Dr. OLSA PEMA: Triptik përrallëzash – “Familja Rosmaku” nisi rrugëtimin drejt vogëlushëve

Dr. OLSA PEMA

Triptik përrallëzash – “Familja Rosmaku” nisi rrugëtimin drejt vogëlushëve

“Rosmaku”, një përrallë e dashur për fëmijë të moshës 3 – 7 vjec, e autores Shpresa Fundo
Gjergji, vjen në tri pjesë duke ngulitur në vetëdijen e vogëlushëve jetën e bukur familjare shpesh
të munguar në komunitetet e sotme. Familja e bukur e me vlera socio-kulturore, aq e dëshiruar
sot, marrëdhëniet e drejtpërdrejta plot sinqeritet e thjeshtësi mes pjesëtarëve të familjes, dashuria
dhe mirësia që përshkon veprimtarinë e tyre të përditshme, është aktualizuar në jetën e një
familje rosakësh, të cilët frymëzojnë dhe edukojnë në çdo gjest, fjalë e veprim. Që nga pellgu i
artë rrëzë kodrinës së blertë, ku kanë zgjedhur të jetojnë, te përqafimet e herëpashershme që
dhurojnë:
“Me nënë Vikun të tre përqafuar
Prisnin baba Bikun tek vinte krenar.”
…apo prania në mbështetje të njeri-tjetrit:
“Të lumtur me Bikun, babain rosak
Familjen bashkuar e deshën”,
…e deri tek veprimet miqësore që sjellin pranë tyre miq të mirë e të vërtetë. Përmend këtu
vogëlushen Mia te pjesa e parë, e cila sheh dhe ndien me sytë e zemrën e çdo fëmije lexues të
vëmendshëm tek përpiqet të ngrerë raporte të çiltra me miqtë e saj, apo zogun këngëtar te pjesa e
dytë, i cili shpreh lumturinë e kënaqësinë që sheh familjen e rosakëve të bashkuar. “…me dashuri
në zemër”, fjalë që i përcillen thellë, i brendësohen një fëmije që merr në dorë këtë përrallë e
padyshim që e argëton në të njëjtën kohë.
E strukturuar në tri pjesë, përralla lidhet në një fill të vetëm që i jep asaj unitet mendimi e
veprimi. Në qendër vendoset veprimtaria ditore, ngjarjet e vogla por plot impakt në jetën e
familjes Rosmaku, të cilët me thjeshtësi ruajnë të gjalla vlerat e familjes – mbështetjen,
përpjekjen, dashurinë për njeri-tjetrin e për natyrën, kurajon, besimin në vetvete, miqësinë e
tolerancën, çka na i dëshmojnë me veprime të thjeshta që bëjnë çdo ditë si dhe me komunikimin
e zhdërvjellët plot empati e spontanitet. Të gjitha këto vlera shumëfishohen kur vihen përballë
personazheve kalimtarë nga njera pjesë te tjetra.
Gjithë përralla në koncept, dialog e raporte është një lirikë fantazi që kthjellon e paqëton shpirtin
dhe botën e një fëmije. Ky lirizëm shfaqet ngado: në harmoninë me natyrën, me pellgun e artë,
diellin, kodrinën, lulet, me miqtë që sillen rrotull, në gjuhën e rrjedhshme të përshtatur bukur për
fëmijë me një ndërthurje dinamike të natyrshme të trajtave të prozës, me vargëzimin poetik të
rimuar, si një mjet që i komunikohet më lehtë fëmijës duke ndihmuar të përvetësojë më shpejt
këshillat e nënës, detyrat e gjithësecilit, etj.
Figuracioni i pasur plot dritë që përshkon gjithë përrallën, të rrëmben në një univers ëndërrimesh,
dëshirash për të arritur e përjetuar idealen, magjiken, perfekten, atë që është aq thelbësore për
njeriun, atë çfarë jo rrallë mungon apo humbet, atë për të cilën njeriu lufton e përpiqet aq fort ta
ketë, por që e gjen te këshilla e një nëne, te forca e një babai, te vështrimi i dashur i bijve, te

përqafimi i sinqertë i motrës, vëllait a mikut, dhe jeta bëhet kaq e plotë. Figuracioni, padyshim i
gërshetuar me elementët natyrorë, vjen me metaforat “një vello e blertë mbuloi kodrinat”,
krahasimet “shndriste si i lyer në ar”, përsëritjet e përshkallëzuara “notonte, llastohej, nuk
mbahej”, veçanërisht onomatopetë e krijuara qëllimisht, në emrat që i janë vendosur rosakëve –
Biku e Viku, Daku, Maku, Tika, Riki e Biki Rosmak. Morfologjikisht foljet, të cilat shënojnë
veprimet e tyre, përçojnë energjinë e brendshme që gjallon dukshëm në përrallë. Ato bëhen njësh
me veprimin, argëtojnë e krijojnë situata të bukura e tërheqëse për botën fëminore.
Mbi të gjitha, evidentohet një ndjeshmëri e hollë estetike e autores, e mëshuar kjo në
dimensionalitetin human e kulturor që ajo mishëron më së miri në formimin e saj, duke vendosur
disa standarde të nevojshme, sot shpesh të munguara në botimet e letërsisë për fëmijë. Prurja e
fabulës së "Rosmakëve" sa origjinale, në gjuhë e në komunikim dhe e veçantë si triptik, e vendos
këtë autore përballë fëmijëve dhe shkrimeve në këtë zhanër me dinjitet artistik, moral, letrar e
kulturor.  Në këtë pikë, mendoj se duhet të inkurajohet në vazhdim letërsia për fëmijë me
standardet e duhura, pasi ajo ndihmon në mirërritjen intelektuale dhe emocionale të fëmijëve larg
ndikimeve të pakontrolluara të teknologjisë.
Ndjeshmëria dhe imagjinata në këtë krijim nxiten me tej edhe nga ilustrimet e pasura, të
harmonizuara e konkretizuara bukur, plot ngjyra e shije. Përrallën e kam lexuar me një frymë, e
kam shijuar si një fëmijë dhe ndjesia e plotë që mora më frymëzoi të hedh në letër këto
përshtypje. Në mendje më është ngulitur këshilla e nënës rosë, pas takimit të bijve të saj me
bretkosën mburravece, kur u thotë:
“Natyra ka vend për të gjithë,
Të jeni rosakë të mbarë!”
Sa frymëmarrje, sa tolerancë, sa empati ka në këto fjalë për të pranuar njeri-tjetrin e për të jetuar
në paqe e harmoni me veten, gjithçka e gjithkënd, pa e fyer, pa e lënduar, pa pështjellim.
Për gjithë sa shkrova më sipër e rekomandoj këtë botim për lexuesit e vegjël, për prindërit e rinj
dhe gjyshërit, pasi aty do të gjejnë një oaz paqeje, dashurie, por edhe një model për jetën.

Dr. OLSA PEMA
Universiteti "Fan S. Noli", Korçë