Kadri Tarelli:HYTBI TARELLI. MJESHTËR I PENELIT DHE DALTËS

Kadri Tarelli: shkruan

HYTBI TARELLI. MJESHTËR I PENELIT DHE DALTËS
Në magjinë e ujit të çezmës, pranë shtëpisë.

(Meditim)

Duke kaluar si në ekran të një filmi dokumentar, kujtimet e hershme, nuk
di si me mbeti ne mendje një ndodhi me vëllain tonë, dikur e pa vënë re, ose si
një copëz jete kalimtare, rrëmbyer nga erërat e kohës, që përsëri koha i kthen
aty nga u nisen…..!
Ishin vitet 1993-94, vite të emigrimit masiv të shqiptarëve. Hytbiu para se
të nisej të mësynte kufirin drejt Greqisë, shoqëruar nga një kushëriri ynë nga
Bilishti, ishte drejtuar në fshatin e lindjes Braçanj të Devollit, nga ku kishte
rreth 30 vjet pa shkelur, pasi familjarisht ishin vendosur në qytetin e Lushnjës,
në vitin 1960.
Ai ishte larguar që fëmijë në moshën tetë-vjeçare. Nuk çuditem për
kujtesën e fëmijërisë. Megjithatë ai nuk pyeti as për shtëpinë, që tashmë e
zotëronte dikush tjetër, as për kopshtin plot mollë e pemë, ku hipte e zbriste si
ketër, por u drejtua vetëm tek çezma fare pranë shtëpisë, që rridhte shkujdesur
me ujë të ftohtë e të kulluar qelibar.
Lau duart dhe fytyrën, më pas mbushi disa herë grushtin me ujë dhe piu
ngadalë, sikur donte ta shijonte deri në fund atë ujë të bekuar. Lau edhe një
herë fytyrën dhe nuk u mundua ta fshijë. Donte ta kishte ujin e çezmës mbi
lëkurë, për gjatë gjithë udhës plot mundim dhe plot të papritura.
Çuditërisht këtë veprim e përsëriti edhe njëherë tjetër, pas gati dy
dekadash, në vitin 2014. Dy vjet para se të ndërronte jetë, erdhi nga Kanadaja,
ku banonte familjarisht dhe përsërit të njëjtin ritual. Lau fytyrën, piu ujë dhe u
ul në cep të postafit prej druri, duke përkëdhelur me dorën e djathtë, ujin që
rridhte qetësisht. Qëndroi ashtu disa minuta. U ngrit, por dy pika lot rrëshqitën
lehtësish mbi faqen e lagur, duke u këputur nën mjekër, si margaritarë plot
shkëlqim. Mbase e ndjeu se do të ishte hera e fundit, që po pinte ujin magjik të
çezmës.
Unë nuk jam besimtar, që ngjarjet të tilla t’i lidh me besimin fetar. Por ka
diçka mistike, dua të them të panjohur, që më shtyn të besoj në magjinë apo
fuqinë e natyrës, ujit, dheut, gurit apo drurit, nga vendlindja. Mos vallë popujt
paganë kishin më shumë të drejtë që besoni dhe i faleshin objekteve dhe
sendeve të natyrës……..?
Sot kur e kujtoj, pyes veten: Pse vallë e tërhiqte fuqia e ujit? Ç’të ishte
vallë ky, një trill mërgimtari, apo magji e ujit, për të mos harruar vendlindjen?
Kush i tha, kush e dërgoi nga larg……..? Ç’halle kishte dhe çe priste në udhën
e kurbetit? Por nuk pyeti, veç dëgjoi zemrën. Ç’brenga, kujtime e shqetësime
mbetën të pa thëna, që t’i dëgjonte veç uji i asaj çezme?
Ne në fëmijëri kemi dëgjuar shumë rrëfime për mërgimtarët, pasi zona e
Devollit dhe e Korçës e rrihte shumë kurbetin. Bëhet fjalë para viteve 1944, se
më pastaj u mbyllën kufijtë me gardh teli. Vetëm nga fisi ynë kishim pesë
kurbetllinj, që mbetën në Amerikë, Australi, Argjentinë, etj, të cilët shkonin
punonin, vinin mënjanë ca para nga kursimet dhe ktheheshin përsëri.
Ajo që na ka mbetur në mendje, pasi ishte bërë zakon për të gjithë, ishte,
se shumica merrnin një grusht dhe, nga dheu i oborrit, e mbështillnin me
kujdes në një qese të vogël. Shumica e lagnin me lot hidhërimi këtë grusht
dheu, ndaj edhe e mbanin kudo që shkonin, për të mos harruar dheun e
vendlindjes. Çmalleshin kur kalonin shumë kohë pa e parë pragun e shtëpisë
dhe fëmijët të rritur.
I njëjti ligji i pa shkruar zbatohej edhe te shqiptarët e Dardanisë dhe
mbarë trojet arbnore .
Për një ngjarje të tillë, shkruan edhe Bajram Halil Gashi në librin
“Kosovë, Andrra e jetës sime”, kur tregon fëmijërinë e mësuesit hero Bajram
Sali Gashi, i cili, si fëmijë, kur u largua nga Uça e Istogut, kishte marrë një
grusht dhe, që e mbante fshehur edhe nga familjarët, si thesar të shenjtë.

Pikërisht këtë grusht dheu ua tregoi shumë vitë më vonë, nxënësve të shkollës
së ShënVlashit, fshat në afërsi të Durrësit, shkollë që drejtonte prej vitesh,
pikërisht ditën që vendosi të kthehet në Dardani, tashmë si luftëtar lirie, ku ra
edhe dëshmor duke luftuar kundër ushtrisë serbe.
Por ja që paska edhe një tjetër magji dashurie: Uji i pusit në fund të
oborrit, apo çezmës në afërsi të shtëpisë.
Historiani Bedri Tahiri, nga Drenica e Dardanisë, shkruan në librin më të
fundit, “Degdisja”:
– Pije pak ujë, biri im, këtu në prag të derës së shtëpisë! — e luste
nënëlokja me kovën mbushur poshtë në pusin e thellë shtatëmbëdhjetë
pashës, atje tej, në fund të oborrit…….
– Po nuk po më pihet, Nënëloke. Nuk kam etje…! – arsyetohej djaloshi, që
sytë veç iu kishin lëbyrë nga përmallimi i ndarjes.
– Duhet, biro, duhet, vetëm një pikë sa për adet, sepse uji të tërheq që të
kthehesh sa më shpejt në këtë truall…! Kështu na kanë mësuar të parët tanë,
kështu patën vepruar nënat e gjyshet tona kur i patën përcjellë të rinjtë, nizamë
e gjynli për në tokat e nëmura të shkretëtirave të Anadollit, ku kafeja piqej në
diell…
– Ani, Nënëlokja ime e dashur, ani, – ia ktheu i biri, duke e kapur me të dy
duart kovën, ……… – Ashtu pra, të pastë nëna e m’u kthefsh sa më
shpejt……..!
Ky është letrarizim i një zakoni të hershëm, besoj nga rrethanat e kohës,
gjatë sundimit disa qindra-vjeçar të Perandorisë Osmane. Por po më godet e
njëjta pyetje: Pse me magjinë e ujit, siç i ndodhi edhe vëllait tonë Hytbiut, i cili
s’besoj se e dinte këtë ligj apo rregull të pashkruar, por të zbatuar aq
ndjeshëm nga nënat, kur përcillnin djemtë nizamë apo në kurbet. Ai s’kishte
lidhje me këto, si nga rrethanat, vendi, koha, kultura (Me arsim të lartë), rritur
në qytet, mërguar familjarisht në Toronto në Kanada, etj, etj.
Ç’ zë i brendshëm e thërriste të ndërmerrte një udhëtim të tillë!? A ka
shpjegim…….!?
Me aq njohje sa kam unë, “Magjia e ujit”, në zonat e Shqipërisë së jugut
nuk njihet. Qofsha i gabuar, por nuk e kam ndeshur as me të dëgjuar, sa me të
lexuar, megjithëse po më pëlqen së tepërmi, jo thjesht rikujtim dhe përjetim
zakonesh të hershme shqiptare, porse janë ndodhi që ngjasin e të lenë pa
fjalë. Veç mund të bëjmë pyetjen: Pse? Ç’fuqi magjike ka uji, që të tërheq të
kthehesh në vendlindje, në mëmëdhe? Veç nënat, të cilat nuk e dinë, por e
ndjejnë fuqinë e ujit, bashkuar me fuqinë e fjalës e të lotëve të saj, lënë si
amanet për t’u mbajtur, kudo ku i degdis mërgimi.
Ndërsa shkrimtari Bashkim Saliasi, shkruan:
… “Më kujtohet, – tha Xhezmija, (zonja e shtëpisë), se Hytbiu kur erdhi
nga fshati i kishte bërë këpucët gjithë baltë. I thashë me shaka:
– Po pse mor Hytbi, nuk pati një grua të pastronte këpucët atje në fshat,
po t`i ka lënë gjithë baltë?
– Nuk ka gjë kunatë, më pëlqen balta e fshatit tim… U kënaqa, – thoshte, –
se piva një herë ujë, në atë çezmën ku jemi rritur…”.
Janë dy zakone të ndryshme në përmbajtje materiale, (uji e dheu), por të
njëjtë në qëllim e botëkuptim shpirtëror, mistik e filozofik, të krijuar e jetuar
nga njerëzit e thjeshtë, që në shumicën dërmuese janë kushtet materiale që i
detyrojnë të mërgojnë. Besoj, është një lloj tradite që ka mundësi të jetë e
pranishme edhe në popuj të tjerë, sepse halli dhe malli i njerëzve, janë të njëjtë
dhe përjetohen e përcillen po njësoj. Por mua më pëlqejnë zakonet e popullit
tim. Ato marrin kuptim, sepse shprehin një lloj besimi të mbështetur në ngjarje
të provuara në jetë.
Kjo ngjarje, mbase e veçuar dhe pa jehonë, vjen një ditë dhe venitet e
tretet nga koha, si një histori që rrëfehet pranë zjarrit në netët e gjata të dimrit.
Unë thjesht po e sjell në kujtesë, për t’i dhënë përgjigjen pyetjeve të
shumta, që bëra pak më lart, por edhe të tjera që gëlojnë e shtohen, sa herë që
e mendoj “Magjinë e ujit”.

Kadri Tarelli
Vjeshta e tretë, 2023.