V.Korcari Muka: “Primordial Passion”,   është një masterpiece, një orë dore e prodhuar për herë të parë në Shqipëri nga inxhinieri artist Pirro Ruço

V.Korcari Muka

“Primordial Passion”,   është një masterpiece, një orë dore e prodhuar për herë të parë në Shqipëri nga inxhinieri artist Pirro Ruço.

Ju falenderoj, inxhinier Pirro Ruço, për besimin që më dhatë mua dhe gjithë emigrantëve që në Shqipëri jo vetëm jetohet, por punohet dhe fitohet me djersë!

Pak kohë ka kaluar që nga momenti kur Kanadaja, Meksika dhe Amerika vëzhguan eklipsin e plotë të diellit më 8 prill 2024. Pa kaluar as tre muaj, ndodh një ngjarje tjetër: krijimi i një orë dore shumë të sofistikuar në ide, materiale dhe punë shumë të imët, pothuajse mikroskopike, në Shqipëri. Por, ndryshe nga eklipsi diellor apo hënor, kjo ngjarje eklipsoi gjithë shqiptarët. Dhe jo në qiell, jo në lidhje me planetet, diellin apo hënën, por me orën “Pasioni Primordial”, të prodhuar nga duararti inxhinier Pirro Ruço.

Cilësitë e njeriut nuk përcaktohen nga rrjedhshmëria e të folurit, nga rrobat e shtrenjta, nga pasuria apo nga stili modern i jetesës. Personaliteti i tij merr vlerë nga numri i buzëqeshjeve që ai sjell dhe sa bën të tjerët të lumtur. Këto ditë, inxhinieri mekanik Pirro Ruço, në Tiranë ka bërë shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit të mahniten dhe të gëzohen për suksesin e tij të pashmangshëm në realizimin e një ore dore të veçantë. Jo vetëm kaq, ajo është një orë floriri unike, ku artisti Pirro ka derdhur gjithë talentin e tij; të gjitha pjesët dhe komponentët, të punuar deri në detajet më të imëta, janë ideuar dhe prodhuar nga vetë ai, mjeshtri i duarve të arta, për atë orë të artë.

Pra, ndonjëherë historia përsëritet. Ndoshta është emri i njëjtë që mbante Pirro i Epirit, që i dha Pirros së ditëve tona frymëzimin për të ndërtuar këtë orë dore, unike në të gjithë botën. Ai punoi gati për 5 vite për të arritur këtë sukses dhe për të marrë patentën e merituar. Me këtë arritje të tij të suksesshme, unë do ta vendosja emrin e tij në një podium të lartë, krahas fituesve të medaljeve të arta në Olimpiadën Botërore. Do ta rendisja si ambasadorin e parë shqiptar në botë, i cili me mundin, talentin, inteligjencën dhe patriotizmin e tij, arriti që ora e tij të konkurrojë denjësisht ne Gjeneve me 13 Nentor 2024, me disa nga orët më të njohura e të shtrenjta botërore, të firmave me përvojë të gjatë dhe emër të madh, në ambientet moderne e bashkëkohore të prodhimit të tyre dhe të kufizuara shumë në numër.

Arritjen e Pirros do ta rendisja ndër veprat kryesore botërore masterpiece që kanë hyrë në histori dhe që jetojnë gjatë, duke bërë kështu që ora e Pirros të mbetet në breza. Emrin e tij do ta vendosja krahas Beethoven-it, Vincent van Gogh-ut, apo klasikëve rusë. Ndërsa Pirro i Epirit ka hyrë në histori me betejat dhe trimëritë e tij, ku shprehja “fitorja e Pirros” nënkupton një fitore me sakrifica të mëdha, për Pirro Ruçin sot ka hyrë në historinë e Shqipërisë e më tej. Ora e Pirros ose “Pasioni Primordial” është një dëshmi e përkushtimit dhe talentit të tij.

Pirroja lindi dhe fëmijërinë e tij e kaloi në Kuçovë, dikur (Qyteti Stalin), një qytet i vogël por me histori të naftës, ku për herë të parë shoqëria italiane AIPA filloi kërkimin e vendburimeve të naftës dhe nxjerrjen e saj. I vogël ishte qyteti ku Pirroja kaloi fëmijërinë, por ishte në vrullin e punës për nxjerrjen e përpunimin e naftës, nga punëtorët naftëtarë, me shkolla dhe kinema, me pallat kulture dhe të pionierit, me mësuesit më të përgatitur e metodistë, me artistë e kompozitorë, ku jeta artistike krahas punës apo shkollës gjallëronte jetën e qytetit, dhe fëmijët si Pirroja morën ato vlera të shumta gjatë rritjes së tyre. Si nxënës ai ndiqte pas shkollës rrethet në pallatin e pionerit, si pirografi apo punime druri. Mbase ajo morsete e thjeshtë, në një tavolinë të madhe druri, do të shërbente si një shkëndijë e parë, për të bërë gjëra më të ndërlikuara në të ardhmen. Dhe të gjitha këto ngjarje të jetuara u ngulitën si me morse në trurin e tij, e më vonë do të kërkonin përsosje.

Pirroja u rrit në një familje të shëndoshë dhe fisnike, me dashurinë e prindërve, nga të cilët trashëgoi jo vetëm edukatën dhe kulturën, por sot është bërë kopja e të atit. Pikërisht, ai ka ndjekur atë rrugë që në fillim e ndiqte si fëmijë kurioz për të zbuluar botën që e rrethonte. Dhe ajo botë, ajo ekzistencë dhe përvojë e të atit, la gjurmë të thella te Pirroja, ngacmoi dhe zhvilloi ato sinapse apo vatra ku neuronet lidhen e komunikojnë me njëri-tjetrin, që më vonë, pa dyshim, shpërthyen tek ai.

Dallonte në klasë me inteligjencën, edukatën, kulturën dhe humanizmin e tij, ashtu si të gjithë fëmijët e vëllezërve me mbiemrin Ruço. Mbaj mend vajzën e xhaxhait të tij, e cila ishte nxënëse e shkëlqyer në gjimnaz, apo edhe vetë Pirron, i cili ishte një rast i rrallë që përfundoi gjimnazin në Kuçovë me mesatare 10. Por ajo barrierë, ajo vello mjergulle ose eklips, quajtur “biografi,” i mbyllte çdo rrugë për studime në universitet. E njëjta gjë ndodhi edhe me nxënësin Pirro, por ai ruajti ëndrrën thellë, edhe pse për një kohë të gjatë, duke pritur momentet më të volitshme, si ajo bima që edhe në gur mbin e rritet.

Erdhën kohëra dhe vite më vonë, kur ai eklips biografie do të largohej përgjithmonë nga fisi Ruço. Pirroja përfundoi studimet në degën e inxhinierisë mekanike, atje ku mendja, duart dhe shpirti i tij ishin gati të koordinoheshin për të krijuar xhevahire nga duart e tij të arta. Ishte jo vetëm ëndrra e tij të vazhdonte në zanatin apo gjurmët e të atit, Petro Ruço, por ai donte të bënte krenar babanë e tij, familjen dhe fëmijët e tij. Ato ëndrra, dikur të parealizuara, por të ruajtura thellë në inteligjencën dhe shpirtin e tij, filluan të merrnin krahë, të shpaloseshin dhe të gjenin rrugën e tyre në realizimet e njëpasnjëshme të argjendarit Pirro.

Ai kudo në biznes ka emrin dhe vulën e tij autoktone kombëtare.

Pirroja shkoi akoma më larg me aktivitetin dhe aftësitë e tij intelektuale. Me ato që prodhonte në firmën e tij, ai bëri një revolucion në fushën e argjendarisë. Ai kaloi çdo kufi të empirizmit, duke përdorur mendësi dhe metoda moderne. E zgjeroi gamën e prodhimeve të tij, duke futur elementë të rinj si prodhimin e monedhave historike shqiptare dhe shumë të tjera.

Kush mund ta punonte më mirë floririn, ta kthente në objekte dhe ta bënte të “fliste,” edhe pse përmes një unaze apo varëseje, për klientët që porosisnin? Duke i punuar me kujdes, klientët gjejnë në to një pjesë të shpirtit të tij human dhe artistik, pra marrin diçka më shumë. E gjatë ka qenë rruga e Pirros në seriozitetin, dëshirën dhe aftësinë për të shkuar përtej, për të krijuar monedha dhe portrete të figurave historike shqiptare, ku përveç artit, ai pasqyron dhe traditën dhe kulturën shqiptare.

Ajo që artisti dhe inxhinier Pirro Ruço realizoi me këtë orë është diçka më shumë se art, talent, inteligjencë, teknikë, precizion, humanizëm dhe patriotizëm. Në vitin 1775, Abraham-Louis Breguet ndërtoi punishten e parë për krijimin e orëve në Paris. Sipas tij, ora e parë e dorës u bë në vitin 1810 për mbretëreshën e Napolit, një nga klientët më të shquar të orëndreqësit.

Sot, shqiptari Pirro Ruço, me meritë të punës së tij të jashtëzakonshme dhe me këtë orë të veçantë, bën që të njihet nëpër botë jo vetëm emri i tij, por edhe i Shqipërisë, të parë të këtij lloji. Ai gdhendi emrin e Shqipërisë në Europë dhe kudo, ashtu siç gdhendi arin në orën e tij.

Duke ndjekur hapat dhe përvojën e të atit të tij, të nderuarin specialist mekanik Petro Ruço ai arriti në këtë mrekulli, në këtë “milestone” apo hap historik për vete dhe prindërit e tij. Kjo lidhje baba-bir, përvojat e tyre, deri në kurorëzimin e kësaj ore, më kujton nobelistin Niels Bohr dhe një nga djemtë e tij që edhe ai fitoi Çmimin Nobel në Fizikë. Sa i lumtur e krenar ndihet sot inxhinieri Pirro, që atë eklips të dikurshëm të padrejtë në jetën e tyre, e ktheu në një eklips rrezatues jo vetëm për vete e prindërit e tij, por për gjithë shqiptarët.

I shpreh artistit dhe inxhinier Pirro Ruço sot përzemërsisht urimet e mia për këtë masterpiece, për këtë orë që për mua duket si një orë magjike. Më duket si një perlë, si ato kur balenat gelltitin ne oqeane dhe perlat dalin nga guackat e tyre, dalin në dritë dhe marrin jetë.

Maestro Pirro Ruço na e fali këtë kënaqësi, por ai germoi thellë, në dije, shpirt, histori dhe folklor për të na dhuruar këtë masterpiece. Me këtë orë, ai i ka bërë një shërbim të madh të gjithë emigrantëve shqiptarë që ndodhen nëpër botë, jo vetëm duke u dhënë krenari, por edhe duke u kthyer besimin se edhe në Shqipëri punohet dhe fitohet me ndershmëri.

Toronto, Gusht, 2024