e kësaj zone daton që në periudhën antike. Valdanosi është njohur si një vend i rëndësishëm strategjik dhe tregtar për qytetërimet e ndryshme që kanë kaluar nëpër këtë rajon, përfshirë ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.
Valdanosi është i pasur me legjenda dhe tregime popullore. Sipas disa hulumtuesve vetë mbretëresha Teutë ka lindur në Ulqin. Më se e vendosur dhe luftarake, ajo shkaktonte frikë dhe dridhje në tërë Adriatikun jugor prej vitit 231 deri në vitin 228 para erës së re.
Thuhet se ajo ishte e bukur si zanë, më e mençur se gjarpri dhe më e guximshme se luani, madje që kishte një zemër mashkulli në kraharorin e femrës.
Njëra nga legjendat tregon se thesari i madh i mbretëreshës Teuta është i fshehur në një plasaritje në gjirin e Valdanosit, në afërsi të Kroit të Zanave.
Një tjetër legjendë tregon për një dashuri të ndaluar midis një vajze vendase dhe një marinari të huaj, e cila përfundoi tragjikisht. Thuhet se shpirtrat e tyre vazhdojnë të enden në bregdetin e Valdanosit, përgjatë netëve të qeta dhe të errëta.
Gjatë periudhës osmane, Valdanosi shërbeu si një port i vogël dhe një vendbanim për popullsinë lokale. Pas rënies së Perandorisë Osmane, Valdanosi u shndërrua në një vend të qetë, i cili u përdor kryesisht për peshkim dhe bujqësi. Flota e anijeve të Napoleonit ka lundruar në qershor të vitit 1806 afër Ulqinit. Janë ndaluar në afërsi të Valdanosit duke vështruar atë gji të mrekullueshëm, ullinjtë e tij shekullorë dhe shkëmbinjtë.
Befas gjilpërat e busullave të tyre kanë lëvizur çuditshëm dhe kjo i ka shqetësuar shumë çka i shqetësoj shumë dhe me shpejtësi e lëshuan Valdanosin dhe lundruan drejt Dubrovnikut. Mbas këtij episodi në hartat detare françeze, Valdanosi nuk është cilësuar si më si gjiri i qetësisë apo si gjiri i natës.
Sot, Valdanosi është një destinacion popullor turistik për ata që kërkojnë të shijojnë natyrën e virgjër, plazhet e bukura dhe historinë e pasur. Ai është i njohur gjthashtu për ullishtat e tij të mëdha dhe të vjetra, të cilat janë një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonës.
Në këto ullishta, qindra dhe ndoshta mijëra ullinj janë mbjellë dhe kultivuar për breza të tërë. Ullinjtë e Valdanosit janë të njohur për cilësinë e lartë të frutave të tyre, të cilët përdoren për prodhimin e vajit të ullirit të cilësisë së parë. Vaji i ullirit nga Valdanosi është i njohur për aromën e tij të veçantë dhe për përfitimet e tij shëndetësore.
Toponimi i Valdanosit shpesh ka tërhequr vëmendjen e vendasve dhe studiuesve. Në opinion është përhapur interpretim që do të thotë lugina e arrave, e cila ka prejardhjen nga fjalët italiane valle di noce. Kjo hipotezë është e mbështetur në faktin që në rrethinën e afërt të plazhit në Valdanos ekzistojnë arra shekullore. Por ekziston edhe interpretimi i linguistit vendas, Ruzhdi Ushakut. Ai thekson që Valdanosi është toponim nga fjalët shqipe vallja e nuses, duke theksuar që edhe në hartat më të vjetra Valdanosi është shënuar si vale di nusi. Ndërsa kur flasin për Valdanosin, Ulqinakët këtë e bëjnë me dashuri të veçantë, sikur t’i drejtohen gruas më të bukur, shtojzovalles apo floçkës (sirenës), duke qenë të bindur se ky është gjiri i tyre ose vendstrehimi i tyre.
Nëse vizitoni Valdanosin, një ecje përmes ullishtave është një përvojë që nuk duhet humbur. Peizazhi i gjelbër dhe i qetë, i ndërthurur me aromën e ullinjve dhe historinë e gjatë të tyre, do t’ju japë një ndjesi të thellë e harmonike me natyrën.
Burime: Ul.info, wikipedia.