FRAN GJOKA:PRINËDRIT PËRBALLË PËRGJEGJËSISË SË PRINDËRIMIT

FRAN GJOKA

PRINËDRIT PËRBALLË PËRGJEGJËSISË SË PRINDËRIMIT

Në sferën delikate të edukimit qytetar të fëmijëve dhe
adoleshentëve ndihet një punë e zbehtë, formale dhe shpesh e
papërgjegjshme, ndërkohë që ka shumë shumë kaos e
paqartësi lidhur me rolin edukativ të familjes dhe misionin e
vështirë të edukimit prindëror. Madje ka tregues që thonë se
familja po krijon një vakum edukativ të frikshëm, meqenëse
është duke braktisur shumë role sociale, duke e kthyer familjen
në një “motel” të thjeshtë ku njerëzit hanë, pinë dhe
riprodhohen, por pa patur përgjegjësinë e duhur për edukimin
e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Të edukosh do të thotë kurdoherë të drejtosh
Është e nevojshme në këto rrethana që jemi të bëjmë një
rivlerësim të drejtë dhe objektiv. Pavarësisht vështirësive të
kohës, pengesave të mëdha të komunikimit edukativ, përsëri
asnjë familje nuk zhvillohet, nuk funksionon, nuk konsolidohet
pa praninë e një mase të caktuar të autoritetit moral dhe
social, natyrisht mbi principe demokratike dhe jo autoritariste
të prindërve. Është e vërtetë që për shkak të disa zhvillimeve
të vrullshme e dinamike, por dhe demokratizimit të hierarkisë
së marrëdhënieve prind – fëmijë, janë krijuar shumë pengesa e
paqartësi në sistemin e edukimit familjar. Gjithë problemi është

që në këto kushte të sigurojmë statusin e familjes dhe
funksionimin e saj edukativ.
Kjo nuk është e lehtë në kushtet aktuale kur “distanca”
klasike e autoritetit të dikurshëm prindëror në raport me
fëmijët dhe adoleshentët është “ngushtuar” shumë. Kjo është
arsyeja pse koha kërkon parime të reja moderne të prindërimit
me tolerancë, mirëkuptim reciprok. Ata mund të edukohen në
familje, në kushtet kur ka atmosferë të besimit reciprok,
respektim të personalitetit të fëmijëve, duke ndërtuar një
sistem organik edukativ e disiplinor.
Ka shumë prindër, të cilët duke mos kuptuar tipologjinë
dhe veçoritë moshore të fëmijëve dhe adoleshentëve, janë të
paqartë, psikologjikisht të hutuar, të habitur përballë disa
“sjelljeve të çuditshme” të fëmijëve të tyre. Pyetja që duhet
bërë është: kemi fëmijë të vështirë apo prindër që nuk dinë të
prindërojnë? Duket se aktualisht ne kemi shumë prindër, që
duke mos kuptuar kohën, ndodhen në një “boshllëk edukativ”
apo rob të konceptimit tradicionalist të marrëdhënieve me
fëmijët, duke u bazuar në parametrat e familjes tradicionale, të
cilës i ka kaluar koha. Kjo është një nga arsyet sociale që ka
sjellë zhbalancimet të frikshme në sistemin edukativ të familjes
dhe marrëdhënieve prind – fëmijë.
Dobësimi i mjeshtërisë së edukimit prindëror është e
lidhur me mentalitetin populist sipas të cilit, sido që të vejë
puna, fëmijët do rriten në një mënyrë apo në një mënyrë
tjetër. Kjo do të thotë që prindërit lundrojnë në det të hapur pa
patur fare busull. Dy qëndrime të kundërta t’i drejtosh
edukativisht fëmijët apo t’i lësh ata të rriten vetvetiu. Të
edukosh do të thotë kurdoherë të drejtosh. Në edukimin e
fëmijëve recetat e gatshme edukative janë të dëmshme.
Zbatimi i rregullave të ngurta të paracaktuara është në
kundërshtim të hapur me vetë thelbin e edukimit.
Padyshim, këto gjëra duhen vlerësuar sepse dihet që
niveli i një shoqërie të emancipuar dhe qytetëruar nuk mund të
arrihet pa një gjithë përfshirje të të gjithë aktorëve dhe
faktorëve, që janë të interesuar për mirërritjen dhe mirë
edukimin e fëmijëve. Ky formim i vlerave dhe i normave
kulturore të kohës nuk mund të sigurohet vetëm me punën dhe
kontributin që bën institucioni i edukimit, sado i kualifikuar dhe
i vazhdueshëm të jetë. Janë shkolla dhe familja, mjedisi social,
komuniteti dhe shoqëria civile, strukturat e nxënëseve dhe

prindërve me bordet e tyre në shkolla, që janë ngritur dhe
funksionojnë sot në shoqërinë shqiptare, të cilat mund dhe
duhet të vihet më mirë në efiçencë që të ndërthurin cilësisht
veprimtarinë e tyre të përditshme. Ndaj koha kërkon që
prindërit dhe familja, për të luajtur rolin e rëndësishëm
edukativ dhe të edukatorit, duhet thelluar procesi i
mirëkuptimit dhe demokratizimit të marrëdhënieve prind-
fëmijë. Por ky edukim ka nevojë për të përdorur forma, metoda
e paradigma edukative moderne të interferimit jo vertikal, por
horizontal, si kusht për sukses edukativ me fëmijët. Pa këtë
proces edukimi, sado me vullnet të punosh, je i destinuar të
dështosh.
Nxënësit të mësojnë të marrin vendime
dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve

Aktualisht janë disa struktura: shkolla, familja e mjedisi
shoqëror, ku rriten dhe edukohen e ardhmja e vendit, marrin
më shumë vlera dhe kanë ndikime më të mëdha në formimin e
karakterit dhe të personalitetit të tyre. Është një përfundim
jetësor dhe real për një shoqëri që pretendon se është
gjithëpërfshirëse në të kundërtën, përjashtimi i kujtdo, është
me pasoja katastrofike. Kërkimet e sotme shkencore kanë
provuar se përfshirja e prindërve në jetën e brendshme të
shkollës është çelësi për të ndihmuar fëmijët e mësuesit, që
ata të jenë të suksesshëm në shkollë e në komunitetin e
prindërve. Konstatojmë me kënaqësi përfshirjen e prindërve në
të gjithë aspektet e jetës shkollore, kontaktet individuale dhe
ato në rrugë informimi të pandërprerë që bën shkolla e
mësuesi për fëmijët. Kjo është mjaft e rëndësishme, pasi ata
mund të arrijnë të shfaqin plotësisht potencialin e tyre në
shkollë, kështu ata ndihen më mirë me veten e tyre, mësojnë
se si të marrin vendime dhe të jenë përgjegjës për rezultatet e
këtyre vendimeve.
Për të realizuar me sukses këtë imazh të nxënësit,
kërkohet kujdesi ritmik për formimin, edukimin dhe kulturimin
e tyre, gjë që s’është kurrë e tepërt për prindërit, jo vetëm
kaq, por është një nga detyrat organike të familjes së sotme
shqiptare, si kolona e parë e përfshirjes së tyre në edukim, ku
ka mjaft kapacitete natyrore për të plotësuar këtë objektiv.

Natyrshëm ndihet sot një merak i pandërprerë i prindërve
për të krijuar në familje e shoqëri fëmijë të mbarë, të
guximshëm, punëtorë, konkurrues, të edukuar e human.
Tendenca e prindërve të sotëm është për t’u krijuar kushte sa
më optimale fëmijëve të tyre. Në këto përpjekje të natyrshme
duken edhe dukuri shpërpjesëtimore ,,preokupime” të tepërta,
sforcime të panatyrshme të disa prindërve për t’u krijuar
fëmijëve “super kushte“ e plotësim kërkesash e pretendimesh
të tepruara. E keqja është se disa prindër të integruar “në
garën“ për të dëshmuar epërsinë materiale të familjes së tyre,
nuk janë në gjendje të perceptojnë dëmet morale, psikologjike
e sociale që u bëjnë fëmijëve të tyre. Kjo kategori fëmijësh të
përkëdhelur, që nuk u mungon asgjë në aspektin ekonomik, të
cilët kanë vështirësi në perceptimin e drejtë të raportit të tyre
me jetën e përditshme, duke u mësuar fëmijëve shumë më
tepër të drejta se sa detyra, detyrimisht kjo ka bërë që fëmijët
e të rinjtë të bëhen “të pavarur“, nuk e vrasin mendjen për
asgjë, pasi gjithçka e gjejnë të gatshme nga prindërit e tyre
“zemërmirë“.
Prindërit duhet të jenë
këshillues dhe përkrahës në vendimmarrje
Në tërë këto privilegje që u bëhen fëmijëve të
intelektualëve të dëgjuar, me emra, paraqiten më të prapë,
janë të orientuar drejt akteve të pahijshme me veprimet e tyre
keqdashëse se sa shumë fëmijë të tjerë të familjeve të varfëra,
që me vështirësi sigurojnë çdo ditë bukën e gojës. Me këta të
dytët, që s’kanë një qindarkë në xhep, që ushqehen e vishen
keq, përsëri shikon një vullnet të paparë në të sjellurit me
prindërit dhe mësuesit e tyre.
Prindërit e sotëm duhet të jenë këshillues dhe përkrahës
në vendimmarrje, ndryshe humbasin raportin e të drejtave dhe
detyrave që kanë ndaj fëmijëve. Në mendimin sociologjik
botëror ka sot një shqetësim serioz për këtë dukuri sociale, që
lind dhe zhvillohet në gjirin e familjeve me strukturim të lartë
ekonomik. Në realitetin e sotëm shqiptar fatkeqësisht po
ballafaqohemi me një brez të ri, që po piqet gjithnjë e më
shpejt nga pikëpamja zhvillimore, por jo nga pikëpamjet e tjera
më të rëndësishme, padrejtësisht u dalin në krah duke ua falë
gabimet, duke i mbrojtur shumë herë pa të drejtë para
mësuesve dhe ajo që është më e rëndë, prindërit nuk ushtrojnë

kontrollin e tyre se si e shpenzojnë kohën dhe në shoqërinë e
kujt ndodhen çdo ditë fëmijët e tyre. Dhe fëmija i prindit
indiferent dhe i “punëve të mëdha“ e kupton shpejt shfaqjen e
dobësive të prindit të tij, ndaj livadhisin poshtë e përpjetë,
duke mos ditur nëse ka përgjegjësi prindërore dhe kur rrëshqet
në drejtim të gabuar. Sa për informacion: Në Perëndim dhe
shumë vende të Bashkimit Evropian është bërë traditë që
prindërit të punojnë vullnetarisht në ndihmë të mësuesve të
tyre dhe të shkollës në tërësi, ndryshe tek ne ka mjaft prindër
që harxhojnë shumë kohë e përpjekje për të siguruar fonde për
shkollën. Kjo kohë e harxhuar nuk ka atë vlerë që do të kishte
përfshirja e tyre në programet e veçanta të edukimit të
fëmijëve. Në gjykimin tim, partneriteti shkollë–familje mbetet
tepër e vlefshme, sepse do të njohin më mirë dy palët sistemin
e punës mësimore-edukative dhe mjaft probleme të tjera
socialpedagogjike që ka shkolla. Ka ardhur koha që çdo shkollë,
në qytet apo fshat, të hartojë një politikë të caktuar për
përfshirjen e prindërve në edukimin e fëmijëve, ndryshe
shqetësimet me të rinjtë do të agravojnë më tej dhe shoqëria
shqiptare do të gjendet përballë krimit të rrugës.
Parandalimi i krimit tek fëmijët
problem serioz për shtetin e shoqërinë shqiptare
I bëjmë këtë pyetje vetes: -Pse është rritur kaq shumë
numri i të rinjve të dhunshëm? Sepse shoqëria shqiptare
mbetet ende e dhunshme, sepse në familje ka dhunë dhe
detyrimisht po rrisin fëmijë dhe të rinj të dhunshëm. Të gjitha
këto veprime bien ndesh me Kartën e të Drejtave të Fëmijëve,
ku mbi ata ushtrohet dhunë psikologjike e fizike si tek prindëri
dhe mësuesi dhe ajo që i shpreh rrezikshmëri është dhuna e të
rinjve me njëri-tjetrin. Kujtojmë këtu një shprehje të popullit:
”Prindëri është pasqyrë e fëmijës.” Ndodh shpesh te prindërit,
nëna tregohet “zemërgjerë“ dhe plotëson çdo dëshirë të
fëmijës, kurse babai jo. Qëndrimet e kundërta të fëmijës i bën
ata tekanjozë, duke i futur në debat edhe vetë prindërit. Nëse
njëri prind e ndërton dhe tjetri prish, fëmija çekuilibrohet, nuk
di kë model prindëror të ndjekë, kur dihet se dy prindërit kanë
përgjegjësi të barabartë para ligjit në edukimin dhe shkollimin
e tyre.

Detyrë parësore e prindërve është që të dinë në çdo kohë
me kë shoqërohet, luan fëmija i tij, kur dihet që edukimi i
fëmijëve është një proces i gjatë e i vështirë, që nuk mbaron
me ditë e muaj, por me vite, që kërkon kujdes, durim e
angazhim maksimal, duke e konsideruar shkollën vendin e dijes
dhe të kulturës. Më mbetet në kujtesë biseda e një prindi, ku
shprehet: “Fëmijëve duhet t’u japësh gjithçka, veçanërisht
dashuri e qetësi, virtyte që do ta shoqërojnë për gjithë jetën.
Me fëmijët duhet të komunikosh njësoj si me të rriturit.
Në radhë të parë është dashuria ndaj fëmijës dhe fill pas
saj vjen disiplina, që për mua është dhurata e dytë e më e
rëndësishme që mund t’i bëhet një fëmije. Mendoj se kjo është
mënyra për t’u dhënë atyre një shembull. ”Kemi një kategori
tjetër prindërish, që u lejojnë një sjellje tejet tolerante e më
shumë liri se sa duhet dhe as që diskutohet kërkesa e llogarisë
ndaj tyre. Kjo kategori fëmijësh bëjnë çfarë të duan dhe nuk
kanë kufi si dhe rriten pa patur aftësitë më të rëndësishme të
jetës. Ndaj stili i prindërimit ndikon pozitivisht ose negativisht
në moshën e adoleshencës.
Kemi prindër që nuk njohin tipat, të tjerë nuk ia kanë
idenë e krizave që përjetojnë fëmijët e tyre në kufi të një
moshe. Kemi prindër që s’duan t’ia dinë për interesat që të
rinjtë kanë për jetën, shkollën e kulturën në tërësi. Jo pak
prindër i konsiderojnë të përfunduara detyrimet ndaj fëmijëve
me plotësimin e kushteve për veshmbathje, ushqim dhe
shkollim, kur ata kanë nevojë edhe për argëtim dhe edukim
plotësues. Të rinjtë kanë nevojë për një jetë intensive sociale
me pjesëmarrje në vendimmarrje, për bashkëpunim e
ndërveprim të detyrave të ngarkuara. Bernard Shou këshillonte
të rinjtë: “Nëse rruga nga kaloni nuk përbëhet nga kthesa dhe
vështirësi, dijeni se ajo nuk ju shpie gjëkundi”.
Parandalimi i krimit tek fëmijët mbetet një problem seroiz
për shtetin e shoqërinë shqiptare, padyshim është dhe pjesë
integrale e politikave që MAS duhet marrë urgjentisht masa të
forta ligjore që arsimi dhe edukimi në Shqipëri të bëhet pjesë e
pandarë e komunitetit prindëror dhe atij vendor. Sidoqoftë,
është koha kur jo vetëm familja, por të gjithë institucionet e
sigurisë morale dhe të autoritetit social duhet të bashkojnë
forcat, dijet, përvojat edukative, kapacitetet materiale dhe tërë
kapitalin human për t’i investuar te fëmijët dhe adoleshentët.
Ata janë qytetarët e ardhshëm…