Nga Petrit Malushi
„Kolegia e re“
Pushimet mbaruan. Mësuesit po ktheheshin sërish në shkollë. Mësimi fillonte pas dhjetë ditësh. Drejtuesit, për te vartësit, udhëzimet e reja i përcillnin drejtpërdrejtë ose në mënyrë elektronike nëpërmjet telefonave celularë.
Drejtoria arsimore e qytetit organizonte seminare sipas gruplëndëve. Në koridoret e tre kateve të ndërtesës, nëpër salla dhe në oborr lëvizjet ishin të shtuara.
Paraqitja bëhej në orën tetë dhe largimi në orën trembëdhjetë. Në intervale pushimi të shkurtëra mësuesit ishin të lirë. Në një të tillë bashkë me mësuesin e matematikës dhe mësuesin e historisë dolëm në oborr për të pirë cigare. Pak më tej një grup mësuesesh, pesë-gjashtë ndoshta, bisedonin shpenguar me zë të lartë, ton gazmor, lëvizje mimike e lëvizje duarsh. Në qendër ishte njëra prej tyre.
E lavdëronin, e pyesnin me kureshtje, lëshonin thirrje habie…
Ia preknin lehtë e butë flokët, fytyrën, gjoksin, vithet…
“Ua,ua flokët!…Ç‘kombinim i përsosur ngjyrash e formash!…“
„Rrudhat i paske zhdukur krejt!…Si adoleshente dukesh tani…„
„Ah, buzët! Ja kështu dua t’i fryj edhe unë!…“
„Faqet, mollë gold…“
„Gjoksin e ke bërë nam fare!…“
„Po vithet?!…Lëre,lëre!…“
“Ç’shije të holla ke mbajtur fshehur moj!…“
„A pa pa ç’dorë flori paska pasur ajo zonja e qendrës estetike!“
Rrezellitëse „kolegia e re“ kthehej majtas e djathtas. Lëvizte para e prapa.
Rrotullohej. Përpiqej t’u kthente përgjigje të gjithave, herë njerës e herë tjetrës.
„Vendimin e kisha marrë më parë. Për njëzet e pesë vjetorin e martesës do të bëja ndryshim konstruktiv. Mezi i mbusha mendjen burrit. Po kur më pa kështu mbeti pa mend. Iu duka krejt tjetër. Nuk gjente fjalë të shprehej. Çfarë s’më tha.
„O Dielli im rrezear! O Hënë e netëve pranverore! O Yll karvani i mëngjesit!“
„Po andej nga „Hemisfera Jugore“ ke bërë ndonjë zbukurim?…“,- e ngacmoi njëra.
„Ha,ha,ha,-pasoi një e qeshur e ëmbël.-Sigurisht, sigurisht! Por, jo të gjitha rrëfehen!“
Nga sipër, te koka e deri në mesin e shpinës, prej flokëve gjithë shkëlqim, me onde të dendura e të ngjyruar, dukej sikur ishte shtrirë një copëz ylberi e përdredhur. Vëmendjen ta tërhiqte edhe forma e gjoksit, si e statujave të mermerta të antikitetit, por më drejtkëndor e pak „më i shëndetshëm“. Vithet e rrumbullakuara, në vështrim diagonal,dukeshin si dy kunguj halluini.
-Na qenka shtuar një kolege e re,- foli mësuesi i historisë, me vështrimin nga grupi i zhurmshëm.
– Qenka si më ndryshe nga të tjerat,- shtoi tjetri.
-Ore, mua më ngjan si Ballkëzja e Edukatës Qytetare?!- shpreha dyshimin.
-E di si dukeshe më parë? Sikur ushqeheshe vetëm me karkaleca,- ishte një nga komentet.
-Ka lezet kështu! Të mbushet syri…
-Po sa të vajti?- ndërhyri një tjetër duke fërkuar gishtat si shenjë e shpenzimeve.
-Shfrytëzova një okazion. Ishte një rast promovimi. Meqë ndryshimi u bë „me themel“, dyzet përqind i mbuluan ata të reklamave,- krenohej e transformuara.
-Aman, mos vjen ndonjë tjetër rast si ky, se edhe unë dua ta bëj një ndryshim,- lutej njëra prej grupit.
Mbarimi i pushimit nuk linte kohë më për vazhdimin e bisedës pasionante.
Lektorët po na prisnin nëpër salla.