Shyrete Demaj
Ku flenë perënditë?
Ku flenë perënditë?
do shkoj t’i zgjoj
erdhi ajo ditë.
Ç’gjumë i përgjumur është ky?
Ku shpirti i fëmijëve, grave e burrave
që humbën tash 25 vjet…
thërret, bërtet, pisket.
Dhimbja e eshtrave të zhdukur
dhemb… sa shumë dhemb…
Dheun çon përpjetë
e shemb
Tërmet në shpirtat tanë
krijon e torturon
Plaga që rrjedh gjak
zemrat na mpak
Heshtja vajton
sa shumë rëndon.
Një çerek shekull
Të humbur të tretur
Ku flenë perënditë?
Do shkoj e t’i zgjoj…
TI NUK E DI
Ti nuk e di
Si asht ajo ndjesi…
Kur lisi shpresës
t’kallet shkrumb e hi
e po nat’ hi,
me i çel prap filizat e ri…
Ti nuk e di!
Çka asht’
andrrat me t’i thy si shkarpa,
e po me ato shkarpa
me ndez zjarr’n e dashnis,
përsëri…
Ti nuk e di!
Çka asht kujën
n’kang me kthy…
E me lot’t e saj me ba i’det
Dashnis prap me i dhan e jetë…
Ti nuk e di!
Çka asht durimi i krypës n’sy
e mos me piskat
se ky ishte i yti fat
Ti nuk e di!
Jo nuk e di çka asht,
kur zemrën copa copa
me e kthy në gur…
E prap prej gurit në të gjall me e kthy.
Veç për dashni…
THUAJ SE ATDHEUN E DESHTA
Merre veten në përqafim
E shueja ejtjen e shkrumuar
Askush nuk e di shkretëtirën pa fund
Sa unë që përmbyta në lumin askund
Merre veten në prehër
E knoja ninullat e Gjergjit
Krehja mendimet me krëhërin e kohës
Tregoja përrallat e shekullit
Merre veten e shkunde për fyti
Zgjoje nga gjumi i molisur
Syve shkruar liri me gjak
Gjokset e plagosur u arratisen
Merre veten dhe jepi pak frymë
Pak frymë malesh me kreshta
Shkunde lisin me degë e rrënjë
Jeho dhe thuaj se atdheun e deshta.
EJA
Muzgut sonte t`i them eja
Në gotë vere flen hareja
Tunde moj të vraftë reja
Fustan bukura nga Peja.
Eja moj ma shëro zemrën
E më ndiz shkëndijë rinie
Eja mos e le për nesër
Ti furtunë dashurie.
Eja moj përreth lumbardhit
Sjellma freskun e kalasë
Moj e bukura e Prizrenit
Se pa ty zemra më plasë.
Eja moj si zanë mali
Zbrit prej Sharri e prej Rugove
Ma kënaq syrin edhe shpirtin
Si bardhësia e kësaj bore.
Eja moj me sytë e diellit
Ma shkrij akullin e kahmotshëm
Në sytë e mi mbille gëzimin
Universit të përbotshëm.