Shkruan Viron KONA
Porositë e zemrës
Duke lexuar vëllimin poetik të Sokol Demakut “Zëri i këngës sate.”, i cili sapoi ka dalë nga shtypi në botim të Shtëpisë botuese Shoqata”S.D”Shtëia botuese nga Borås i Suedisë e në përkujdesjen teknike dhe shtypjen të Lena Graphic Prishtinë, në 87 faqë me poezi të zgjedhura.
“Sa më ka marrë malli,
Sa shumë e ndjej,
Largësinë nga Ti,
I dashur atdhe…
Poezia e Sokol Demakut vërshon pareshtur duke qenë e lidhur ngushtësisht me jetën dhe veprimtarinë e tij letrare e artistike, me shoqërinë dhe atdheun, me arritjet dhe vlerat më të mira, e ku ai veçohet si një personalitet me karakter të fortë e të palëkundur, me guxim krijues, por dhe si një luftëtar që mbron të drejtën dhe të vërtetën, si njëri që ngre kudo ura miqësie. Sokoli e prezanton dukshëm veprimtarinë dhe karakterin e tij krijues me vepra të shkruara nga ai vet, letrare, artistike, publicistike, përkthime, por dhe duke qenë në krye të organizimeve të festivaleve letrare, artistike, folklorike, duke binjakëzuar shkolla dhe biblioteka, duke organizuar tubime festive, përurime librash, ekspozita, ekspedita kulturore…
Sokol Demaku, misionar i kulturës, arsimit dhe i letërsisë
Sokol Demakun e takon, sa në qytetin suedez Boras, ku ai jeton familjarisht e ku zhvillon një veprimtari të dendur dhe të gjithanshme letrare, poetike, folklorike, publicistike, tradicionale etj. por e takon edhe në qytetet suedeze Stokholm, Goteborg, Malmë dhe në shumë nga veprimtaritë më të spikatura që zhvillojnë shoqatat shqiptare kulturore, arsimore, artistike, letrare dhe folklorike të Suedisë, teksa ai është edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë. Sokoli nuk mjaftohet asnjëherë me kaq, ai syrin dhe shpirtin e ka gjithnjë në Kosovën e tij të dashur, së cilës i kushton vazhdimisht vepra poetike, libra të veçantë artistikë dhe publicistikë, por atë e takon dendur edhe në Shqipëri, ku ka kontribute të mëdha në fushat e arsimit, të binjakëzimit të shkollave, të kulturës, artit, letërsisë dhe të përkthimeve, sikurse e takon atë në ekspedita me shkrimtarë suedezë e shqiptaro-suedezë, që janë aktivë në veprimtaritë kulturore e letrare në Kosovë e Shqipëri, por dhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, tek ata në Mal të Zi, te shqiptarët e Greqisë dhe Italisë…Sokol Demaku është i kudogjendur dhe kurdoherë spikat me fjalën e ngrohtë, me zërin melodik, me theksin drenicas, si poet, si romancier e publicist dhe, dukshëm ai sot është shumë i njohur edhe si edhe si përkthyes. Në gjithçka bën e vepron Sokol Demaku e ka ta pandarë dhe bashkëshoqërues vargun e bukur dhe të ndjerë poetik, nëpërmjet të cilit ai shpreh mesazhe të shumta dhe me vlerë, ide dhe mendime të përparuara për të vërtetat e jetës. Gjithçka e dalë prej mendjes së tij krijuese është e freskët, e sinqertë dhe e zbukuruar me talentin e tij poetik.
Dëshiroj të them se poezia e Demakut më ngjason me një det të kaltër dhe të pastër, herë të qetë, që shndritë nga rrezet e ngrohta të diellit dhe herë me dallgë e stuhi, teksa “kapiten” poet manovron me guxim “anijen” e tij artistike. Nëpërmjet vargjeve, ai përhap vazhdimisht mirësi, paqe, bukuri, ndjenja të thella e të pastra njerëzore, përhap dashuri dhe harmoni mes njerëzve dhe brezave, duke qenë përherë një misionar i letërsisë, i arsimit dhe i kulturës.
Poet me zë kumbues
Kësaj here Sokoli i paraqitet lexuesit me një përmbledhje poetike, ku rindez zjarre krijuese në vargjet e tij të ndjerë, të freskët dhe me aromë njerëzore, me dashuri dhe sinqeritet, me vargje të stolisur natyrshëm me një figuracion poetik, duke na sjellë në përfytyrim momente të bukura jetësore, që herë na drithërojnë me bukurinë, freskinë dhe brishtësinë e tyre dhe herë na vënë në mendime shprehëse teksa ne ndjejmë e përfitojmë mesazhe për jetën dhe ardhmërinë. Edhe në këtë vëllim spikatin dukshëm vlera të thella njerëzore: sinqeriteti, dëlirësia dhe ndershmëria, nderimi dhe dashuria për atdheun dhe të bukurën, lirinë, të drejtën dhe të vërtetën.
Në poezinë “Një natë e qetë”, poeti duket se zbërthehen motivet dhe dëshirat e tij për jetën, që shprehen në ëndrrat për të ardhmen, të pashkëputura këto nga malli për vendlindjen, e cila për poetin është gjithçka, ndaj dhe i kushton vargjet më të bukura të dala nga zemra e tij e pastër. Poeti i drejtohet pëllumbit krah larmë, që fluturon në gjithësi dhe e porosit: “Dua të rrugëtosh,/Fushë e male të kalosh,/Shumë të fala vendlindjes t ‘mi çosh,/ Zemrën time ta qetësosh./Shko pra fluturim në këtë rrugëtim,/Merr me vete mallin tim,/Shko gjej sytë e shkruar,/Ata të qetësosh,/Porosinë e zemrës sime,/Atyre t`u dërgosh”.
Demaku është poet me shpirt të lirë dhe kjo e bën atë më të përkushtuar dhe më besimplotë për jetën, për të ardhmen, për të bukurën, për gjithçka të mirë dhe të përparuar. Me poezinë “Pulëbardha” ai personifikon lirinë, e konsideron pulëbardhën si një simbol të pastër e pa cene, të ndritshme dhe paqësore, ai e simpatizon këtë shpend të bukur detar, që përshkon kaltërsitë e qiellit dhe të detit, teksa përshkrimi i tij poetik e plot figura sikur ngjason me një peizazh plot ngjyra ylberiane: “Një pulëbardhë, /Sa bukur fluturon, /E hijeshon qiellin, /Jetën zbukuron. /E thurë këngën, /Melodi krijon…”.
Shfaqet e veçantë dhe origjinale poezia “Çka bëjnë poetët?”, ku autori sikur kërkon të bashkëbisedojë me lexuesit dhe me kolegët e tij, si për të rrëfyer sekretet e brendshme, të pathënat dhe të pashprehurat e poetëve kur ata krijojnë poezinë, çfarë janë ato shtysa të zjarrta brenda qenies, brenda shpirtit të poetit, që e frymëzojnë, e nxitin, e bëjnë që një çast të lërë gjithçka tjetër dhe të nis e të derdh në letër vargje zemre dhe shpirti, energji që i burojnë si pa kuptuar dhe shprehin një botë të madhe e të padukshme, por shumë të ndjerë, emocionale dhe me shumë gjallëri e jetë. Poeti shkruan:” Shpeshherë i bëj pyetje vetës:/Kush ka forcën,/dhe pushtetin,/të ruaj rimën në poezi?/Kush është ai, që të fton në argumentim?/Kush krijon kujtimet,/kush shprehë ndjenjat,/kush hap zemrat,/kush krijon ura,/ e dashuri?…
Shpresës t`i japim jetë
Mendoj se është nga poezitë e përzgjedhura poezia “Trumcaku i vogël”, një poezi që të mbërthen pas vetes dhe të bën të meditosh thellë për jetën, por edhe të kuptosh shpirtin dhe brengën e madhe që ka poeti, të cilën e shpreh përmes metaforave, gjuhës së thellë poetike dhe emocioneve. Më bëhet se për disa çaste poeti e krahason gjendjen e tij të brendshme shpirtërore me një trumcak të vogël, në një peizazh dimëror, që, teksa fluturon në ajrin e ftohtë dhe çukit dëborën për mbijetesë, ai sikur gjen forca dhe këndon mbase brengat, hallet e tij, duke kërkuara brenda vetes energji për të përballuar jetën e vështirë që ka përpara. Nga ana tjetër, duke bashkëbiseduar në mënyrë figurative me zogun e bukur të dëborës, poeti, duke treguar shpirtin e tij të ndritur e fton zogun pranë vetes: “Eja trumcak derën ke hapur,/Hyrë në këtë vatër,/Më bëj shoqëri, jetën mos ta kaloj vetëm./Trumcak i vogël mos u brengos,/Ke krahët e lehtë,/Shpëtim për jetë,/Do fluturosh atje ku ka shpresë e jetë./Më merr dhe mua, ka kohë të pres,/Më dërgo dhe mua atje ku ka shpresë,/ Të këndojmë së bashku,/Shpresës t`i japim jetë”.
“Arti i zemrës”, është një poezi e thjeshtë në dukje, por që shpreh sekretin e vlerave të thella njerëzore, ato vlera, ndjenja, mendime dhe emocione që përbëjnë artin e vërtetë, i cili nuk bëhet as me porosi, as thjesht duke u ulur dhe duke shprehur disa mendime në vargje, por duke shkruar jo me “gjuhën” e lapsit dhe të makinës së shkrimi, por me “gjuhën” e padukshme të zemrës e për të cilën autori shkruan edhe vargjet në vazhdim: “Mos u mundoni ta ndaloni, /lejojeni të shprehet,/dhe le të flasë,/ zemra,/se ajo ka art”.
Poezi me karakter filozofik
Te poezia “Nata” poeti shpreh mendimin e tij artistik për të keqen dhe ligësinë që përfaqëson nata, teksa lexuesi endet në mendime dhe meditime, duke nënkuptuar me natën, errësirën në gjithçka, errësirë në jetë, errësirë në arsim, kulturë dhe dije, errësirë në ndjenja, errësirën që pengon dritën dhe gjithë bukuritë e kësaj jete e kësaj bote, pengon dëshirat, motivet, pasionet, dashurinë, bukurinë, gëzimin, entuziazmin. Poeti shkruan : “…Errësira dëshmi nuk jep,/Asaj nuk mund t`i zësh besë,/Se është e pamëshirshme në jetë.”
Ka një koncept filozofik e jetësor poezia “Mbrëmja në mërgim”, ku krahas një përshkrimi të bukur, poeti shpreh ndjenjat e tij të trazuara gjatë një mbrëmje në qytetin ku ai ka mërguar, e ku duke qenë larg vendlindjes dhe atdheut të tij të dashur, gjithçka i duket e zymtë, edhe dritat janë të zymta, edhe njerëzit i duken krejt ndryshe, edhe nata nuk është natë, edhe dita është më e shkurtër se në qytetin e tij, madje për shkak të një gjendjeje ndonjëherë dëshpëruese, ai e krahason natën me kuçedrën, që përpin çdo gjë, teksa vijon në mënyrë filozofike: “ Kështu është kur je,/ Atje ku nuk duhet të jesh,/ Kështu është aty ku nuk je,/ Dhe nuk e di pse je,/Kjo është mbrëmje me flladin e lehtë,/ Por jo nuk është,/ Sepse këtu ka tjetër jetë”.
Kur të mungon atdheu
Atdhedashuria është një temë që poeti e shfaq në shumë poezi, gjithnjë me mënyra dhe nuanca të reja, madje të panumërta dhe të pambarueshme, sepse duke e pasur atdheun vazhdimisht në mendje, në shpirt dhe në zemër prodhon pareshtur për të mall dhe dashuri pambarim. Te poezia “Sa më ka marrë malli! ” ai shprehet edhe me vargje të tilla: “Sa më ka marrë malli,/Sa shumë e ndjej,/Largësinë nga Ti,/I dashur atdhe…/Sa më ka marrë malli,/Shpirti po lëngon,/Njerëzit e zemrës,/Ai tani kërkon”. Për poetin, atdheu është i shenjtë dhe i pazëvendësueshëm, ai është gjithçka, prandaj dhe poeti ndihet deri i zbrazët në shpirt pa atdheun pranë. Ai shkruan: “Sa më ka marrë malli, /Sa shumë e ndjej, /Zbrazëtinë në shpirt, /Për Ty atdhe”.
Edhe te poezia e ndjerë “Nënëlokja”, poeti ndalet përsëri tek atdheu dhe te vlerat e tij të shenjta e deri hyjnore, ndërsa në mënyrë figurative ai e krahason atdheun me “Nënëloken”, një figurë kjo reale dhe simbolike e mëmëdheut. Poeti e vlerëson nënëloken me të gjitha ngjyrat e dashura dhe të mundshme, me të gjithë dashurinë dhe ëmbëlsinë që ka brenda vetes, sepse nënëlokja përfaqëson vendin ku ai lindi dhe u rrit me ëndrrat, dëshirat, pasionet dhe mundimet e tij, por është edhe nënëlokja nënë, e cila e lindi dhe e mëkoi me qumështin e saj të bardhë arbëror, që i dha bukuri dhe shpirtmadhësi, që e bëri njeri me nder dhe me dinjitet, njeri me dije dhe kulturë, atdhetarë të flakët, teksa vlerat dhe kujtimin e prindërve të tij, jo vetme nuk i harron, por kujtimet dhe vlerat e tyre i përcjellë tek fëmijët e tij, tek brezat e ardhshëm. Poeti shkruan: “Shekujt e stepen, vitet e mjeruan, /Por Nënëlokja nuk u dorëzua! /Rrudhat në ballë i vijëzohen çdo ditë, /Tregojnë vuajtjet, mjerimin e pashpirt. /Stuhitë e kohës u sulën pa mëshirë,/Ta zhbijnë Nënëloken nga faqja e dheut. /E fortë, krenare me shpirt çelik. /Nënëlokja qëndron me ballin fisnik. /Bijtë e saj, bijtë e shqipes, /Radhisin fitoret dita – ditës”.
Poezi optimiste
Te poezia “Rrezja e diellit”, poeti shprehet me optimizëm dhe në mënyrë figurative për jetën dhe të ardhmen, ai beson tek ajo, te shkëlqimi dhe vezullimi i saj, që përhap dritë dhe hijeshon e begaton shpirtin e tij krijues. Është kjo dritë frymëzuese e dalë nga dielli jetëdhënës, ky “zot” i fuqishëm i jetës, i cili i jep këtë besim dhe këto energji. Poeti shkruan: “Një udhëtim i largët,/Në jetën e trazuar,/ Unë gjej në horizont,/Krijimet e reja,/Fjalët e reja,/Ndjenjat e reja./Duke notuar në ujërat e panjohura,/Me shpirtin e trazuar,/Me klishe nënë gjuhë,/Me shpirtin trazuar,/Zemrën e lënduar./Por ja rrezja e diellit,/ Nga larg vezullon,/ E ndjejë në shpirt,/ Se rrugën ma lehtëson”.
Në përfundim të këtij artikulli, nënvizoj se kontributet dhe ndihmesat reale e plot vlera që jep poeti Sokol Demaku në letërsinë e shkruar suedeze e shqiptare, janë të atilla që e lartësojnë emrin e tij, e bëjnë të njohur dhe të dashur. Me tipin, karakterin, temperamentin dhe personalitetin e tij Sokol Demaku ngjall përpara nesh respekt dhe konsideratë të lart, si për vlerat që përmendëm, ashtu dhe për faktin se ai përhap atje ku jeton dhe kudo ku shkon, mirësi e dashuri, dritë dhe përparim.