Nga Petrit Malushi
Fllad maji
Çelen luledelet, shtohen e harlisen,
Ta rrëmben vështrimin lulja e lofatës.
Blire e dafina, mështekna buisen…
Lagen e vaditen prej vesës së natës.
Karafili i kuq ndër ballkone varet,
Duket sikur qeshin vjollca e zambakë.
Për lulet kujdes tregojnë lulishtaret,
Trëndafilat ndezin petalet me flakë.
Në foleza kthehen prapë dallëndyshet,
Duke cicëruar sillen e lodrojnë.
Të ”tërheqin“ rreze në diell dalin gjyshet,
Fëmijët lulishteve luajnë e vrapojnë.
Faqekodrat lart mbulon gjelbërimi,
Retë aty-këtu mjegullat i hanë.
Shtrihet tej e tej pastër kaltërimi…
Fllad-aromë maji shëtit në çdo anë!
Natyra dhe ca njerëz…
Moj natyrë të kam zili
Dora jote pret dhe mat,
Edhe qep me rregullsi
Një rrugicë, një monopat.
Një lëndinë, zabel, livadh,
Një përrua, vijë, rrëke,
Pemë e drurë, ledh e luadh…
Ç’mbin e ç’gjendet përmbi dhe .
Re e mjegull shtyn përpara,
Tokë e ujë i mban bashkuar.
Kafshët bredhin, bëjnë gara,
Flenë, ushqehen, rrinë zgjuar…
Po ca njerëz, pse për dreq
Me mend e dorë si sopatë,
Ç’ke bërë ti; një prish, një heq
Në mesditë e në mesnatë?!



