Gladiola Busulla: Përse vlerësimi formativ është më efektiv sesa vlerësimi përmbledhës?

Gladiola Busulla

    Përse vlerësimi formativ është më efektiv sesa vlerësimi përmbledhës?

Në sistemin arsimor modern, vlerësimi nuk është më thjesht një mjet për të matur njohuritë e nxënësve, por një proces i rëndësishëm për të mbështetur zhvillimin e tyre personal dhe akademik. Në këtë kontekst, vlerësimi formativ po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një qasje më efektive krahasuar me vlerësimin përmbledhës.

Çfarë është vlerësimi formativ? Vlerësimi formativ ndodh gjatë procesit të të mësuarit dhe ka për qëllim të ndihmojë nxënësin të kuptojë se ku ndodhet në rrugëtimin e tij arsimor, çfarë duhet të përmirësojë dhe si mund ta bëjë këtë. Ai përfshin komentet konstruktive të mësuesit, vetëvlerësim dhe reflektim nga ana e nxënësit, vlerësim nga bashkëmoshatarët dhe së fundmi përshtatje të metodave të mësimdhënies sipas nevojave të nxënësve.

Çfarë është vlerësimi përmbledhës? Vlerësimi përmbledhës kryhet në fund të një periudhe mësimore dhe ka për qëllim të japë një vlerësim përfundimtar të njohurive të nxënësit. Ai përdoret për të vendosur nota, për të përfunduar një modul apo për të raportuar arritjet.

Ndërkaq vlerësimi formativ konsiderohet më efektiv sepse mbështet zhvillimin individual. Nxënësit marrin udhëzime të vazhdueshme që i ndihmojnë ata të përmirësohen. Gjithashtu, vlerësimi formativ rrit motivimin, pasi nxënësit ndihen më të angazhuar, kur e konstatojnë përparimin e tyre. Ky vlerësim zhvillon mbi të gjitha aftësitë e të menduarit kritik. Vetëm kështu reflektimi dhe vetëvlerësimi mund t’i ndihmojnë nxënësit, të kuptojnë më mirë procesin e të mësuarit. Duke përshtatur mësimdhënien, mësuesit mund të ndryshojnë strategjitë e tyre, bazuar në nevojat reale të klasës.

Në një kohë kur arsimi po përpiqet të jetë më gjithpërfshirës dhe më i orientuar drejt nxënësit, vlerësimi formativ paraqitet si një mjet i fuqishëm për të ndërtuar një kulturë të të mësuarit aktive, reflektuese dhe të qëndrueshme. Ai nuk mat vetëm atë që nxënësi di, por ndihmon në formimin e asaj që ai do të dijë.

Vlerësimi formativ nuk është thjesht një alternativë tjetër ndaj vlerësimit përmbledhës, por ai është një filozofi që vendos nxënësin në qendër të procesit arsimor. Duke ndihmuar nxënësit të kuptojnë, të reflektojnë dhe të përmirësohen, ai krijon një mjedis adekuat, ku të mësuarit të bëhet një proces i qëndrueshëm, i vetëdijshëm dhe i motivuar.

Por si lindi vlerësimi formativ? Sokrati konsiderohet si një nga pionierët e hershëm të vlerësimit formativ. Ai përdorte pyetje të thella për të nxitur mendimin kritik dhe për të kuptuar nivelin e të kuptuarit të nxënësve , një teknikë që sot njihet si “dialog sokratik”. Në vitin 1967, filozofi dhe edukatori Michael Scriven prezantoi termat formative dhe summative evaluation për të dalluar vlerësimin që ndihmon zhvillimin nga ai që mat përfundimet. Në vitet 1990, Paul Black dhe Dylan Wiliam në Britaninë e Madhe publikuan studime që treguan se vlerësimi formativ ka ndikim të madh në përmirësimin e rezultateve të nxënësve, veçanërisht atyre me performancë më të ulët. Vlerësimi formativ është ciklik, jo linear dhe përfshin mbledhje të vazhdueshme të informacionit, analizë, reagim dhe përshtatje të mësimdhënies. Në fakt nuk ka një përkufizim të vetëm për vlerësimin formativ. Studiuesit bien dakord për parimet, por jo për një formulim të saktë, ndaj kjo e bën atë fleksibël dhe të adaptueshëm në kultura të ndryshme arsimore. Në dekadat e fundit, vlerësimi formativ është bërë pjesë e politikave arsimore në shumë vende. Sistemet arsimore nordike e kanë institucionalizuar si pjesë të kurrikulës kombëtare. OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik)  e ka përfshirë në udhëzimet për mësimdhënie cilësore. UNESCO e ka promovuar vlerësimin formativ si një mjet për të ndërtuar një arsim gjithpërfshirës, të drejtë dhe cilësor. Në dokumentet si “Education 2030 Framework for Action” dhe “Inclusive and Equitable Quality Education”, UNESCO thekson:

Vlerësimi formativ ndihmon në zbulimin e pengesave në të nxënit, veçanërisht për nxënësit me nevoja të veçanta ose që vijnë nga grupe të margjinalizuara.

Ai është një mjet për të personalizuar mësimin, duke e bërë më të aksesueshëm për të gjithë.

Vlerësimi formativ parashtrohet si një alternativë ndaj testimeve të standardizuara, të cilat shpesh nuk reflektojnë diversitetin e nxënësve.

 

            Përgatiti: M.A. Gladiola Busulla

 (Mësuese e legjitimuar në shkenca humanitare)