Poezi nga Namik Selmani

Autor: Namik Selmani

 

Gjuha jonë purtekë flamuri

Gjuha jonë purtekë flamuri

Është e lashtë sa dhe bota

E përcjellim bir as biri

Nëpër vite s;e humb koha.

Gjuha jonë fole bilbili

Ardhur tej nga lashtësia

Mjaltë malesh, polen prilli

E bekon vetë Perëndia.

Për të vargje thuri Mjeda

 

Vjershëroi me mall Naimi.

Mblodhi fjalët porsi bleta

Kostandin Kristoforidhi.

Prijatar ai Gjon Buzuku,

Në la shqipen tek Formula*

Bash si fara që hedh bujku

U fut shqipja në ninulla.

Vjen Babë Duda gojëëmbël

Prag më prag sërish troket

“ Kush s’mëson gjuhën e nënës

I dënuar është për jetë!”

 

Petro Nini plagëhapur

Pëshpërin ca amanete.

Sup më sup e krahët zgjatur

Shqipja kurrë të mos tretet.

Në një botë me vezullime

Me ujëvara e avionë.

Të mos mbesë si një jetime

Gjuha shqipe, gjuha jonë.

Të mos vyshket nga i ftohti

Mos e kalbë kurrë harresa.

Bashkë me gjuhët që ka globi

Bashkë me gjuhët që ka globi

Të jetë lulja që ngroh breza

 

Dhurata në kurbet

Kam marrë nga nëna në vite sa e sa dhurata.

Kordele të kaltra, bluza, kukulla e fustane.

Babai më mbushte përherë duart me çokollata

Gjyshja më kishte mbushur duart me bajame.

Daja më blinte libra me vjersha e përralla.

Ku humbesha, sa më shfaqeshin në ëndrra.

Kur vinte agimi, nxitoja mes rrezeve të bardha.

Merrja me dhjetra urime me fjalë të ëmbla.

Dhe erdhi një ditë kur mora një kryedhuratë.

Një kostum të bukur qëndisur me duar.

Një palë sandale të reja, oh, ç’gëzim më dhanë!

Sa tërë vitet me dhurata i kisha harruar.

Në një Festë Flamuri festova me prindërit e dashur.

Larg Shqipërisë, larg Tiranës e Dajtit me pisha.

Më dukej vetja sikur akrepat kishin ndalur.

Nga lumturia zemra lëshonte xixa-xixa.

Kostumi më kishte sjellë duart e një gjysheje.

Gjithë vitet e kaluara me lojëra fëminore.

Dhurata më kishte bërë atë ditë si dallandyshe

Që kishte gjetur çerdhen e re në të tjera troje.