”Kol, mos fol! Mitrush, mos e mbush! Thanas, mos e zbraz!”

Shkruan Viron KONA

”Kol, mos fol!
Mitrush, mos e mbush! Thanas, mos e zbraz!”
(Zgjuarsia e zonjës Anë)

Nëna ime më tregonte shumë histori, veçanërisht për
kohën kur ishte vajzë në kalanë e Beratit, që ishte vendlindja e
saj, por edhe e babait. Ajo kishte një kujtesë të
jashtëzakonshme dhe çdo histori që tregonte e lidhte me një
ngjarje të veçantë. Sot, pak nga historitë që tregonte ajo mbaj
mend, njëra prej tyre është edhe kjo që po shkruaj:
1.
-Në kala, – më tregoi një ditë nëna, – jetonte një grua e
vetme e moshuar, që ne e thërrisnim zonja Ana. Dikur familja e
saj kishte qenë e lumtur, kur jetonte ende xha Jani,
bashkëshorti i saj, i cili ishte gurskalitës i zoti. Ata kishin tre
djem, njëri më i mirë nga tjetri: Koli, Mitrushi dhe Thanasi. Pas
vdekjes së parakohshme të Xha Janit, familja u varfërua.
Atëherë të tre djemtë morën rrugët e kurbetit. Kjo e dëshpëroi
shumë zonjën Ana, e cila vuante vetminë dhe e digjte malli për
djemtë e saj që kishin mërguar shumë larg, në Australi. Thuhej
se djemtë i dërgonin para, por sado që t`i dërgonin, paratë nuk
e ngushëllonin, ajo donte djemtë, t`i kishte pranë, t`i
përqafonte, t`u ndiente rrahjet e zemrave, t`i martonte, t`i

gëzonte… Ditën ajo i mbante sytë nga porta e jashtme e
shtëpisë dhe nga rruga me kalldrëm e kalasë se mos dëgjonte
hapat e djemve apo trokitjet e tyre në portë. Kurse natën i
shihte ata në ëndrra dhe mbante veshët në përgjim. Sa herë që
ndiente ndonjë zhurmë, “po vijnë djemtë”, – thoshte, por jo,
ishte era, apo zhurma që bënin zogjtë kur uleshin mbi tjegullat
e shtëpisë.
2.
Një mesnatë disa hajdutë i vunë syrin shtëpisë së saj.
Pasi ia arritën të hapnin portën e jashtme, ata u futën në oborr
dhe u gjendën pranë derës së shtëpisë. Zonja Ana ndjeu
zhurmën e tyre të pazakontë dhe u ngrit gjithë shqetësim nga
shtrati. Kush ishin këta njerëz të dyshimtë, që po i vinin nëpër
natë në shtëpi? I shkoi mendja tek hajdutët që bënin namin
aso kohe në lagjet e Beratit. Ata, për të marrë paratë apo çfarë
donin, bënin edhe vrasje apo edhe e digjnin të gjithë shtëpinë
me qëllim që të zhduknin çdo gjurmë. “Më mirë që s`i kam
djemtë këtu, se hajdutët mund të bëjnë çdo gjë të keqe!”, – tha
me vete dhe kushedi pse iu ngjall një kurajë e madhe. Duket
se edhe frika, edhe halli e bëjnë njeriun trim. E, ndërsa
hajdutët përpiqeshin të hapnin derën, ajo doli në korridor me
hap të lehtë dhe, nga pas derës i pëshpëriti gjoja dikujt që
ndodhej brenda shtëpisë. Pëshpërimën e ngriti aq sa ta
dëgjonin edhe hajdutët jashtë derës.
-Kol, mos fol! – pëshpëriti ajo.
Hajdutët dëgjuan pëshpërimën e plakës dhe u vunë në dyshim.
U shkoi mendja se djali i saj i madh, Koli ishte kthyer nga
kurbeti dhe ata s`dinin gjë?! E, kur ata ndalën përpjekjen për
hapjen e derës dhe mbajtën frymën, plaka e sigurt që ata po e
dëgjonin, foli përsëri, gjoja duke iu drejtuar kësaj here djalit të
dytë:
-Mitrush, mos e mbush!
-O bobo, po na dështon kjo vjedhje! – pëshpëritën hajdutët
me njëri – tjetrin, duke menduar se plakës i kishte ardhur jo
njëri, por dy nga djemtë. Të frikësuar ata u larguan pak nga

dera dhe qëndruan një çast pranë një shkurreje. Flisnin mes
tyre se çdo të bënin: të futeshin me forcë në shtëpi, apo të
iknin. Druanin se po të përpiqeshin të hynin, do t`u duhej të
ndesheshin me dy djemtë e zonjës së shtëpisë, por edhe
druanin se zhurma e tyre do të shkaktonte alarm në kala,
atëherë zor se shpëtonin. Banorët e kalasë ishin shumë të
lidhur me njëri-tjetrin. Ndërkaq, u dëgjua përsëri nga brenda
shtëpisë zëri i zonjës Ana, që thirri:
-Thanas, mos e zbraz!
Hajdutët ia mbathën të lebetitur nga frika, por dhe të bindur se
në shtëpinë e plakës ndodheshin jo dy, por të tre djemtë e saj
dhe të tre ishin të armatosur me armë të mbushura, gati për
t`i shkrehur…
-Kështu shpëtoi zonja Ana nga hajdutët, o bir. Ata s`guxuan t`i
afroheshin më shtëpisë ku ajo po ngryste pleqërinë.
3.
-U kthyen nga kurbeti djemtë e zonjës Anë, o nënë?
Ajo më pa në sy dhe kushedi pse u përlot.
-Jo, o bir, nuk u kthyen, i hëngri kurbeti. Mbaj mend që vitet e
fundit të jetës ajo dilte në njërën nga tabjet (një nga 24 kullat
e kalasë) dhe me vështrim të përhumbur nga qielli thërriste
djemtë: Kol, Mitrush, Thanas, o bijtë e nënës, si jeni? Ku jeni?
Ka atje vend të shenjtë si këtu? Ka atje kala me bedena
stolisur, si këtu? Ka atje vajza hyjnesha kaq të ëmbla e të
bukura, si këtu? Ka atje Tomor e Shpirag, si këtu? Ka atje kisha
të zografisura kaq bukur, si këtu? Dielli, si këtu lind, kaq i
ngrohtë e i shndritshëm? Po Hëna bukuroshe, si këtu në kala
vezullon? Po yjet, si këtu ndizen e gëzojnë? Po gjuha që flisni,
gjuhë e shenjtë perëndie është, si këtu? Ejani, o bij, ne po ju
presim!
Zonja Ana e shkoi pleqërinë e vetme duke thirrur deri në
frymën e fundit djemtë e saj.
Kurbeti është i rëndë, o bir, asnjëherë nuk i dihet se çfarë
ndodh atje larg. Edhe vëllai im, Tokliu nuk u kthye. S`them gjë

të keqe për ata të huaj që të mirëpresin, por ata të duan vetëm
për t`u shërbyer. Ndryshe është dheu yt. Sado i vështirë, sado
keq të jetosh, por është yti, aty ke edhe nënën, edhe
babanë…Ne atëherë thoshim: ”Bukë e hi në shtëpi”. Në dheun
e huaj edhe mund të gjesh gjithçka, por askush s`të bëhet
nënë e babë. Që në kohët e vjetra, në gjuhën tonë kemi thënë
dhe themi fjalën atdhe, që do të thotë dheu i babës; themi
edhe fjalën mëmëdhe, që do të thotë dheu i nënës. Njeriu siç
do nënën dhe babanë, ashtu duhet të dojë edhe atdheun, o
bir!
……………..
P S. Mund të ketë edhe variante të tjera të kësaj historie. Unë
shkrova këtë që më tregonte nëna ime e mirë dhe e urtë si të
gjitha nënat.