Prend BUZHALA : PERSPEKTIVAT E LEXIMIT  KRITIKO-LETRAR 

Prend BUZHALA 

PERSPEKTIVAT E LEXIMIT  KRITIKO-LETRAR 

(Fazli FERATI: LETËRSIA SI PASION – Vështrime letrare për autorë dhe vepra,  

Lena Graphic, Prishtinë, 2024) 

Fazli Ferati, deri më tash, është dalluar s autor i disa librave poetikë, i një vëllimi me drama për fëmijë dhe i një tjetri me anekdota. Duke qenë edhe recensues e redaktor i një numri të konsiderueshëm veprash të disa autorëve të sotëm,  ai i ka përcjellë këto vepra edhe me recensione e vështrime kritiko-letrare. Kështu, kësaj radhe, këto shkrime dhe disa të tjera, ai  ka përmbledhur te një vëllim i veçantë me titullin “Letërsia si pasion”. Meqë letërsia është një art dhe dije  që përfshin krijimin dhe studimin e veprave të shkrimtarëve, ajo përfshin një gamë të gjerë formash dhe stilesh, poezi, prozë, dramë, kritikë, studime dhe ese.  

  1. Pasioni për krijim dhe lexim 

Duke e titulluar kësisoj këtë libër, na dëfton se letërsia është edhe një pasion që përshkon shpirtin e shkrimtarëve dhe lexuesve, duke krijuar një lidhje të thellë me botën dhe veten, se letërsia, si një formë e artit dhe një medium shprehjeje, përfaqëson një pasion të thellë, se ky pasion ndikon në krijimin dhe vlerësimin e veprave letrare. Ky pasion për krijim  buron nga një dëshirë për t’i shprehur përvojat personale, idetë e thella dhe ndjesitë e forta. Një shkrimtar që është i apasionuar pas letërsisë ndikon thellësisht në mënyrën se si i krijon veprat e tij. Ai investon jo vetëm aftësitë e tij të procedimit letrar, por edhe zemrën dhe shpirtin në çdo fjali, në çdo karakter dhe çdo ngjarje që krijon.  

Që në emërtimin e librit, te emërtimet e cikleve apo të ndonjë vështrimi kritik, shqiptohen kryefjalët e fjalësisë kritike të qasjeve letërsi dhe pason: “Poezia si pasion (Nga poezia e sotme shqipe)” (cikli  dytë) apo “Poezia si pasion që theu heshtjen” (vështrim për librin me poezi “Gjurmë” të Bali Haxhiut). Kur bën fjalë për poezinë për fëmijë të Edonesa Malokut, vështrimin e hap me këtë konstatim: “Edonesa Maloku ka pasion leximin e veprave letrare të autorëve tanë e atyre botëror, e cila me një mendjemprehtësi interpreton dhe analizon tematikën e tyre.” Apo për  një tjetër poete: “Antigona Desku përmes poezisë që e shoqëron në çdo hap të jetës, sikur iu ka bërë pasion, pa të cilën jeta do t’i dukej shumë e varfër.” Pasioni për letërsinë është një përkushtim ndaj artit dhe një dëshirë për të gjurmuar dhe për të pasur një kuptim më të thellë rreth natyrës njerëzore dhe botës që na rrethon. Duke qenë edhe vetë në cilësinë e një lexues të tillë, Fazli Ferati e sheh këtë lexim si një proces që ndikon në mënyrën si këta krijues letrarë e perceptojnë botën dhe e kuptojnë vetveten.  Vetë kritika  është një lexim letrar. Lexuesit dhe kritikët letrarë kanë dëshirë që të zbulojnë dhe kuptojnë më shumë, të ndjejnë dhe reflektojnë në mënyrë më të thellë mbi jetën dhe përvojat e tyre.  Letërsia nuk është vetëm një pasion individual; ajo ka gjithashtu një rol të rëndësishëm në shoqëri.  

Pasioni për letërsinë në këtë kontekst është një pasion për të krijuar një ndikim dhe për të ndihmuar në formësimin e botës në mënyra të ndryshme, është një forcë thelbësore që nxit shkrimtarët dhe poetët në procesin e tyre artistik.  

  1. Tema e motive të pasura të poezisë për fëmijë  

Kësisoj, edhe libri i Fazliut i shpërfaq këto pasione për krijimtari si një trajtë për t’i shprehur këto ndjenja dhe për t’i trajtuar përvojat e tyre në mënyrë që ato të mund të ndahen me të tjerët. Libri ndahet në tri pjesë. Te pjesa e parë “Ligjërimi poetik për fëmijë (Nga letërsia për fëmijë)”, shkruan për veprat poetike për fëmijë të autorëve Edonesa Maloku, Ismet Tahiraj, Bali Haxhiu dhe Gjon Gjergjaj. 

Edonesa Maloku ka një pasion të thellë për leximin e veprave letrare. Ky pasion shprehet në mënyrën se si ajo i qaset krijimit poetik dhe në përkushtimin e saj për të analizuar dhe interpretuar tematikën e këtyre veprave. Rrënjët e saj në një familje atdhetare i japin një dimension të veçantë krijimtarisë së saj, duke reflektuar ndjeshmërinë dhe përkushtimin ndaj atdheut dhe vlerave kombëtare. Autori thekson se Edonesa Maloku hyn në botën e poezisë me një kombinim të modestisë dhe talentit, që është evident në stilin e saj poetik. Poezitë e saj përmbajnë kolorit, muzikalitet dhe rimë që janë shprehur me mjeshtëri.  

Për Ismet Tahirajn dhe poezinë e tij te vepra “Zjarri i Kaçakëve,” Fazl Ferati konstaton se poeti përdor një gjuhë të pasur dhe figurative për të përshkruar sakrificat e kaçakëve në mbrojtje të atdheut. Poezia është një pasqyrë e vështirësive që ata përjetuan, duke ndihmuar lexuesin të ndjejë dhe të kuptojë jetën e tyre të mbushur me sakrifica dhe përpjekje. Përmes imazheve si “nën qiellin e hapur” dhe “zjarret e ndezura,” Tahiraj krijon një atmosferë të dukshme dhe të prekshme të asaj periudhe të vështirë. Vargjet e tij janë të mbushura me detaje të gjalla dhe të ndjeshme që ndihmojnë në krijimin e një ambienti të ngrohtë dhe të njohur për lexuesin. Veçohen poezitë “Gjallica” dhe “Kukësi” që janë të mbushura me ndjenja të thella për traditat dhe virtytet njerëzore, si mikpritja dhe bujaria, paraqet një lidhje të ngushtë me historinë dhe kulturën shqiptare. Sipas autorit F. Ferati, poezia e Bali Haxhiut te “Gjyshi më tha” është një shembull i krijimit të poezisë për fëmijë që përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të përçuar mesazhe edukative dhe pozitive. Haxhiu, përmes vargjeve të tij, hy në botën e fëmijëve dhe shpreh emocionet e tij përmes përshkrimeve të këndshme dhe tërheqëse që lidhen me jetën e përditshme të fëmijëve. Vargjet janë të mbushura me energji pozitive dhe këshilla për fëmijët, si në rastin e “Kur zgjedhni detyrat,” ku nxënësit inkurajohen të përmbushin detyrat e tyre dhe të marrin pjesë aktive në mësim. Në “Gjyshi më tha” dhe “Gjyshja,” Haxhiu shpreh respektin dhe dashurinë për gjyshin dhe gjyshen, duke u fokusuar në vlerat e trashëgimisë dhe familjes.  

Në përgjithësi, të dy poetët, Ismet Tahiraj dhe Bali Haxhiu, përdorin një gjuhë të pasur dhe artistike për të përçuar mesazhe të rëndësishme dhe për të ndihmuar në zhvillimin e mendjes dhe shpirtit të lexuesve të tyre, qofshin ata të rinj apo të rritur. 

Për Gjon Gjergjajn pohon se është një emër i njohur në letërsinë për fëmijë. Libri “Puthjet janë akullore” ofron një botë të ngrohtë dhe të ëmbël për fëmijët. Vepra e tij është një testament i përkushtimit të tij ndaj këtij zhanri dhe ndaj zhvillimit të botës së fëmijëve përmes letërsisë. Poezia e titulluar “Puthjet janë akullore” është një shembull i bukur i thjeshtësisë dhe elegancës që e karakterizon stilin e Gjergjajt. Në këtë poezi, Gjergjaj përdor metaforën e “puthjeve akullore” për t’i përshkruar ndjenjat e dashurisë dhe ngrohtësisë, duke u lidhur me ndjenjat e lumturisë dhe kënaqësisë që mund të ndiejë një fëmijë. Sipas Feratit, Gjon Gjergjaj ka një aftësi të jashtëzakonshme për të thurur vargje që janë të përshtatshme për moshën e fëmijëve, duke përdorur një stil të qartë dhe të kuptueshëm që ndihmon në zhvillimin e dashurisë për letërsinë dhe gjuhën shqipe.  

Fazli Ferati nuk pretendon të tërheqë vijat karakterizuese e procedimore midis modernitetit e tradicionales në shprehjen letrare për fëmijë, por vlerëson veçantitë krijuese të këtyre vëllimeve poetike. Flet për rolin edukues e arsimor të këtyre veprave, për temat, motivet e idetë që i përshkojnë ato. Meqë i ndan në cikle punimet e këtij libri, kjo do të thotë se ky autor e bën dallimin e qartë midis letërsisë për fëmijë dhe letërsisë për të rritur. Është një temë e ndjeshme, për të cilën është folur mjaft deri më tash e mund të flitet për një kohë të gjatë. Kush i përcakton këta kufij ndarës? Meqë Fazli Ferati ka qenë mësimdhënës i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollat tona fillore, ai është marrë me letërsinë në disa aspekte të saj: si lexues e interpretues i krijimeve në procesin mësimor dhe si pedagog që është marrë me fëmijët si lexues. Sado që përgjithësisht ka një anashkalim të kësaj letërsie, megjithatë ndër autorë që e njohin legjitimitetin krijues të kësaj letërsie, e dëshmon edhe Fazliu me këto vlerësime.  

  1. Qasjet kritike ndaj poezisë për të rritur

Mirëpo, ajo që është kryesore, një letërsi e ndan është një kriter tjetër: vlerat artistike.  

Pjesa e dytë e këtij vëllimi “Poezia si pasion (Nga poezia e sotme shqipe)” po ashtu janë recensione të autorit për disa libra të botuar kohëve të fundit.:  

  – (Bali Haxhiu: “Gjurmë”, poezi, Lena Graphic, Prishtinë 2022), 

 – (Xhemajli Shala: “Më Duaj ashtu si jam’’, Poezi, Lena Graphic, Prishtinë, 2021), 

 –  (Fatime Kalimashi: “Kosova në sytë e mi”, poezi, Lena, Prishtinë 2022),  

 –  (Ismet Krasniqi – LALA ‘’Uratë drejt qiellit’’ , Lena Graphic, Prishtinë 2023),  

 – (Antigona Desku ‘’Dritë në mes të errësirës’’, Lena Graphic, Prishtinë 2024) dhe  

 – Idriz Berisha-Xhixhi: Vlarët e bardhë, poezi, Lena Graphic, Prishtinë 2024.  

Janë gjashtë vështrime kritiko-letrare për gjashtë vepra poetike. Qasjet kritike përfshijnë një varg konvencash kritiko-letrare më shumë të karakterit interpretues. Nuk është e habitshme që, duke vlerësuar autorë e vepra, nuk  shmanget as intenstetit emocional të leximit, ndërkohë që autori e zvogëlon këtë intensitetin të të menduarit kritik e vlerësues, aty ku është e nevojshme, për të përsiatur në mënyrë racionale.  

Interpretimi i poezisë së Bali Haxhiut përmbledh një analizë të temave dhe stilistikës së poetit. Poeti, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ka zgjedhur të shfaqë përvojat e tij jetësore përmes një përmbledhjeje të pasur poetike.  Dashuria dhe dhimbja, patriotizmi dhe lufta kurbeti dhe migrimi, janë punktet interpretuese e tematike që, sipas F. Feratit e karakterizojnë këtë libër. Poezitë e Haxhiut janë shpesh narrative dhe pasqyrojnë përvojat personale dhe ndjenjat e tij për jetën dhe historinë. Ai përdor një stil të drejtpërdrejtë dhe emocional që e bën leximin e poezive shumë të prekshëm dhe të kuptueshëm.  

Në interpretimin e poezisë së Xhemajli Shalës, poeti prezantohet si një mendimtar që përmes fjalës krijon një pasqyrë të jetës dhe realitetit të përditshëm. Poezia e tij është një reflektim i ndjenjave dhe përjetimeve të tij personale. Përshkrimi i realitetit dhe nostalgjia, mallëngjimi dhe kërkimi për identitet, dashuria dhe besimi, ironia dhe kritika sociale, janë disa pikëvështrime interesante për poezinë e Xhemajli Shalës.  

Për vëllimin poetik të Fatime Kalimashit, “Kosova në sytë e mi”, Fazli Ferati ballafaqohet me një përmbledhje  poezish që veçohet për lirikat e saj të dashurisë universale dhe për ndjenjat e thella që i transmeton. Shkrimi kritik veçon këto këndvështrime te kjo poezi, siç janë: dashuria si temë kryesore, dashuria për atdheun dhe familjen, tema e mërgimit dhe vetmisë, tematika e barazisë dhe respektit dhe tematika e thjeshtësisë dhe madhështisë së femrës shqiptare.  

Kur flet për librin poetik “Uratë drejt qiellit” të Ismet Krasniqit, vëren vargjet përkushtuese që u janë dedikuar figurave që kanë lënë gjurmë të thella në jetën nacionale e historike  dhe në kulturën shqiptare. Ky vëllim poetik shpreh respektin dhe mirënjohjen për ata që kanë kontribuar në pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike. Një tjetër element i rëndësishëm i librit është nderimi për rapsodët dhe artistët që kanë kontribuar në kultivimin e folklorit shqiptar. Antigona Desku, në librin e saj poetik “Dritë në mes të errësirës”, përdor fjalën poetike për të shprehur pasionin e saj dhe për të paraqitur përjetimet e jetës së saj. Poezia e saj është një reflektim i thellë mbi emocione, dhimbje dhe gëzim, duke nxjerrë në pah përvojat e saj personale dhe ngjarjet që i kanë formuar jetën.  

Cikli i fundit “Krijues e studiues letrar i mirëfilltë (Për disa vepra të Prend Buzhalës)”, merr në shqyrtim romanin “Një buzëqeshje përtej varrit”, vëllimin me tregime “Sizifi pa gurin e tij”, studimin monografik “E bukura ka vetëm një emër” (Osman R. Gashi, në arte dhe kulturë)” dhe “Perënditë vdesin për lule”, tregime me pak fjalë.  

  1. Modeli leximit

Në fund po theksojmë se autor ka modelin e tij të leximit, ka parasysh edhe kategorinë e lexuesit, të një lexuesi si pjesëmarrës aktiv në procesin e leximit; do të thoshim, të modeleve kohore të leximit. Në këto modele ekziston diçka që është thelb e vlerë e amshueshme, sikundër këto shqiptohen si proces krijues i bërjes së librit. Do të thotë se edhe ky libër pikësynon bindjen se duhet të përfitojë lexuesi.  

Libri i lexuar na ofron vetëm një paraqitje të pjesshme, sepse teksti mbetet i hapur dhe sepse gjithnjë fillon nga një perspektivë e caktuar. Në këtë mënyrë, leximi transformohet në një botë të re dhe bëhet një ndërmjetësues për të zbuluar realitete të reja. Kjo qasje është një kërkesë e kritikës së leximit për të krijuar transformime të reja, jo vetëm të tekstit, por edhe të vetvetes dhe të botës që na rrethon. Kështu, leximi shndërrohet në një proces aktiv dhe krijues, duke na ftuar të rishikojmë dhe të ripërcaktojmë realitetet tona përmes një perspektive të re çdo herë që lexojmë.