Emine S. HOTI
Norvegji
“Sofra poetike Boras 2025”
Përshtypje, mesazhe dhe emocione
Për mua, si dhe për shumë e shumë të tjerë ishte emocionuese pjesëmarrja në Festivalin e XIV Ndërkombëtar të poezisë ”Sofra poetike, Borås, 2025”. Ky festival me shumë vlera kulturore, artistike, letrare dhe atdhetare na tërheq si magnet ne shqiptarëve të mërgatës, që jetojmë e
punojmë në Suedi dhe në të gjithë Skandinavinë. Por ai tërheq po aq shumë edhe krijues nga Kosova, Shqipëria, nga trojet shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Çamërisë, ashtu dhe nga shumë shtete që janë dashamirës të vlerave kulturore shqiptare, të krijimtarisë
së shumanshme, të librit dhe të poezisë shqipe.
Në krye të organizimit, si edhe herë të tjera ishte i mirënjohuri, poeti, publicisti dhe përkthyesi Sokol Demaku e, në krah të tij: Riza Sheqiri, Gladiola Busulla, Qerime (Shota) Gurguri, Hamit Gurguri…Aktivitetet u zhvilluan në dy ditë të veçanta.
Më 12 prill, ditën e parë ishte aktiviteti i poezisë, i cili u çel në orën 11.00 nga drejtuesit Ioona Jorgollari dhe poetët e shkrimtarët Rizah Sheqiri dhe Gladiola Busulla. Kësaj here prezantuan poezitë e tyre mbi 170 poetë nga 24 gjuhë të botës. Shumë pjesëmarrës ishin aty ng Suedia, kurse të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Norvegjia, Izraeli, Bullgaria… Ata u mblodhën në një nga sallat e Norrby hys të qytetit të Boråsit. Poetët recituan poezitë e tyre në gjuhë të ndryshme, të mirëpritur dhe të duartrokitur nga të gjithë të pranishmit.
Këto poezi gjithkush i gjen në Antologjinë e veçantë të botuar posaçërisht për festivalin…Recituan poezitë e tyre: Shoshana Vegh, Moshe Vegh, Blerta Timava, Lulëzime Kryemadhi, Emine S. Hoti, Bardh Nenguri, Hysen Berisha, Ingela Karlsson, Liber Emini. Recituan gjithashtu: poeti nga Korça, Arjan Kallco, por edhe Fetah Bahtiri, Afrim Berisha, Magnus Grehn, Erinda Medolli, Rifat Ademi, Ema Ermenz nga Suedia, Maja Panajatova,
bullgare me banim në Belgjikë, Xheladin Shabar… Juria vlerësoi me Pendën e artë të Migjenit dy poetë, Liber Emini, nga qyteti i Kumanovës së Maqedonise Veriore dhe poeten e njohur suedeze nga qyteti Uppsallës, Eva Ermenz. Pllakatin për vepra në art, kulturë dhe sport e fitoi e reja nga Theranda, studente e Universitetit të Tiranës, Verona Kryeziu. Për pjesëmarrësit e festivalit u ndan edhe “Mirënjohje”, veçanërisht për ata poetë dhe krijues me kontribute të veçanta. Gjithashtu u shpërnda falas për të gjithë pjesëmarrësit “Antologjia” e festivalit XIV, ku gjithsecili poet gjen atje të botuar poezinë e tij.
Më 13 prill 2025, ditën e dytë, organizatorët kishin menduar përurimin e disa librave, ku folësit vunë në dukje vlerat dhe arritjet e tyre artistike. Kurdoherë kam ndier dëshirën të përgëzoj organizatorët e këtij festivali ndërkombëtar të poezisë, që në fakt janë njëherazi stafi kryesor I Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të Borasit. Këta motra dhe vëllezër të një gjaku, të ardhur këtu në Suedi, veçanërisht në vitet 90-të, gjithnjë më kanë ngazëllyer me aktivitetet e larmishme që organizojnë dhe me botimet e tyre të shumta në poezi, prozë, vepra publicistike dhe historike dhe, thuajse në të gjitha ato vepra ata shprehin mallin dhe dashurinë e madhe për atdheun, për Kosovën dhe Shqipërinë, për trojet tona shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e Çamëri, gjithnjë duke krijuar, gjithnjë pa u lodhur, duke folur për paqen, lirinë kombëtare dhe dashurinë mes popujve. Desha të veçoj me këtë rast edhe z. Murat Ajvazi, kryetar i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në botë me seli në Zvicër. Ai solli në këtë “Sofër poetike” librin e tij “Gjurmë historike “, ku ai shpreh dashurinë për kombin shqiptar dhe për njerëzit e mëdhenj të këtij kombi, që historia i përmend gjithnjë me shkronja të arta.
Faleminderit z. Murat Ajvazi dhe të gjithë ju pjesëmarrës të talentuar që morët pjesë dhe përfaqësuat arritjet tuaja krijuese në aktivitetin “Sofra poetike”, Boras 2025!
Kur shkoj e ftuar në Sofrën poetike të Borasit
Sa herë shkoj si pjesëmarrëse në “Sofrën poetike”, Boras, Suedi ndihem e emocionuar. Mbase sepse ndiej detyrimin si krijuese që të paraqitem atje në një mënyrë sa më origjinale, ndryshe, ashtu sikurse veprojnë suksesshëm edhe shumë nga pjesëmarrësit, si ata të mërgatës që jetojnë dhe punojnë në qytetin e bukur Boras, ashtu dhe ata suedezë, por edhe të ftuarit që vijnë aty nga shumë vende të botës, pasi kjo “Sofër poetike” tashmë është bërë shumë e njohur. Pjesëmarrësit, veçanërisht krijuesit e poezisë, por edhe të prozës dhe të fushave të tjera të artit, të muzikës, pikturës, përkthimit, të ekspozitave fotografike etj.
“Mirë se erdhët! Bukë e kripë e zemër e bardhë!”
Mendova: Ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë, që tashmë është tradicionale: ”Bukë e kripë e zemër”. Kështu që përgatita një bukë në shtëpi, duke menduar që krijuesve të ardhur aty t`u them: “Mirë se erdhët! Bukë e kripë e zemër e bardhë!” Kjo është shprehje e mikpritjes sonë, por edhe e traditës sonë. Krijuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit shqiptarë e njihnin këtë traditë, por për të tjerët ishte befasi e këndshme, ndaj të gjithë e vlerësuan me duartrokitje. Atyre që kishin ardhur aty nga shtete të tjerë ua shpjegoi anglisht poetja dhe njëra nga drejtueset e “Sofrës poetike” shkrimtarja Gladiola Busulla. Ata, të gjithë u entuziazmuan, duke vlerësuar shprehjen mikpritëse, por shijuan me gëzim edhe bukën e përgatitur me kujdes nga unë, enkas për këtë aktivitet. Ndërkaq, me ndihmën e Gladiolës, u shpjegova të gjithëve në atë aktivitet se unë kisha përgatitur edhe një ekspozitë me veshje e piktura, ku ekspozoheshin modele të kostum grafisë kombëtare shqiptare, të cilat i kisha stiluar, prerë dhe qepur me shume kujdes për atë aktivitet. Të gjithë u treguan shumë të interesuar, i shihnin veshjet shqiptare me
shumë vëmendje e kureshtje dhe shprehnin konsideratat dhe respektin e tyre për folklorin shqiptar, për modelet, ngjyrat, qëndisjet, por edhe pyesnin e dëgjonin me vëmendje për kujdesin dhe zakonet se si ne shqiptarët i rrisnim dikur fëmijët në djepe dhe u këndonim ninanana apo dhe këngë atdhetare e trimërie.
Respekt dhe krenari për Artisten e madhe shqiptare Margarita Xhepa
Ishte gjithçka shumë emocionuese dhe frymëzuese kur recitova poezinë e krijuar nga unë, kushtuar artistes së madhe shqiptare Margarita Xhepa, vargjet e së cilës po i botoj edhe në këtë fjalë përshëndetëse:
Margarita Xhepa
Emri yt me shkronja ari,
N ‘teatër, filma, recitime,
Ty në zemra do të kemi,
Artise e Shqipërisë sime.
Arti yt lule pranvere,
Emri yt më bën krenare,
Zëri yt si fllad maji,
Margaritë, je legjendare.
Vite, kohë do të kalojnë,
Me art hyre në histori,
Margaritë, bij e shtrenjtë,
Perlë e artë për Shqipëri.
Më vjen mire të them se vargjet që recitova krijuan emocion dhe respekt tek të gjithë të pranishmit. Poezia u mirëprit dhe thuajse të gjithë, herë njëri dhe herë tjetri shprehën respektin dhe dashurinë e madhe për këtë artiste të famshme të Kinematografisë dhe të Teatrit
kombëtar shqiptar. Faleminderit organizatorëve të Migjenit tonë të madh, nga zemra
ju uroj për suksese edhe më të mëdha në ta ardhmen!
Faleminderit të gjithëve juve krijues që begatuat “Sofrën poetike”, Boras, 2025, me krijimtarinë tuaj të rrallë dhe të bukur.
Mesazhe të festivalit ndërkombëtar “Sofra poetike”, Boras, Suedi
Mbajtja e Festivalit të XIV ndërkombëtar “Sofra poetike”, më 12-13 prill 2025 në qytetin suedez të Boras-it, përcolli mesazhe mbresëlënëse. Aty u shfaq fuqishëm dashuria për kombin shqiptar, për gjuhën e bukur shqipe, për kulturën dhe artin, për folklorin dhe veshjet popullore shqiptare, për letërsinë, publicistikën dhe traditat tona të vyera. Ndërkaq, siç shkruan organizatori kryesor i këtij festivali z. Sokol Demaku: “Poezia, shërbeu si një urë lidhëse mes
popujve, kulturave dhe gjuhëve.”
Duke u ndarë me pjesëmarrësit e festivalit, apo “Sofrës poetike”, Boras, 2025, lexoja në sytë e gjithsecilit urimin dhe respektin për organizatorët, për përmbajtjen dhe mesazhet e rralla që përfituam atje, për bukurinë dhe klasin e lartë të organizimit dhe të zhvillimit të festivalit. Të gjithë shprehnin dëshirën që të ishin prezentë edhe në festivale të tjera, që do të zhvilloheshin në të ardhmen. Sipas traditës, në prillin e vitit që vjen, do të zhvillohet po aty në qytetin
Boras, të Suedisë, festivali i XV-të ndërkombëtar, “Sofra poetike”, Boras, 2026.
Faleminderit stafit të shkëlqyer të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Boras, Suedi.