Kadrije Meniqi, Vushtrri, Kosovë
MIKUT TIM TË DASHUR!!!
Suedia është një shtet me monarki kushtetuese dhe parlament demokratik. Suedia, shtet ku fjala e lirë depërton si rreze drite dhe shpërndahet anë e kënd. Kisha dëgjuar për suedezët dhe kisha lexuar shumë për këtë popull të mirë dhe shumë të kulturuar. Kisha lexue e dëgjuar për vikingët. Kisha ëndërruar me vite për kaltërsinë, pafundësinë, margaritarët. Dhe, një ditë ëndrra u bë realitet. Fati më dërgoi aty ku unë kisha ëndërruar dhe shkruar vargjet e para të thurura me mall e dashuri. Rastësisht njoha njeriun i cili solli tek unë lumturi, njeriun i cili punon dhe vepron në shtetin më të bukur të botës, në Suedi.
Po, aty jeton , punon dhe vepron me vite ky atdhetar i cili vjen nga Drenica heroike dhe jo rastësisht edhe emrin e ka Sokol.
Sokol Demaku është një poet kosovar me banim në Suedi, prozator, pedagog, publicist, redaktor. Ka studjuar Pedagogjinë në Univer-sitetin e Götenborgut, ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme “Dituria” dhe një radio lokale me emrin “Radio Dituria”. Njëherit punon si gazetar i lirë i programeve në gjuhën shqipe „Jehona” të Radio Suedisë. Që në moshë të njomë e kultivon poezinë.
Në bazë të disa të dhënave dhe shënimeve që kam lexuar, kam mësuar se në Suedi jetojnë diku rreth 60 000 shqiptar në të gjithë territorin e shtetit suedez nga jugu deri ne veri. Një numër më të vogël shqiptarësh gjen pothuajse në çdo vend evropian, por tani më nuk ka cep të Botës që nuk gjejmë shqiptarë. Po, pra, shqiptarët vetë janë një histori dhe dëshmi kohe edhe në Suedi. Sokoli jeton në qytetin e Boråsit të Suedisë nja 40 km afër qytetit të dytë me radhë për nga madhësia në Suedi, Götenborgut, por Boråsi është një qytet me traditë për prodhimin e tekstilit apo më mirë të themi është qyteti i tekstilit në Evropë, qytet me mbi 120.000 banorë, e ku në të jetojnë dhe veprojnë mbi 2 500 shqiptarë të ardhur që nga vitet 90 nga dhuna dhe represioni serb i kohës e këtu ata kanë gjetur veten dhe zhvillojnë jetën e tyre me baticat dhe zbaticat e kohës. Veprimtari Sokol Demaku thotë se qëllimi ynë primar si mërgimtarë këtu në këtë vend të largët në veri është ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të bashkatdhetarëve me banim në Borås me rrethinë.
Me një energji të paparë punon dhe edukon brezat e rinj në shtetin suedez, shtet ky i cili bën çdo gjë që bashkëatdhetarët tanë të ndjehen si në shtëpitë e tyre. Punon në qytetin e bukur të Boråsit, mbledh sikur bleta nekatarin poezi, shkrime dhe çdo gjë që ka të bëjë me identitetin kombëtar shqiptar. Dhe jo vetëm kaq. Qe pesë vite, ky atdhetar i palodhur bashkë me miqtë e tij shqiptarë e suedezë ka realizuar edhe programet në radio Dituria, radio kjo që dëgjohet gjithandej dhe sjell zërin e bilbilave andej ku ne presim me mall e dashuri.
Sikur zog mali, nuk ndalet, shtegëton dhe arrin rezultate në çdo lëmë të jetës. Ka botuar shumë libra që lexohen me ëndje dhe dashuri nga lexuesit e moshave të ndryshme. Lapidar i mendimit shqiptar. Lexues i pasionuar i letërsisë shqipe dhe i teksteve të tjera me vlerë.
I dashuruar edhe në fjalën e urtë dhe të bukur të gjuhës shqipe, Sokoli mbledh dhe sistemon ditë për ditë mendime, citate, shprehje e vargje, të cilat i kanë lënë mbresë nga vendi ku ai ka lindur dhe jetuar me vite, i mbledh nga këndimet siç mbledh zogu thërrimet.
Me urtësinë dhe bujarinë që ka , Sokoli ka mbledhë rreth vetes shumë miq, bashkatdhetarë, e vlen të theksohet se miqtë nga Suedia e duan dhe e respektojnë pa masë këtë njeri me energji të pashuar.
Krahas gjuhës shqipe, gjuhës së bilbilit, Sokoli komunikon dhe shkruan gjuhën suedeze, si suedez i vërtetë.
Në një takim në Durrës me miqtë nga Suedia u binda në fjalët e mikut tim Sokolit, se suedezët janë popull shumë liridashës, i urtë dhe me një kulturë të lartë, popull që shumë shpejt afrohet me shqiptarët dhe gjen mirëkuptim. Shqiptarët janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur që ta gjejnë ata sa më parë Evropën. Duhet të kuptohe-mi mirë këtu se nuk është fjala thjesht për konti nentine vjetër, se trualli i shqiptarëvenë Evropë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Evropës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e viryteve, e thënë hapur, e poezisë, e lirisë së të shprehurit dhe komunikimit.
Një urë lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij suedez në aspektin e njohjes dhe promovimit të vlerave të shkrimtarëve të cilët prezantohen përmes shkrimeve është prezentimi i këtyre vlerave nga ana e Sokolit në revistën “Dituria” që botohet në Boras të Suedisë.
Mërgata shqiptare në botë ka një organizim në fusha të ndryshme të jetës shoqëroro-kulturore, duke i përfaqësuar denjësisht interesat madhore të kombit në përgjithësi. Rregullimi i aktiviteteve që zhvillohen nëpër vendet ku shtrihet shpirtërisht mërgata jonë ka dhënë dhe jep rezultate të frytshme në dimensione të ndryshme qoftë politike, ekonomike, por më shumë në rrafshin kulturor e letrar e kjo shihet këtu te miku im në aktivitetin e tij kulturor.
Pra mërgata jonë zanafillat i ka shumë herët e që ua lënë një testament për vazhdimin e promovimit sa më të denjë të interesave madhore kombëtare. Edhe disa nga rilindësit tanë patën fatin që të ballafaqohen me këto veprimtari në dobi të kombit dhe korrën suksese të pamohueshme në planin e afirmimit dhe të prezantimit të popullit të tyre edhe në botën që nuk flet shqip, kështu thotë miku im me veprën e tij.
Në kuadër të punës së palodhshme të veprimtarit të shquar Sokol Demaku, sot shqiptarët që jetojnë në këtë shtet, kanë mundësi që të lexojnë shqip, të dëgjojnë shqip, të shkruajnë shqip. Kjo mundësi apo kjo ëndërr e kamotshme e Sokolit u bë realitet me nxjerrjen në dritë të një re-
viste të shkëlqyeshme për fëmijë, të rinj dhe prindër, e titulluar “Dituria”.
Gentiana Zagoridha, Durrës-Shqipëri
“MËSUES, NJIHE NXËNËSIN TËND” UNË GJEJ RASTIN TË
FALËNDEROJ MËSUESIN TIM, TË MADHIN SOKOL DEMAKU
Një herë e një kohë isha dhe unë “poete”, jo poete e mirëfilltë, pasi unë isha një e dashuruar si të gjithë adoleshentët, dhe nuk krijoja unë, por krijonte dashuria.
Kalonin vitet dhe poezitë e mia mbetën të kyçura në kasafortën e kujtimeve. Aty ato ndiheshin të sigurta, të mbrojtura, a thua se kush do t`i sulmonte.
Ka disa njerëz në këtë jetë që u mungon guximi ose më mirë të them kanë vetëbesim të ulët dhe kështu nuk u mbetet gjë tjetër veçse të kënaqen me pak. Por në jetë vjen një ditë kur ti ke nevojë të vlerësohesh, të tregosh se çfarë je në gjendje me të vërtetë të përcjellësh te të tjerët.
Dhe tenton.
Mbyll sytë dhe nuk mendon asgjë.
I bie një dere.
Dhe kur ajo të hapet, ti e befasuar mendon:
- Kaq e thjeshtë ishte!
Jo!
Nuk është kaq e thjeshtë.
Por kaq të thjeshtë ta bëjnë njerëz me zemër të madhe, njerëz largpamës, njerëz që e dinë ç’është e bukura në shpirt dhe madje kanë aftësi të veçanta që të ndjejnë që larg magjinë që mund të dhurojë bashkëpunimi me njerëz të sinqertë, punëtorë e korrektë.
Ky njeri është Sokol Demaku, njeriu që vazhdimisht eksploron, asnjëherë nuk dorëzohet para çdo lloj vështirësie që i del përpara, por që me dinjitet përpiqet ta kapërcejë.
Kjo pjesë e karakterit të tij shpaloset bindshëm tek vëllimi i tij i fundit me poezi “Lundra ime”.
Kur lexon vargjet e tij në ty të krijohet përfytyrimi i një njeriu sa ambicioz për jetën, po aq dhe me shpirt të ndjeshëm poetik që nuk rresht së kërkuari dashurinë e vërtetë, atë dashuri që e lakmojnë të gjithë, dashurinë e pastër dhe të sinqertë. Në shumë prej poezive të tij duket sikur e ka gjetur atë që kërkon dhe i këndon me shumë pasion, i drejtpërdrejtë e mbi të gjitha me ndjenja të sinqerta. Mund të veçoj këtu poezitë:”Buzëqeshja”, “Lule vere”, “Do të takoj këtu”, “Një natë”, Ëndrra mahnitëse”, “E dashur”, “Lulja e dashurisë”, “Ti”, e sa e sa poezi të tjera të cilat ju ftoj t`i zbuloni vetë.
Ka momente që poeti duket i pasigurt në ndjenjat e tij, pasi nuk merr atë që kërkon nga dashuria e tij e sinqertë dhe nëpërmjet vargjeve të transmeton te ti si lexues, një ndjenjë gjithëpërfshirëse në botën e tij.
Të bën ta respektosh, të bashkohesh me dhimbjen e vargut të tij e madje dhe të qash bashkë me të, se kështu e ka jeta. Ndjenjat e vërteta asnjëherë nuk triumfojnë. Është mirë që ndonjëherë ato të mos shprehen, të ruhen diku në fshehtësinë e detit siç shprehet autori, se po dolën në sipërfaqe ato humbin në detin e pafund dhe magjia e tyre fillon e zbehet gradualisht.
Ka poezi të tjera që na shprehin pasigurinë e autorit,”frikën” e tij të vazhdueshme qëtë mos mbetet vetëm në këtë botë të mjerë. Frikë që ekziston tek çdo kush por që poeti me mjeshtërinë e tij artistike ia personifikon vetes së tij. Atij i duhet patjetër një njeri fisnik pranë vetes, dhe këtij njeriu i bën thirrje të forta për të mos u larguar. Duket sikur ai e ka gjetur këtë njeri, por se nuk mundet dot ta mbajë pranë vetes, pasi ai nuk e kupton siç duhet, nuk ia kupton ndjenjat, sinqeritetin e dashurinë e tij dhe kjo gjë e bën poetin “të klithë”, ”të rënkojë” për këtë realitet të mjerë. Por do të vijë dita që ky njeri ta kuptojë dhe t`i qëndrojë pranë poetit, të paktën shpirtërisht ashtu siç ai e dëshiron. Çdo gjë e sinqertë ka shpërblimin e vet në këtë jetë. Ky mesazh shprehet qartë në vargjet: ”E di se më adhuron, e ndjej këtë në zemër, sa shumë dashuron”, te poezia “Lule vere”.
Edhe në vëllimin me proza “Sa e këndshme është jeta” që vetë titulli të intrigon, të jep shpresë dhe optimizëm për jetën. Autori të fton që edhe ti, sado pesimist të jeshë, ta shohësh jetën jo vetëm në anët e errëta të saj, por të përpiqesh të zbulosh dhe të kapësh bukuritë e saj, të cilat në të vërtetë ekzistojnë, por që ne shpesh nuk duam t`i shikojmë, pasi ne shpeshherë nuk jemi vetvetja, pasi ne shpeshherë udhëhiqemi nga ndjenjat e të tjerëve që sundojnë mbi ne. Dhe kur ti gjen forcën t`i largosh ato nga vetvetja, vetëm atëherë, ti je në gjendje të shijosh bukuritë e vërteta që mbart jeta. Ai të fton të tentosh, të mos jeshë skllav i tyre, që ato të mundin, por t`i mbizotërosh dhe kështu ti mund të ktheshë optimizmin te vetja. Bukur dhe plot ndjenjë e përshkruan autori dashurinë e vërtetë tek proza “O,sa gjallëri ka jeta”. Një përjetim i mbushur me plot figura letrare që përcjellin te ti një përkëdhelje ndjenje që gjithkush do ta kishte zili. Lum sykaltra që autori ka pasur në mendje, dhe është frymëzuar nga ajo, duke arritur kështu të krijojë një prozë kaq të ndjerë.
Por, edhe prozat e tjera nuk qëndrojnë më pas, sidomos ato që flasin për atdhetarizmin, bashkatdhetarët në mërgim, përjetimet e luftës etj. Gjëja më e spikatur dhe më me vlerë për mendimin tim në këtë libër dhe që nuk rri dot pa e përmendur është ideja shumë e mençur e autorit, ajo e gërshetimit të fjalëve të urta popullore në fillim të çdo proze me mesazhin e vetë prozës. Kjo, mendoj unë, i ka dhënë autorit vlerën e një filozofi të ndritur duke përcjellë idenë se të dish do të thotë të rimendosh idetë e fshehura të cilat janë të pranishme edhe pse të pazbuluara. Autori ka zgjedhur si mënyrë komunikimi me lexuesin bashkëbisedimin, pasi atë e sheh si parakusht shumë të rëndësishëm për konceptimit të mendimit dhe të transferimit të tij nga vetja te lexuesi. Personalisht do ta krahasoja autorin me Aristotelin, filozofin e madh të realizmit, parimet e të cilit fillojnë me objektet konkrete dhe përfundojnë me koncepte abstrakte gjë që ia rrit edhe më shumë vlerat librit, e bën më tërheqës dhe madje dhe me plot filozofi brenda tij. Në këtë libër të jepet mundësia të njohësh Sokolin e vërtetë, karakterin e këtij njeriu sa të thjeshtë dhe të madh njëkohësisht. Në të përcillet mesazhi se: Në përputhje me zgjedhjet që ne u bëjmë njerëzve ne njëkohësisht përfaqësojmë identitetin tonë. Sipas zgjedhjeve më të rëndësishme ose jo të rëndësishme e cila është individuale, mendimet shprehin përkufizimin e vetvetes. Duke u nisur nga thënia e Zhan Zhak Rusos: ”Mësues, njihe nxënësin tënd”, unë gjej rastin të falënderoj mësuesin tim, të madhin Sokol Demakun, i cili zbuloi tek unë një pjesë të fshehur të vetëdijes sime. Ishte ai që zbuloi dhe besoi në aftësitë e mia. Më mësoi të ec me këmbët e mia në një botë, ku çdo kund të shkel këmba vetëm “mina” dhe në çdo sekondë je i rrezikuar, por që me guxim mund ti kapërcesh dhe të ecësh përpara pa frikë dhe të ndihesh i lirë.
FALEMNDERIT NGA ZEMRA!