Gladiola Jorbus
Pse një lider duhet të lexojë Kantin?
Në një botë ku shpesh matet suksesi i një lideri me rezultate të shpejta, fitime ose ndikim, është e lehtë të harrosh një gjë të rëndësishme: udhëheqja e vërtetë nuk matet me pasojat, por me parimet morale. Filozofi gjerman Immanuel Kant, me idetë e tij mbi etikën e detyrës, ofron një bazë të fortë për udhëheqje me integritet.
Një lider që e njeh Kantin mëson të marrë vendime të drejta dhe të qëndrueshme, duke vepruar nga detyra dhe jo nga interesi personal.
Sipas Kantit, një veprim është i drejtë vetëm nëse kryhet nga detyra, jo për përfitim personal apo për benefitet që mund të sjellë. Një lider i ndershëm nuk vepron drejt vetëm kur i leverdis, por edhe kur është e vështirë. Duke vepruar nga ndjenja e detyrës – duke qenë i drejtë, i paanshëm dhe i sinqertë – ai krijon një klimë besimi dhe respekti në ekip, duke u bërë model për të tjerët dhe jo dikush që manipulon
situatat.
Një nga idetë qendrore të Kantit është imperativi kategorik, që thotë të veprosh vetëm sipas asaj maksime që mund të doje të bëhej ligj universal. Thjesht pyet veten: a do ishte e drejtë që çdo lider të vepronte si unë? Nëse gënjen, manipulon ose favorizon padrejtësisht, atëherë nuk po vepron në një mënyrë që mund të bëhej rregull për të gjithë, dhe veprimi yt nuk konsiderohet etik.
Kanti gjithashtu na kujton që njerëzit nuk duhen përdorur thjesht për arritjen e objektivave. Një lider që i sheh punonjësit veç si mjete fitimprurëse dhe jo si qenie me dinjitet, humb respektin e tyre. Një lider etik i trajton punonjësit me dinjitet, i dëgjon dhe i vlerëson si individë, jo vetëm për atë që mund të ofrojnë. Udhëheqja shpesh sjell vendime të vështira, si pushime nga puna, ndarje përgjegjësish apo trajtim padrejtësish. Etika e Kantit tregon që nuk duhet të zgjedhësh rrugën më të lehtë, por të pyesësh gjithmonë se cili është detyrimi moral, pa marrë parasysh pasojat. Kjo mënyrë e të menduarit krijon besueshmëri dhe ndershmëri afatgjatë. Një lider që lexon Kantin dhe vepron sipas etikës së detyrës nuk është thjesht një menaxher i mirë, por një udhëheqës me vlera morale. Ai nuk vepron për përfitim të çastit, por nga respekti për detyrën dhe dinjitetin njerëzor.
Në një botë ku shpesh udhëheqja deformohet nga interesi personal, filozofia e Kantit ofron një busull etike që tregon rrugën e duhur, edhe kur është e vështirë.