Nga Hasan Musli Selimi
Gladiola Jorbus – KJO JAM UNË –
Mendon njeriu të lexojë, bile edhe çka të lexojë. Një herë mendon të përzgjedhë botime të kohës, një roman, por ky romani ka shumë informacion të mbivendosur dhe duket, sikur e ke lexuar. Përzgjedh një tregim, edhe kjo si në roman ka plot gjëra të përbashkëta me çka kemi lexuar. Shikon një pikturë, dhe të duket si diçka e përsëritur. Vazhdon me një muzikë, një këngë dhe melodia mjaft e hallakatur, e mbivendosur me meloditë, ndoshta të vendeve të ndryshme. Aq shumë përpiqesh të zgjedhësh, sa në mendje valëvitet një ide, që bëhet gati psikologjike se ne qenkemi inferior ndaj krijimtarive të huaja, sikur tonat nuk na pëlqejnë.
Shpeshherë kemi dëgjuar se ky libri është shumë i mençur. E lexova këtë analizë, prozë të shkurtër apo prozë të gjatë, pashë një pikturë, dëgjova një këngë dhe mendimi për librin e kohës të ndryshon. Libri i mençur apo vepra e artit e mençur vjen nga zgjidhja që i jep krijuesi ngjarjes a faktit, porosinë që jep në këtë zhanër, ne tani i themi mesazh.
Shpesh të takon të lexosh poezi që të bie në sy një analizë e skalitur. Autori e tjerr kaq bukur vargun sa të duket se e ka shkruar një nga korifejt e letërsisë dhe të poezisë botërore. Ia lexon emrin autorit dhe lind pyetja.
Pse nuk përgjithësohet kjo poezi?!
Unë mendoj se në poezi sidomos në lindjen e saj është brendia e qenies jashtënjerëzore, edhe pse njeriu e mendon dhe e shkruan në letër si një i dërguar i Hyjnisë. Më ka ra disa herë të mendohem dhe të shënoj një koment dhe të prezantoj një diçka që më është dukue e bukur në poezinë e aksh poeti / poeteje. Thonë shpesh që ishte e bukur, ose nuk më ka pëlqyer. Por thonë që e bukura është ajo që më pëlqen mua.
Ajo, Gladiola, pra ka një rrugëtim të gjatë në dije dhe përcaktim të natyrës shkollore. Poezinë “Kur …”, ajo e ka ndritë me vargun dhe me metafora krejt filozofike, ndërsa në narrativën e saj ka përdor mendjen e lexuesit ta përcaktojnë subjektin, frymëzimin.
Nëse flasim për një poezi, ne flasim për jetën dhe kohën. Janë dy elemente që përcaktojnë historinë dhe krejt realitetin. Dikush mendon se kjo i përket dashurisë, ose siç i thoshim dikur erotikës. Ani ti përkasin edhe dashurisë. Një filozof i kohëve tona Oshoja foli edhe për principet e dashurisë, bile edhe të seksit. Ai thotë se pa dashuri nuk ka jetë. Gjithë njerëzia ka lind përmes dashurisë dhe është përtërirë me metoda natyrore të kohës. Pra koha dhe dashuria janë elemente që përcaktojnë etapën historike, ashtu si mjetet e prodhimit përcaktuan kohën historike. Unë po e shtjelloj këtë në mënyrën time të kohës dhe lumturisë njerëzore.
Gladiola Busulla (Jorbus) është një poete, mësuese, pedagoge, publiciste dhe shkrimtare shqiptare. Ajo ka lindur më 13.4.1983 në Durrës. U diplomua në Universitetin e Tiranës për Gjuhë- Letërsi në vitin 2005.
Ka kryer një master në profilin Menaxhim Edukimit, pranë Universitetit Epoka. Ka marrë titullin ‘Mësuesi më i mirë i vitit 2012-2013’. Ka punuar si lektore pranë Universitetit ”Aleksandër Moisiu”.
Ajo është pjesë e Këshillit Botues të Revistës ”Dituria” në Suedi, mbikqyrëse studimi, gazetare pranë radio ”Dituria”, udhëheqëse kulturore dhe bashkëpunëtore në disa media që veprojnë në Shqipëri e jashtë saj. Disa nga shkrimet e saj janë publikuar nga Sëedish Embassy of Tirana. Një pjesë e poezive të saj janë përkthyer në suedisht nga albanologu i mirënjohur suedez Ullmar Qvick. Gjithashtu poezitë e Gladiolës janë botuar në italisht, suedisht, bullgarisht, anglisht, greqisht dhe spanjisht në antologji të ndryshme.
Shtëpia botuese ‘’PAGINE’’ me seli në Romë / Itali ka përfshirë në botimet e saj dhe autoren nga Durrësi Gladiola Jorbus me disa nga poezitë e saj në gjuhën italiane. Ajo ka kanalin e saj në youtube Gladiola Jorbus poetry.
Gladiola Jorbus ka botuar tetë libra në zhanret: poezi, novelë, publicistikë. Titujt e librave të saj janë: ‘Dëshirë përsosmërie’, ‘Inanna’, ‘Namatisje – Refleksione’, ‘Gjurmë në ishullin e dritës’, ‘Shtëpia e mjegullës’, ‘Tempulli i Poseidonit’, ‘Llava e shpirtit’, ‘Njëzet e tetë vegimet e hënës’.
Lexova me endje poezinë e poetes Gladiola Jorbus me titull “Kur …” . Të duket se po noton në avullin e mëngjesit të hershëm, kur oksigjeni ka mbuluar gjithësinë, të vjen, sikur rrezet e sapodala të diellit janë kthyer në litarë lëkundjesh për gjumin e mëngjesit, të vjen të thërrasësh, o çohuni dhe lexojeni këtë perlë të metaforës alpine. Të flasim pak për poeten që na vuri në kurth me poezinë e saj “Kur …” Ajo ka një rrugëtim të gjatë në dije dhe përcaktim të natyrës shkollore.
Gladiola në këtë poezi ka një harmoni të vargut me vargun, sa të vjen në mendje ta cilësosh si cinike dhe cinizmi i saj harmonik me egon tonë si lexues për ta marrë atë varg i pari. Ajo nuk e toleron vargun, as paraardhës, as pasardhës. Gjendja e saj në kushtet e krijimit, ose më mirë të lindjes së vargut-poezisë është kaq cinike për të mos lëshuar pe në harmoninë dhe zgjidhjen e idesë emocionale dhe të porosisë, sa ndoshta ndodhet jashtë realitetit objektiv dhe ka të drejtë. Po nuk ndodhi kështu, nuk është poezi, as një rrëfimtari e një udhëtimi urban. “E brishtë si një degë – që pret të thyhet, kur muzgu bie mbi det”. Kur brishtësia është në kapërcim kohësh dhe ajo lëkundet në hamendësimet e saj dhe ëndrrën e kërkon të piqet aty edhe muzgu bie mbi det e koha kalon me, apo pa brishtësinë, apo pa e thyer këtë kohë të brishtë. Legjenda duhet dëshifruar, sepse autorja ka kërkuar të mendojmë dhe t’i japim zgjidhje porosisë. Në fakt ajo ka qenë kaq narrative në këtë varg, sa kohës dhe njeriut iu ka treguar edhe thyerjen në muzg e ky muzg zhytet në det. Ajo vazhdon me përkushtim dhe në harmoni të vargut “Pupëlore si një re – që ecën në majë të gishtave, kur mjegulla botën e kaplon”. Ky varg të dikton magjinë e eposit, të ngjall kujtimet e pranverës dhe të vjeshtës piklluar, të harmonizon me ngjarje që ti, apo ne i kemi fotografuar si peizazh të jetës kaluar në çaste të ëmbla e të tharta. Ky varg gjysmë e vërtetë e gjysmë mitike prodhon një ndjenjë metaforike krejt alpine. E unë që jam i ndjeshëm për epos e për vendet alpine, gulçoj ëmbël kohën e brishtësisë dhe i jap të drejt autores që me emocionon me vargun e saj të dlirë. Në këtë rrethanë poetike autorja përcakton se poezia-vargu nuk kanë masë. Ato janë si bota pa formë, ato nuk njohin tokë, qiell as dete, ato ndjenja kohe nuk përcaktojnë natyrë, janë qiellore e mbi njerëzore. Edhe pse mjegulla ka kapluar gjithësinë mos forma e gjënë udhën drejt të bukures. Tërësia natyrë dhe as kupola qiell nuk strehojnë dot këtë magji të asaj kohe brishtësie dhe fryma ndërpret lidhjen me organet jetësore. Ajo fryma, pra zihet në kurthin e kohës që duhet kaluar. E në këtë mënyrë e thotë pa hezitim dhe në harmonin e çiltërsisë hapur. “E pamasë si qielli – që jeton në hapësirën e pafundme, kur fryma zihet ngushtë.” … “E ftohtë si një fjollë dëbore – që ëndrrat drithëron, kur dhembja troket”. Gladiola vazhdon në harmonin e saj me brishtësinë. Atë e përshkruan një i ftohtë si fjollë bore. Ndoshta parandien se ëndrra tani më nuk ka, ndoshta furtunat sjellin reshje të pa pushimta, ndoshta … ndoshta … . Ajo zgjohet me erën, me drithërimën e ëndrrave, me frikën e ëndrrave. Ato ta bëjnë në këmbë rrugën e tyre, shikon autorja se si fshihen ëndrrat në skutat e mjerimit, shikojnë ato nga dritaret e ngushta kohën-stinët si pjergull të këputura dhe lakuriq. Ato, ëndrrat pra shikojnë dhe ndiejnë trokun e dhimbjeve e ëndrrat nuk duan dhimbje-mallkim, ato kërkojnë jetë dhe stinë të ëmbla si pranvere. Pas kësaj ajo triumfon, kërkon jete, dritë dhe harmoni, jo vetëm në varg, por edhe në stinë, edhe mes njerëzve. Kërkon të vendoset barazia mes të ardhmes. “E shndritshme si një rreze – që zbeh vetminë e shpirtit, kur errësira lëkundet në djep”. Shikon nga vargu në varg se si autorja parapëlqen jetën, nxjerrë atë humanizëm natyror që përcjellë shpresë. Vërteton se shndrit jeta si një rreze dielli, e ajo zbehë vetmin shpirtërore që ndjellë vetëm kob. Metafora epike vjen përsëri, errësira lëkundet në djep. Po e saktë errësirën e kam pa disaherë që përplitet në djep në dritën e hanës, të natës që hana festonte të pesëmbëdhjetën e saj, atë natë fryma ime ra në kurth e bota u mbulua në djersë, ndoshta ëndërr pa kushte, ndoshta jetë pa metafora, ndoshta gjallesë e gjallesës dhe dritë e dritës thërret. “Kjo jam unë ! Pasi stinët i zhveshëm së bashku”. Në kulmin e shndërrimeve të dritës poetja deklaron: “Kjo jam unë”. Unë, unë, stinët i zhvesh një nga një, i zhvesh sëbashku me “ne” me “ju” me “atë” dhe botës i jep jetë, aty ku gjendja ndryshoi, aty ku zemra dritën e ndezi për ta përcjellë në objekte të tjera frymore. “Kjo jam unë”, uni i cilitdo poet vendoset në piedestalin e kujtesës dhe njerëzorja me kujtesë të hekurt e shpuan murin me gozhdën e kujtesës së shpirtit njomzak. “Dhe buçima e lotëve u shndërrua në këngë”. Që në fillesën e kësaj krijese autori ka lotuar, sepse ishte ngjarje e këndshme e shndërrimeve. Shndërrimet janë dhimbje, mall dhe huti. Edhe populli, edhe poetët janë paksa konservator dhe ajo që po ikën të kujton ngjarje dhe kohë të ëmbla edhe të tharta, por loti është gati-gati prezent, edhe tek ndonjë që lotin nuk ta dhuron lehtë. Kënga t’i lartëson shndërrimet. Metafora dhe kurthet e këtyre poezive të kaplojnë çiltërsisht duke të marrë me vete deri në mjegullnajën e stinës pa shpirt.
Nëse gjen një poezi që rreshqet ëmbël si koha që shndërron brishtësinë në kërkim të stinës rradhës, sikur retë që ngjajnë me valltaret e kohës që kërcejnë në maje të gishtave, njerëzorja emrin e dërgon në hapësirën e pafund. Më ka ndodhë që frymën e kam zënë ngushtë, më ka ndodhë që zërin e kam mek duke thirrë, por nuk m`ka ndodhë ta frikësoj ëndrrën e ta bëj të dridhet. Dhimbja është e ndrojtur në trokitje, por errësirën në djep mos e mbani, sepse do iu mallkojë e ardhmja. Kështu porosit poetja. Ajo, poetja pra zhvesh stinët njërën pas tjetrës deri në agimin e kohës dritë. Pentagrami i lotëve bën muzikën si stinën pranverë. Mendojeni që të vijnë sa më parë.
Poezia e Gladiolës është e shkrirë në analizë dhe e përfshirë në thonjëza.
Tiranë, më 20.10.2024