Lola Shehi
BEKUAR QOFSHI
Bekuar qofshi o ujërat e truallit tim!
Juve që u kemi dhe ju që u shkulën nga trupi padrejtësisht.
Jeni historia, begatia e hijeshia,
Jeni bekim perëndie në shtatin e vendit tim të brishtë.
Bekuar qofshi o ujëra të kaltra e të kristalta!
Tej e andej kufirit sipas oreksit të ulkonjave.
Bekuar qofshi, Ohër e Shën Naum!
Bekuar qofsh o Manastir, qyteti i shkronjave.
Bekuar qofshi o male kryelartë!
Dhe ju ujëvara që nga arterie shkëmbore vërshoni me furi.
Bekuar qofshi o fusha të begata!
Bekuar qofsh çdo milimetër Shqipëri!
Shqipëria ime e lashtë, aq sa dhe bota,
Bekimin po të jap në ditën e ujit të bekuar.
Me trupin tënd, s’u ngi e s’u ngi Evropa,
Të lanë udhëkryqeve si krishti kryqëzuar!
M`KE BURGOSUR BRENDA SYSH
Mos kujto se t`ka mbuluar harresa
A se ndoshta dikush tjetër ka nisur t`më josh
Se mos m`lëndove dikur e tash t`vret pendesa
Mos e lodh shpirtin! Bëje gjumin Osh!
Harresa nuk e njeh shtegun ku t`kam fshehur
Ndaj fli i qetë e gjumin mos e prish!
Mos u merakos për sytë lakmitarë të burrave që m`shohin
M`i ke burgosur sytë! Ta dish!
Askush s`e njeh shtegun ku rrugëtojnë ëndrrat e mia
Burimin ku lag buzën askush nuk e di
Koordinatat për tek ai shteg i praruar,
I njeh vetëm Ti!
Mos e mundo kot veten me pyetje retorike!
Me pikëpyetje a pikëçuditëse pa kuptim.
Mos kërko zgjidhje pa zgjidhje, ngatërruar të dhënash empirike
Je melodia që m`vë në gjumë, e m`zgjon çdo agim!
Je orkestra e harqeve
Që deh shpirtin tim!
DUEL I HESHTUR
Çudi! Sonte shkove të flesh herët
Ca fjalë që mezi i prisje m`i le në mesbuzë
I kafshova fort, sa buzën m`u gjakosën
M`stërpikën mjekrrën, më joshën nën gushë.
S`më more me vete në gjumin tënd!
Qerpikët më rëndojnë si të jenë trarë
Nata e pagjumë çmendurisht më çmënd
Nuk di ç`ì kam bërë, m`vështron si e vrarë.
E përkëdhel me vargje, e ngroh me puthje t`mjalta
I këndoj ninulla, e përkund në djep
Keqas rebelohet! Për qamet s`më bindet
Hëna rreth qerpikësh pengjet qep e shqep.
Buzët digjen ethesh nisin rënkojnë dhimbjesh
Shpirti zemëruar më shtyn e më step
Një ankth i paemër mbërthen krahërorin
Dylufton me zemrën,
Që as merr… As jep…!