Emine S. HOTI
Poete dhe publiciste
Norvegji
STOP, dhunës ndaj grave në Kosovë e në Shqipëri!
“Femrat shqiptare janë në krye të jetës,
Në krye të luftërave për atdhe e liri,
Janë shtylla të familjeve e të shtëpisë,
Mbjellin kudo paqe, harmoni, dashuri.”
(Emine S. Hoti)
Deri kur disa burra kriminelë do ta konsiderojnë “të drejtë” të tyre të dhunojnë e deri të vrasin nënat, bijat, motrat, bashkëshortet? A kanë zemër këta njerëz, apo u është shuar çdo ndjenjë njerëzore? Si do të rriten vajzat tona në një shoqëri, ku duhet të kenë frikë nga ata që duhet t’i respektojnë dhe t’i mbrojnë? Si mund t`i shohin në sy fëmijët e tyre ata njerëz vrasës, kur u kanë vrarë nënat, u kanë marrë atyre jetën duke e konsideruar veten “burra” zakoni? Vetëm gjatë vitit 2026, në Kosovë dhe në Shqipëri ka një bilanc alarmant tragjik të krimeve të lidhura me dhunën në familje. Në Kosovë, deri në fund të muajit tetor 2026, kanë humbur jetën 8 gra si pasojë e dhunës së ushtruar nga familjarët ose bashkëshortët e tyre. Rasti i fundit i Arlinda Zekajt në Pejë, më 25 tetor. Këto dhunime deri në marrjen e jetës së grave, vajzave, bashkëshorteve kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe konsiderohet një rekord tragjik e barbar. Edhe në Shqipëri, gjatë vitit 2026 janë vrarë 3 gra, ndërkohë janë shfaqur raste të shumta të dhunës ekstreme e goditjeve e fatale, duke krijuar situata dramatike e tragjike për familjet e tyre, për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën një gruaje, askush s`ka të drejtë ta dhunojë atë.
Këto dhunime të rënda tregojnë se shoqëria shqiptare vuan nga një plagë e rëndë mentaliteti, nga një hije e zezë, nga një “sëmundje” e rëndë, që kryen dhunimin e grave dhe të vajzave tona. Kjo është emergjencë kombëtare, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Viktimat janë gra që vriten me armë zjarri, diku nga djali, diku nga bashkëshorti, apo rasti i Arlinda Zekajt, që u vra nga kunati i saj, vetëm katër ditë pasi kishte dorëzuar një shkresë urgjente në Prokurorinë e Pejës për të kërkuar mbrojtje.
Natyrisht që kanë vlerë edhe marshimet dhe protestat për të kërkuar llogari nga organet e rendit dhe të drejtësisë, por të gjithë janë shumë të vonuar. Ndaj, le të bjerë kambana e ndërgjegjes për ata që nuk kanë mend në kokë dhe zemër në kraharor! Le ta dëgjojë çdo njeri se gruaja nuk është pronë e askujt. Ajo nuk është një send që mund ta trajtosh si të duash, ajo është jetë, është qenie njerëzore me të drejta të barabarta. Askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën një gruaje, askush s`ka të drejtë ta dhunojë atë. Vajzat, gratë, nënat tona shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet të jetojnë me dashuri, jo me dhunë e frikë, ato të mos jetojnë të ndrojtura e me mungesë kurajë për t`i shprehur fjalët dhe mendimet e tyre për jetën, për familjen e shoqërinë. Tek ne duhet kuptuar se, në jetë, vendin kryesor e ka respekti, harmonia, dashuria mes njerëzve të një familjeje, harmonia në shoqëri.
Gruaja nuk është pronë e askujt
“Burrëria” nuk matet me forcën për ta lënduar nënën, vajzën apo gruan, por shfaqet me karakterin për të respektuar dhe mbrojtur jetën e tyre. Mjaft më me dhunë! Mjaft më gra të vrara! Mjaft më me familje të shkatërruara! Drejtësia duhet të flasë fort dhe jo të zbutë dhunuesit apo të neglizhojë ngjarjet! Shoqëria duhet të reagojë dhe askush nuk duhet të heshtë përballë dhunës! Gruaja nuk është pronë e askujt. Të drejtat dhe dinjiteti i saj duhet të respektohen gjithmonë, por përherë dhe, asnjëherë me vonesë, sepse në shoqërinë shqiptare ka ndodhur që gjithçka bëhet me shumë vonesë: njerëzit intelektualë, shteti dhe shoqëria ngrihen e reagojnë vetëm kur ndodhin ngjarjet, ndërkohë që duket t`i konsiderojnë ato plagë të rënda tragjike, që duhen shëruar e parandaluar me forma dhe mënyra të ndryshme. S`mund të themi se po ecim përpara drejt civilizimit dhe qytetërimit, kur ndodhin këto krime mizore?
Dhunimi i njeriut nuk është çështje private, por është çështje gjithë – njerëzore
Tek secili lind pyetja: Pse vallë tek ne shfaqet kaq tronditës mentaliteti patriarkal, mentaliteti se “burri paska të drejta absurde e dhunuese mbi gruan?” Madje, ai, sipas “logjikës” së ruajtjes së nderit, i kontrollon jetën gruas së tij, shoqes së tij të jetës, bashkëshortes së tij, nënës së fëmijëve të tij? Ndërkohë që disa burra, kontrollojnë edhe mendimet e grave, vendimet dhe ëndrrat e tyre, e deri pastaj i dhunojë ato, duke u marr edhe jetën? Çfarë “burri” është ai që e kryen me gjakftohtësi kriminale një vrasje ndaj njeriut të familjes së tij? Doemos që ai me të vërtetë është një përbindësh, që nuk shpjegohet veçse me shpirtin e zi kriminal, të komanduar nga “djalli, nga errësira e zezë, nga ligësia dhe barbaria”. Edhe kafsha që është kafshë nuk e vret, por e mbron dhe deri sakrifikohet për të voglin e saj, për familjen e vetë, për çdo pjesëtarë të asaj familjeje e jo më njeriu i kohëve gjoja moderne, gjoja i civilizuar dhe gjoja i qytetëruar? Një gjë duhet të jetë e qartë për cilindo: Dhuna nuk duhet në asnjë mënyrë të konsiderohet si një “çështje private” ose pjesë normale e jetës, sepse dhunimi e deri vrasja e njeriut nuk është çështje private, por është çështje gjithë – njerëzore, që preokupon dhe revolton familjen, shoqërinë, shtetin dhe ligjet e tij, që fatkeqësisht shpesh herë nuk zbatohen.
Ka raste flagrante që diferencohen aq shumë gratë dhe vajzat, nga disa njerëz që i duan ato të nënshtruara, ndaj burrave të tyre fanatikë dhe ato duhet t`i durojnë ata për të mos e turpëruar familjen apo fisin, se “për hir të fëmijëve” duhet të “gëlltitin” dhe të pranojnë fyerjet e dhunën? Sipas tyre, ato duhet të pranojnë dhunën fizike, dhunën që shkakton dhimbje ose lëndime trupore, goditjet, shtyrjet apo rrahjet. Ato, sipas tyre, duhet të pranojnë dhunën “brenda katër mureve të shtëpisë” dhe aty ta mbyllin krimin e dhunën. Sipas atyre burrave fanatikë me ndjenja antinjerëzore, gratë duhet të ulin kokën ndaj dhunës psikologjike, kërcënimeve, fyerjeve, izolimit, ato duhet të ndiejnë dhe ta pranojnë ndrojtjen dhe frikën, ato duhet të pranojnë të jenë edhe shërbëtore, edhe skllave të burrave të tyre. Sipas atyre burrave xhahilë, gratë duhet të pranojnë dhunën ekonomike, kontrollin e plotë mbi paratë dhe burimet financiare, “qesja është e burrit”, ai i grumbullon të ardhurat, ai komandon shpërndarjen e tyre, gruaja sipas atyre fanatikëve keqdashës duhet të presë kokulur dhe pa asnjë të drejtë “vendimet” e burrit barbar e kriminel. Kështu ata “burra zakoni” vendosin një varësi totale mbi gruan, duke e konsideruar atë një “kafshë” që, sipas tyre duhet të durojë “kamxhikun” për interesin e shtëpisë.
Stop dhunës ndaj grave!
Këtyre mentaliteteve, dhunës e veprime barbare ndaj grave duhet t`u them STOP, t’u japin atyre fund njëherë e mirë, të jetojmë jetën që na është dhënë me ndershmëri e drejtësi, duke krijuar një familje të shëndosh shqiptare, paqësore, harmonike. Ndaj atyre rasteve të dhunës, duhet të ngrihet e gjithë shoqëria, të japë alarmin kundër dhunuesve, ata të ndëshkohen dhe të mos u krijohet mundësia që ta kryejnë krimin, ata të shtrëngohen me masa të forta shtrënguese. Gruaja është një pjesëtare e nderuar e shoqërisë, ajo është nënë, bashkëshorte, ajo është vajzë, është nëna, që mban shtëpinë, që rrit fëmijët dhe krijon marrëdhënie edukuese dhe harmonike në familje. Ajo ka edukuar historikisht bijtë si luftëtarë të mbrojtjes së atdheut dhe të lirisë. Kur vritet një grua, humbet një jetë njeriu, shkatërrohet një familje, mbeten fëmijë pa nënë, prindër pa vajzë, vëllezërit pa motër, krijohet një plagë që nuk mbyllet kurrë.
Çfarë na këshillon Nënë Tereza?
SHEN TEREZA, Nëna e Madhe Shqiptare, Nëna e të gjithë popujve të botës, kur flet për familjen, për rëndësinë e saj, për paqen dhe harmoninë, ajo këshillon: “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde.”
Për humanisten e madhe shqiptare, familja ishte bërthama, ku lind dhe ku duhet të kultivohet çdo dashuri dhe paqe përpara se të shpërndahet në botë. Ja disa nga mesazhet e saj, që asnjëherë nuk duhet t`i harrojmë: “Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit, ata që ndodhen në shtëpinë tënde.” “Varfëria më e madhe është të qenit i padëshiruar, i padashur dhe pa njeri që të kujdeset për ty. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.” “Paqja dhe rrezatimi i shpirtit në botë fillojnë me një buzëqeshje. Buzëqeshini njëri-tjetrit në familje, sepse kjo sjell ngrohtësi dhe dashuri.”


