Klara Kodra & Vilma Jazexhiu Proko:ORIGJINALITETI I JUL VARIBOBËS (1724–1788). ME RASTIN E 300-VJETORIT TË LINDJES

JUL VARIBOBA NË 300-VJETORIN E LINDJES (1724–1788)*
Klara KODRA – studiuese, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, ASHSH, Tiranë
Vilma PROKO, – studiuese, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë

Poema e Varibobës “Gjella e Shën Mërisë së Virgjërë” në një këndvështrim të ri,
përgatitur nga studiuesja e letërsisë shqipe e asaj arbëreshe, profesoreshë Klara Kodra, do të
përbëjë pjesën e parë të kësaj trajtese, ndërsa në pjesën e dytë studiuesja Vilma Proko na njeh me
pikëpamjet e Maximilian Lambertz-it për Varibobën si njeri e si poet, e sidomos, me fjalorin e
poetit arbëresh, të cilin Lambertz e ka pajisur me shënime e shpjegime të shumta, të shtjelluara
gjerësisht në librin “Studime arbëreshe”, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikeve për
Arbëreshët, SHB”Onufri”, Tiranë 2021, 350 faqe.
I. Jul Variboba qe ndër ata poetë të rrallë që me veprën e tyre shënojnë një kthesë në
letërsinë e kohës dhe të vendit të vet: ai arriti ta shndërronte letërsinë shqiptare nga një letërsi
qëllimore, didaskalike në letërsi artistike.
Ai u frymëzua nga Bibla, po u ngrit më lart nga sivëllezërit arbëreshë dhe shqiptarë që u
ushqyen nga i njëjti burim. Këta autorë qenë më tepër mjeshtra në zanatin e të shkruarit si Budi
dhe Bogdani, ose këngëtarë të nivelit popullor si Nikollë Brankati, Nikollë Filja dhe Nikollë
Keta.
Variboba e pasuron letërsinë shqipe për të parën herë me përmasën e humorit të
shëndetshëm popullor. Ai shkriu frymën popullore me një prirje elitare. Qe i pajisur me një talent
të lindur, po dhe i ushqyer me letërsinë e rafinuar italiane të Mesjetës, të Barokut ose Arkadisë.
Kështu që mundi t’i falë letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare poemën e parë lirike me elemente
rrëfimtare “Gjellën e Shën Mërisë Virgjërë” (1762), me personazhet e parë të gjallë.
Ka studiues që e quajnë këtë vepër të tij një përmbledhje këngësh lirike, të cilat i bashkon
e njëjta temë qendrore. Këta studiues mund të jenë ndikuar edhe nga gabimi i botuesit Vincenzo
Librandi që e ndan veprën artificialisht në dy pjesë, të cilat nuk ekzistonin në botimin origjinal.
Ne jemi të mendimit (që e ndajmë me studiues të tjerë si Giuseppe Ferrari 1 , Italo Costante
Fortino 2 , Zeqirja Neziri, Robert Elsie) që është fjala për një poemë.
Për të mbështetur mendimin tonë për unitetin e veprës, në dukje fragmentare,
parashtrojmë një tezë që hidhet për herë të parë në studimet për Varibobën dhe që është mbrojtur

* (Version i përmbledhur i kumtesës "Origjinaliteti i Jul Varibobës (1724–1788). Me rastin e 300-vjetorit të lindjes",
mbajtur më 29 gusht 2024, në Seminarin XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në
Prishtinë, me rastin e përvjetorit të 50-të të themelimit të këtij Seminari).
1 G. Ferrari, Giulio Variboba e la sua opera poetica albanese, Bari, 1961.
2 Fortino, Italo Costante (1984), »Prolegomeni«: Giulio Varibobba, La vita di Maria, Cosenza.

2
në monografinë e autores Klara Kodra “Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqiptare”,
Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011.
Sipas nesh poema spikat për një strukturë origjinale unazore që realizohet për herë të parë
në letërsinë arbëreshe. Poema hapet dhe mbyllet me konvencionin e dialogut me një engjëll, i cili
në fillim e paralajmëron Shën Mërinë se do të lindë Mesinë, kurse në fund i jep lajmin për
ngjitjen në qiell. Gjithashtu, fillimi dhe fundi i veprës bashkohen nga dy lutje të poetit, i cili në
fillim i drejtohet Marisë për frymëzim, kurse në fund i kërkon ndihmë për bashkësinë arbëreshe.
Kështu krijohen dy rrathë koncentrikë. Në mes të tyre qëndrojnë si dy shtylla dy makrodialogë
që e përshkojnë të tërën, dialogun e rrëfimtarit autor (që është edhe hero lirik) me protagonisten,
Shën Mërinë dhe dialogun e kësaj të fundit me të Birin, Krishtin.
Variboba, në dallim nga sivëllezërit e përtej detit, të cilët, ndonëse lirikë, ndërthurnin
synimin fetar me synimin patriotik, lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zbulimin e mundësive të saj në
fushën e artit, vuri në plan të parë synimin fetar. Ai pohon vetë se e ka shkruar poemën e vet të
kushtuar Shën Mërisë që lavdia e emrit të saj të shkëlqente edhe midis arbëreshëve (në plan të
gjerë, shqiptarëve). Madje poeti, në dallim nga bashkatdhetarët e përtej detit, mban një qëndrim
disi kritik dhe pak ironik ndaj gjuhës shqipe, të cilën nuk e quan të përshtatshme për të trajtuar
çështje të larta shpirtërore. Kur krijoi veprën e vet poetike, Variboba pati si synim fillestar të
vinte çështjet universale shpirtërore mbi çështjen kombëtare. Madje ai s’u kujdes as për
pastërtinë e gjuhës së përdorur ku mbizotërojnë italianizmat. E megjithatë, në mënyrë të
pavetëdijshme, ky poet që në dukje nuk ka synime patriotike, duke vizatuar personazhe të një
kohe dhe vendi të largët, figurat më të shquara të fesë së krishterë, Shën Mërisë, Jozefin,
Krishtin, – pa dashur, u jep atyre veçori të karakterit arbëresh dhe shqiptar. Shën Mëria, Jozefi
dhe pjesërisht Krishti kanë tërë tiparet e fshatarëve arbëreshë, veçanërisht Shën Mëria që është e
para e një galerie heroinash femërore shumë tërheqëse që mishërojnë bukurinë fizike dhe
shpirtërore të shqiptareve dhe që ndeshen te shkrimtarë të ndryshëm arbëreshë të mëvonshëm.
Poeti përjetëson figura dhe zakone arbëreshe që kishin qëndruar të ngulitura në
nënvetëdijen e tij. Ai e përshkruan mjedisin në poemë pa ngjyra historike duke rënë në
anakronizëm dhe shkelje të besnikërisë historike. Variboba është një poet me një lirizëm të ëmbël
dhe të çiltër dhe me një humor të këndshëm popullor që i alternon shfrimet e kulluara lirike të
dashurisë për Virgjëreshën apo Krishtin e vogël me karakterizimin psikologjik të personazheve.
Qe i pari që u thellua në psikologjinë e gruas përmes figurës së Shën Mërisë, të cilën e sheh më
tepër si grua se sa si shenjtore dhe i fal mjaft tipare të gruas arbëreshe, ndërsa Krishti në poemë
shfaq tipare të fëmijëve arbëreshë në vitet e para të jetës.
Poema e Varibobës, e shkruar në shekullin skeptik të 18-të ka paradoksalisht një çiltëri
besimi fetar që e afron me poemat fetare mesjetare. Megjithatë prej tyre e dallon kulti i gëzimit
dhe i bukurisë së jetës, shumë i ndryshëm nga pesimizmi mesjetar, nga i cili s’ishte shkëputur
edhe poeti fetar Budi në anën tjetër të Adriatikut. Ky kult lidhet nga njëra anë me ndikimin e
ideve të Rinashimentos që ishin me vonesë në letërsinë arbëreshe, nga ana tjetër me ndikimin e
shëndetshëm të poezisë popullore arbëreshe. Variboba vë gurin e parë në një traditë që do të
bëhej mbizotëruese në letërsinë e Rilindjes, lidhjes me folklorin.

3
Poeti i Mbuzatit (San Giorgio Albanese) e pasuron për herë të parë letërsinë shqipe me
përmasën e humorit të shëndetshëm popullor, i cili shfaqet, jo aq në situata dhe personazhe
komike se sa me indulgjencën plot buzëqeshje, me të cilën poeti vështron dobësitë njerëzore. Po
vlerën më të lartë të poemës e përbën lirizmi i ngrohtë dhe i vetvetishëm me të cilin rrëfimtari
poet komunikon me lexuesin e disa niveleve, lexuesin e thjeshtë që e recepton natyrshëm si një
bashkëbisedues të sinqertë dhe lexuesin e kultivuar që vlerëson te kjo dukuri çiltërinë fëmijërore
dhe mungesën e letrarizmit, lirizëm që përbën vokacionin e vërtetë të Varibobës.
Variboba ka në bazë të veprës së vet poetizimin e amësisë dhe të familjes. Me këtë
poetizim ai u printe autorëve sentimentalistë.
Siç është pranuar nga studiuesit, poeti sjell elementet e parë të realizmit, po ne do t’i
shihnim ato, jo aq në pasurinë e detajeve nga jeta apo pasqyrimi i zakoneve arbëreshe, sesa në
ndërtimin e karaktereve psikologjikisht dhe shoqërisht të besueshëm.
Është diskutuar nga studiuesit nëse poeti ka qenë iluminist. Ne i jemi përgjigjur me “jo”
kësaj hipoteze, duke pasur parasysh antiklerikalizmin e theksuar të iluministëve dhe
racionalizmin e tyre që binin plotësisht në kundërshtim me besimin fetar të sinqertë të Varibobës
dhe mbizotërimin e ndjenjave të çiltra, gati fëmijërore të heroit lirik rrëfimtar, poetit. Megjithatë
poeti ka disa tipare të përbashkëta me iluministët, kultin e punës dhe të dijes.
Ky autor do t’i sillte gjithashtu poezisë shqiptare një larmi të veçantë metrike, duke
ndërthurur me shkathtësi dhe rrjedhshmëri vargje dhe strofa nga më të ndryshmet. Këtu tregohet
sa poet i frymëzuar, ashtu edhe artist, ndonëse nuk e karakterizon puna e limës. Me këtë larmi
metrike poeti do të mbetet për një kohë të gjatë i veçantë, meqenëse De Rada dhe Dara do t’i
drejtohen vargut të bardhë tetërrokësh trokaik të baladave popullore arbëreshe. Larmimë e
vargjeve dhe të strofave si edhe përdorimin e rimës do ta gjemë më vonë te Serembja dhe
Santori.
Variboba shkon nga vargu i shkurtër pesërrokësh te vargu i gjatë katërmbëdhjetërrokësh i
dyzuar. Në pjesën rrëfimtare të poemës ky autor përdor në mënyrë konstante tetërrokshin
popullor, po jo të bardhë si në folklor, përkundrazi të rimuar. Rima e brendshme dhe rimimi i
vargut të parë me gjysmën e vargut të dytë është një zgjedhje ritmike që nuk do të ndeshet në
poetë arbëreshë të mëvonshëm. Variboba e përdor për të nënvizuar fjalët me ngarkesë të veçantë
semantike dhe emocionale. Në vjershat lirike që gjejmë te “intermexot” poeti përdor me zotësi të
veçantë strofën tetëshe, e cila ishte karakteristikë për letërsinë e kultivuar italiane, po edhe për
poezinë popullore italiane kalabreze dhe arbëreshe të dashurisë. Poeti madje i dha letërsisë
arbëreshe sonetin e vet të parë, po të përjashtojmë sonetin e Nikollë Ketës, i cili u njoh mjaft
vonë.
Variboba dallohet edhe për pasurinë e veçantë të figuracionit ku ndërthuret freskia e
figurave të marra nga bota e natyrës me befasinë e disa figurave që duket se sjellin ndikimin e
poezisë baroke italiane të shek. XVII. Ky kombinim interesant freskie dhe vetvetishmërie me
ndërlikimin përbën një nga veçoritë më sugjestive të veprës së Varibobës.

4
Në botën poetike të këtij autori hasim një pasuri të veçantë të florës dhe faunës që e
lartëson gjuhën artistike të Varibobës dhe përbën një veçori të rëndësishme të individualitetit të
tij krijues, si edhe një thesar gjuhësor të arbërishtes.
Për mendimin tonë, Variboba nuk është vetëm një nismëtar, po një poet i vërtetë që
ndikon me hovet e tij lirike dhe dramatike edhe sot. Është karakteristikë që askush nuk e imitoi
këtë poet si ka vënë re edhe shkenca letrare dhe madje vepra e tij nuk ishte e imitueshme. Për
lirizmin e spikatur dhe dramatizmin spontan Variboba mund të matet me poetin e njohur fetar
italian Jakopone da Todi. Si çdo poet vërtet origjinal, Variboba përballoi një stuhi me lavdërime
dhe qortime, të sakta ose jo, si nga bashkëkohësit ashtu edhe nga studiuesit e mëvonshëm deri në
ditët tona.
Poezia e Varibobës mund të lexohet sot në një vështrim të ri, përveç atij fetar të dashurisë
hyjnore, në dritën e dashurisë vëllazërore të njerëzve ndaj njëri-tjetrit, të lartësimit të virtyteve të
njerëzve të thjeshtë nga populli, të rizbulimit të vlerave etike që rrezikojnë të humbasin si kulti i
punës dhe i familjes.

II. Studiuesi dhe përkthyesi Genc Lafe në kumtesën me titull “Studimet arbëreshe të Maximilian
Lambertz-it dhe vlera e tyre”, mbajtur në Seminarin XV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë
dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në gushtin e vitit 2022, trajton në vija të përgjithshme
vëllimin “Studime arbëreshe” të Maximilian Lambertz-it, sjellë në shqip nga gjermanishtja
përmes përkthimit të tij mjeshtëror, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për
Arbëreshët.
Lambertz trajton me hollësi të folmet arbëreshe në këtë studim, i pari i llojit të vet, mbi “Gjella e
Shën Mërijs Virgjër” e Varibobës, ndër të tjera në fushën e dialekteve dhe të letërsisë arbëreshe
gjatë një udhëtimi studimor në ngulimet arbëreshe të bregut adriatik të Italisë së Jugut (në rajonet
e Puljes veriore dhe Molise-s) në vitet 1913–1914, duke u bërë i pari albanolog që u mor me
studimin e hollësishëm të këtyre të folmeve arbëreshe (përfshirë edhe të folmen e katundit
arbëresh Villa Badessa në Abruzzo, të themeluar më 1744), të cilat, për shkak të vendndodhjes së
tyre disi të veçuar në krahasim me pjesën më të madhe të ngulimeve arbëreshe në Kalabri dhe
Sicili, ku është zhvilluar një jetë e gjallë kulturore dhe kërkimore, kanë mbetur disi jashtë
vëmendjes së studiuesve të albanologjisë.
Ky studim i të folmeve arbëreshe në punimin për Jul Varibobën (1724–1788) dhe për veprën e
tij të njohur, ku përshkruan jetën e Shën Mërisë u botua në vitin 1956 3 . Sipas prof. Emil Lafes,
Lambertz-i, pasi kishte mësuar mirë shqipen pranë prof. Gjergj Pekmezit në Vjenë dhe
ishte njohur me studimet për gjuhën shqipe të gjuhëtarëve austriakë, gjermanë e të
tjerë, ndërmori më 1913–1914 një udhëtim studimor në Itali, gjatë të cilit bëri vëzhgime
dhe mblodhi lëndë gjuhësore në terren.

3 Giulio Variboba. Zeitschrift für vergleichende Sprachforschung auf dem Gebiete der indogermanischen Sprachen.
Band 74 (1956) f. 45-122; 185-224.

5
Lambertz-i e trajton me hollësi përmbajtjen e kësaj vepre, rrethanat e krijimit, veçoritë
gjuhësore të së folmes së Mbuzatit (San Giorgio Albanese) sipas botimit të parë të vitit 1762 dhe
dy ribotimet nga V. Librandi (1897, 1928), me mjaft ndërhyrje gjuhësore nga ana e këtij të
fundit, për ta përshtatur në të folmen e fshatit të vet Vakaric (Vaccarizzo Albanese), zbulon
figurën e Varibobës si njeri e si poet dhe e vështron me simpati këtë prift të thjeshtë, që i blatoi
Zonjës Shënmëri një poemë të tërë me lutjen e sinqertë që t’ia falte mëkatet e rinisë.
Përmes zbulimit të figurës së Varibobës si njeri e si poet, Lambertz na la një pasuri të
vyer: fjalorin e këtij autori arbëresh, të cilin e ka pajisur me shënime e shpjegime të shumta për
kuptimet e përdorimet e fjalëve. Fjalori është paraqitur sipas burimit të fjalëve, duke u ndarë në:
1. Elemente të shqipes; 2. Elemente të greqishtes; 3. Elemente të italishtes. Ashtu si edhe në
punimet e tjera, bien në sy, nga njëra anë, njohuritë e thella që ka Lambertz edhe për arbërishten
në përgjithësi dhe për gjuhën e autorëve arbëreshë dhe, nga ana tjetër, njohja aq e gjerë e
dialekteve italiane të jugut dhe e literaturës shkencore rreth tyre. Lambertz-i e vlerëson shumë
këtë poemë dhe shpreh dëshirën që ajo të përkthehet në të paktën njërën nga gjuhët europiane të
kulturës.
Jul Variboba ka qenë prift dhe poet në Mbuzat në provincën e Kozencës në Italinë e Jugut.
Ky fshat më 1931 kishte 1445 banorë. Ai jetoi në shekullin e 18-të. Më 1762 u botua
përmbledhja e tij poetike Gjella e Shën Mërisë së Virgjërë. Sipas kopjeve të botimit të parë, të
cilat gjenden në ngulimet arbëreshe, A. Chinigò filloi të botonte në revistën Arbri i Ri më 1887
veprën dhe një përkthim të saj, por kjo punë nuk vijoi më tej. Më pas V. Librandi i botoi tekstet e
Varibobës në manualet Hoepli 1897 dhe 1928, në botimin e dytë shtoi edhe përkthimin italisht 4 .
Gjella e Shën Mërisë së Virgjërë të Varibobës është një vepër e veçantë e letërsisë sublime.
Nga këndvështrimi gjuhësor ajo është e rëndësishme, sepse Variboba vjershëron në të folmen e
vet amtare, dialektin arbëresh të S. Giorgio-s – Mbuzatit, i cili ka marrë shumë fjalë nga italishtja
dhe pikërisht nga dialekti kalabrez i zonës së Kozencës. Në radhë të parë është fjalori i tij, i cili
me ndajfoljet, emrat, mbiemrat dhe foljet e panumërta të kalabrishtes paraqet një tablo
shumëngjyrëshe. Ai është një dialekt i përzier. Pra, gjuha e Varibobës është një dialekt i përzier
prej toskërishtes dhe italishtes së Kalabrisë. Në përdorimin e elementeve të italishtes ai shkon më
tej se gjuha e folur, duke u përpjekur t’i japë gjuhës së vet më tepër plotësi dhe gjerësi. Për të
shprehur të njëjtin koncept Variboba parapëlqen përdorimin e dy sinonimeve bashkë, prej të
cilëve njëri është arbërisht, ndërsa tjetri italisht., p.sh. na bân drit, na illuminar ‘na ndriço’, i
ljimon, i karicar ‘i përkëdhel’, mal e zilji ‘mall’, ti ndighen e t’ubbëdir ‘të bindet’, kur u
ngarnarte, u bare njeri ‘kur u bëre njeri’ etj.
E folmja arbëreshe e S. Giorgio Albanese-s, ose Mbuzatit, i përket shqipes së jugut ose
toskërishtes. Edhe emri i poetit tonë Variboba dëshmon për mërgimin e të parëve të tij nga
Shqipëria e Jugut. Atje ndodhet fshati Varibob, në krahinën e Mallakastrës, në jugperëndim të
Beratit, në bregun e djathtë të Vjosës, në verilindje të Vlorës, në perëndim të qafës së Vishit, 537

4 Shih në fund të këtij kreu: Shënime nga faqja e parë.

6
metra të lartë dhe jo larg saj. Siç është e zakonshme edhe sot në mëmëdhe, poeti ynë mban për
mbiemër emrin e fshatit të prejardhjes.
Një tipar i rëndësishëm në veprën e Varibobës është gërshetimi i motivit ballkanik të legjendës së
kështjellës, siç tregohet për kështjellat e Elbasanit, Beratit, Shkodrës etj., dhe të qumështit
çudibërës të nënës së muruar, i cili edhe sot është një ilaç i mirë për të sëmurët. Këtu Variboba
ynë shfaqet si shqiptar (M. L.)
Po veçojmë nga libri këto paragrafe:
Shënime nga faqja e parë
1) A. Straticò (“Letteratura albanese, 203 = Manuali Hoepli” 212/213) zotëronte dy kopje të
veprës së Varibobës, njërën nga pronësia e Camillo Mendicino-s nga S. Giorgio, fshati i
Varibobës, dhe tjetrën nga pronësia e Guglielmo Ippolito-s nga S. Caterina Albanese. Edhe
Guglielmo Tocci nga S. Cosmo Albanese (Strighari), një i afërm i Varibobës, duhet të ketë pasur
një kopje të veprës. Ky i fundit kishte ndërmend edhe ta botonte, por nuk u bë e mundur. E njëjta
gjë ndodhi me Angelo Nociti-n nga Spezzano Albanese. Përveç Straticò-it, Chinigò-it dhe De
Radës me Gjellën e Shën Mërisë së Virgjërë të poetit tonë janë marrë edhe P. E. Pavolini në
“Lingua e Letteratura Albanese” (s.v.) dhe G. Petrotta në “Popolo, Lingua e Letteratura
Albanese”, f. 59-64. Këngët e Varibobës për Shën Josefin (Josifin) dhe Shën Vinçencin i kam
përkthyer dhe botuar unë në Indogerm. Jahrbuch 1 (1918), f. 20 e vijim – Me rastin e qëndrimit
tim në Shqipëri në pranverë dhe verë 1954 munda të konstatoj se atje gjenden dy kopje të editio
princeps të Varibobës në Bibliotekën Kombëtare të Shkodrës dhe në Bibliotekën Kombëtare të
Tiranës. Të parin e lexova, të dytin e krahasova me tekstet e Librandi-t. Librandi, në botimet e tij
të viteve 1896 dhe 1928 (“Manuale Hoepli, Grammatica albanese con le poesie rare di
Variboba”, 1896, botimi i dytë 1928, Milano) e ka ndryshuar shumë tekstin origjinal të
Varibobës. Së pari, ai nuk ka kuptuar disa fjalë dhe shprehje dhe i ka interpretuar gabimisht sipas
gjykimit të tij e, së dyti, Librandi ishte nga Vaccarizzo Albanese, ndërsa Variboba nga S. Giorgio
(Mbuzati) dhe të folmet e këtyre dy fshatrave dallohen shumë si nga ana fonetike, ashtu edhe nga
leksiku. Librandi ka ndryshuar disa fjalë dhe aspekte fonetike të Varibobës duke i përshtatur
sipas së folmes së fshatit të vet. Këto ndryshime arbitrare duhet të fshihen nga tekstet e
Varibobës. Do të ishte i nevojshëm një botim i ri i veprës së tij. Nëse këtë do ta ndërmerrte
Shaban Demiraj në Tiranë, ai do t’i bënte një shërbim të madh albanologjisë. Në botimin e dytë
Librandi shton edhe një përkthim në italisht të veprës, i cili ka shumë gabime. Për këtë arsye
edhe një përkthim në italisht i kësaj vepre është i ngutshëm. Imprimatur i botimit të parë mban
datën 24 maj 1762 dhe është dhënë në Romë, nga Sacerdote Tomaso Nicolò 5 Massaracchi
Albanese di Sicilia (mbiemri Mazreku gjendet edhe sot në Shqipërinë e Veriut), lettore di lingua
Greca del Collegio Urbano di Propaganda Fide (në vend të kryepeshkopit), vepra karakterizohet
si “lingua Epirotica conscriptum, regionibus Epiri profuturum censeo (Epiri, mëmëdheu arbër në
5 Lambertz-i e jep këtë emër në këtë formë, ndoshta i ndikuar nga forma e tij në gjermanisht. Në italisht forma e
zakonshme e shkruar është Tommaso Niccolò. (Shën. i përkth.)

7
bregun lindor të Adriatikut) haud tantum pro ejusedm nationis existentibus in Italia”. Është
nënshkruar nga F. Ferdinandus a Burgocarresio Minor Reformatus (atë minorit) ish-misionar
apostolik në Maqedoni, më 12 qershor 1762 (edhe ky me siguri e njihte shqipen nga veprimtaria
e tij misionare në Maqedoni). Edhe një klerik i tretë e ka recensuar këtë vepër, Pater Joseph
Stassi Italograecus (Stassi është Anastassios) Congr. Oratorii Planensis (Piana dei Greci, katund
arbëresh në Sicilinë e brendshme, i quajtur kështu për shkak të ritit kishtar grek të banorëve, sot
Piana degli Albanesi i Urdhrit të Oratorianëve), “plena amnia suavitate et spirituali referta
dulcedine ac ad animarum profectum singula piissime digesta perlegi. At utrisque Sicilia
Albanensium aedificationem luce dignissimum”.
Në përgjithësi gjuha e Varibobës është një toskërishte arkaike me lidhje më të ngushta me të
folmet e Çamërisë dhe Gjirokastrës. Dialekti i Varibobës si edhe të folmet e arbërishtes në Itali
dhe të shqipes së Greqisë janë faza të lashta të rëndësishme gjuhësore, të cilat ndihmojnë për të
ndriçuar historinë e gjuhës shqipe.

Përfundime:
Siç u përmend në pjesën e parë të kësaj trajtese, me këtë poemë Variboba mund të qëndronte
pranë përfaqësuesve më të mirë të letërsisë fetare italiane dhe kështu të zinte një vend, sado të
vogël, në rrafsh europian, edhe pse nuk ndodhi për shkak të barrierës së gjuhës si dhe të shqipes
arkaike në një nga nëndialektet e saj që mbështjell si guackë margaritarin e një poezie origjinale.
E përmbyllim me këtë paragraf të prof. Emil Lafes, marrë nga Pasthënia 6 e librit.
“Studimet dialektologjike të M. Lambertz-it kanë një vlerë të madhe për gjuhësinë shqiptare.
M. Lambertz-i ka bërë një punë pionieri si në studimet për të folmet e Arbëreshëve në Itali, ashtu
edhe për vëzhgimet dialektologjike në gjuhën shqipe të këtushme. Përveç trajtimit dhe
shpjegimit mjeshtëror të dukurive gjuhësore, ato sjellin edhe një lëndë të pasur gjuhësore, të
panjohur më parë. Deri tani studimet e M. Lambertz-it për të folmet arbëreshe kishin mbetur fort
pak të njohura e të shfrytëzuara nga studiuesit tanë, po edhe nga studiuesit arbëreshë. Duke u
përkthyer shqip të përmbledhura në një vëllim, ato mbushin një zbrazëti të ndjeshme në
bibliotekën e dialektologjisë shqiptare. Vlerat e shumanshme të studimeve arbëreshe të M.
Lambertz-it janë vënë në dukje në raste të ndryshme nga njohësi më i thelluar i tyre, prof. Eqrem
Çabej, gjykimet e të cilit më kanë shërbyer për këtë paraqitje të shkurtër të tyre. Duke i lexuar
tani të plota këto studime në një përkthim shqip të përpiktë e profesional, mund të them se kam
ndjekur me shumë përfitim një shkollë të vërtetë për dialektologjinë arbëreshe”.

6 Shih për më gjerë Pasthënie, E. Lafe në Studime Arbëreshe, QSPA. ShB “Onufri”, Tiranë 2021, f. 349-350.