Elvira Zeneli
EJA TA SHUAJMË KËTË URI!
Gjithnjë më thoje se çudia në buzë
Të shfaqet si nur
Që përshkëndrit një femër si unë
Në kërkim të një mashkull si ti!
Edhe pse e zënë në çark,
Unë jam drenusha
Në kërkim të një dreri
Që dua ta plagos pa e vrarë
E pastaj ta shëroj vetë!
Nuri i buzëve të mia të përvëlon
Në agimet e mëngjeseve
Kur liria kërkon skuta të panjohura
Te një femër si unë
Që telat e pendimit i këput pafund!
Mos e kërko një femër si unë
Që të ndjek
E të persekuton
E të shkund!
Se një femër si unë
Të lë të shkosh,
Të lë të vish
E më pas të dënon me dashuri të përjetshme!
Kthehu, mall i shpirtit,
Lëre këtë dashuri të rrjedhë sipas gravitetit,
E marrtë djalli një femër si unë,
Djalli e hëngërt një mashkull si ti!
Eja, të lutem,
Ta shuajmë këtë uri
Që mes nesh është ngritur
Si lubi!