Elvira Zeneli
ZANË MALI
Zanë mali,
Tavolinën ta paskan mbushur me zambakë e jaseminë
Me zambakët e jaseminët me më të bukurat aromë lëndine!
E të qenkan shndërruar në puthje të zjarrta
E puthjet përsëri qenkan kthyer në lulebore e zambakë
Për të mbuluar trupin e saj
Diku larg në Kopshtin e Shenjtë të Nemisë
Të shënuar në hartën e padukshme të atropologjisë së botës.
Një dëshirë për të e kishte
Të buzëqeshë para se të hyjë në liqenin e shenjtë!
Buzëqesh të lutem e mos u ndal
Edhe kur noton në ujin shërues
E kur del ashtu e zhveshur
E strukesh nën hijen e rêndë të Drurit të jetës
Ku po të pret bandill-rojtari i të Shenjtit Dru
Për të thithur qumështin e forcës kreshnike të Mujit
Nga thimthat e hazdisur të gjinjve tu të çmendur.
Ah, këto buzëqeshjet e shërojnë çdo zemër, që vritet nga bukuria
Ato e ringjallin çdo zemër të vrarë nga dashuria.
Oh, këto buzëqeshjet edhe pse nuk flasin,
Pëshpërisin monologun e një drame të shfaqur për çdo ditë
Në teatrin shëtitës pa mure në mes të pyllit:
“O dashuri e jetës sime, o oksigjeni im,
Fjalët, zemrën, shpirtin ma more
E mi mbylle me shtatë dryna në kështjellën magjike të zemrës
Aty nën hijen e Drurit të jetës”.
Zanë mali,
Tavolinën ta paskan mbushur me zambakë e jaseminë….!