Hamit Gurguri:Mirupafshim letrarë

Hamit Gurguri

Mirupafshim letrarë

(Festivali i XIII i poezisë ”Sofra poetike 2024” Në Borås të Suedisë)

U nisem në kohë të ndryshme të ditës e natës, udhëtuam në stinë të ndryshme të vitit, arritëm me mjete të ndryshme të udhëtimit në një shtet, të cilin shumë prej nesh as në hartë nuk e gjenim dot. Shtypja, padrejtësitë e terrori na detyruan ta lëmë atdheun, të gjallë e të vdekur, shtëpi e pasuri që krijuam me mund e djersë dhe morëm botën në sy. Basti, fati apo fatkeqësia e mërgimit na përcolli ndër shekuj, që fatkeqësisht po vazhdon edhe sot. Arritëm në Skandinavi duarthatë, me xhepa bosh, me virtyte dhe me të meta, me varrë dhe vragë në trup, në shpirt dhe në kujtesë. Bartnim traumat, përjetimet, frikën, mallin, planet, ëndrrat dhe brengën për të nesërmen tonë të pasigurtë.

Suedia, një vend imigrativ pati nevojë për njerëz. Ne, emigrantët kishim nevojë për strehim, shërim, siguri, punë dhe jetë të qetë. Në mesin e shumë profesioneve, këtu erdhën edhe poetë, shkrimtarë, artistë, piktorë, regjisorë, gazetarë dhe dashamirë të kulturës, të artit dhe të argëtimit.

Para 17 vitesh, një grup vullnetarësh entuziastë formuan Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni” në qytetin Borås (QKSH). Nismëtarët ishin Hakif Jashari, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku. Nisën me emisione në radio në gjuhën shqipe. Më vonë me gazetën “Dituria”, vazhduan tutje edhe me një kanal televiziv.

Para 13 vitesh, ishim të ftuar unë dhe Ibrahim Abedini, në kushte modeste iu bashkuam organizimit të Festivalit të Poezisë, që e emërtuam “Sofra Poetike 2024”. Me punë vullnetare, me gof e angazhim të pashoq, këtu nisën të vinin, të tuboheshin, të recitonin, të këndonin, të aktronin skeçe, të vallëzonin, të shfaqeshin me rroba kombëtare të viseve të ndryshme shqiptare dhe ligjërata të ndryshme.

Në Suedi çmohet puna, sidomos ajo vullnetare. QKSH e mbështetën shoqata kulturore, shkolla, ente shtetërore, biblioteka, drejtori të kulturës, që nga qyteti i Borosit, Goteborgut (që para pak vitesh të dy qytetet festuan 400 vjetorin e themelimit të tyre) dhe deri në Akademinë e Shkencave të Suedisë.

Pata nderin që edhe unë të kyçem me këta entuziastë, ani se vonë dhe kontribuova më së paku. Më ofruan të bëhem kryetar i QKSH, si më parë edhe disa shoqata, por nuk isha i interesuar për pozitë. Më caktuan kryetar nderi, që pranova, por vetëm për një vjet. Më caktuan që t’i hapi festivalet tona, çka bëra për trembëdhjetë vjet. Ky, i XIII ishte i fundit për mua. Le ta merre mbi supe barrën brezi më i ri, me më shumë energji, më me vrull dhe me ide më bashkëkohore në afirmimin e kulturës shqiptare.

Që 13 vjet, në pranverë, nga ky qytet jehon zëri i poezisë shqipe, kumbon muzika shqiptare, luhet vallja shqipe, brohorisin e lozin fëmijtë shqiptarë, dalin në skenë para publikut vendës dhe vizitorëve me rroba tradicionale shqiptare, duke krijuar miq, adhurues e duke afirmuar kulturën tonë të lashtë.

Sivjet patëm pjesëmarrës nga Anglia, Norvegjia, Gjermania, Shqipëria, Maqedonia, Kosova e tjera.

Punimet e poetëve pjesëmarrës në Antologjinë tonë ishin të botuara në 18 gjuhë, gjë që na bëri Festivalin tonë të fitojë emërtimin ndërkombëtar. Pjesëmarrësit i lexuan punimet e tyre në disa gjuhë. Në ditën e dytë u përuruan dhjetë tituj librash (me poezi, prozë, jetëshkrime dhe romane).

U përpoqëm t’iu ofrojmë vendosje, transport, ushqime, lokale të prezantimit kulturor dhe ndeja sa më të afërme, më të ngrohta, të përshtatshme dhe të rehatshme për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët e gjallëruan, e begatuan, e forcuan dhe e vulosën edhe këtë Festival të bukur të poezisë shqiptare.