Kadri Tarelli shkruan: A KA PUSHIME DIMËRORE PËR BUJQIT DHE BUJQËSINË…..?

Kadri Tarelli shkruan:
A KA PUSHIME DIMËRORE PËR BUJQIT DHE BUJQËSINË…..?
Intervistë me Lutfi Isufaj. Dr. Shkencash në mbrojtje të bimëve.
I nderuar Dr. Lutfi Isufaj, që shkurt ju thërrasim profesori, sepse visheni bukur
dhe mbani një çantë, ngjyrë bezhë, njëlloj si profesorët e Kembrixhit në Mbretërinë e
bashkuar.
– Ju ftova për kafe, për të zhvilluar një intervistë të shkurtër, lidhur me punët
dhe shërbimet që kryhen pemëtari, vreshta dhe ullishta, në këtë mes dimri 2025.
Pasi në mendimin e përgjithshëm, dimri mendohet si periudhë pushimi për bujqit dhe
bujqësinë në fshat, që sot i kanë gjetur një emër modern, “ferma” dhe “fermerë”.
Shkaku është fare i thjeshtë, madje mund të qeshësh, por mora shkas nga një
bisedë kafeje, me një grup shokësh pensionistë të zanateve të ndryshëm, si
mësues, ushtarakë, ekonomistë, artistë, mes nesh edhe agronomë.
Para pak ditësh ju pamë nga xhamat e kafes, që po nxitonit, sikur po ju ikte
treni. (Një shprehje e vjetër, e mbetur nga treni që s’priste minutin në zbatimin e
orarit të nisjes, ndërsa për mbërritjen e dinte vetë kur vinte në stacion).
Fillim bisede:
– Nuk e prisja këtë hyrje bisede kaq të bukur, ledhatuese dhe argëtuese, – e
filloi bisedën Prof. Lutfiu. – Po qesh me vete, pasi këtë shprehje “Dimri periudhë
pushimi për bujqit”, u bë një jetë që e dëgjoj, por tani nuk e besoj, sepse siç më kini
parë, edhe unë që jam në pension, pushoj vetëm në ditët me shi, se kur ka diell…..
ëhë…… jam në parcela me fermerët. Më njoftojnë dhe vijnë më marrin me makinë
dhe kjo më lumturon, pasi jam në natyrë, njëkohësisht shikoj një kthesë rrënjësore
në mentalitetin e bujkut tonë, lidhur me interesin ndaj tokës dhe prodhimit, përfshirë
pemët frutore, vreshtat dhe ullishtat. Nuk e them për t’i bërë qefin vetes, por interesi
edhe për të dëgjuar fjalën dhe mendimin e specialistit është rritur ndjeshëm.
Pyetje:
– Cila është arsyeja…? Po shtoj një pyetje në radhën e atyre që kisha
menduar….!
Përgjigje:
– Nuk e di sa kinin shëtitur nëpër kodrat e Shijakut, Maminasit, Manzës, dhe
Ishmit, këtu në rrethin e Durrësit? Nuk di a ju ka rënë rasti të udhëtoni në kodrat e
Belshit apo Dumresë….? Do vini re, se tashmë vendin drurëve frutorë, vreshta dhe
ullishta, të vogla e të veçuara e kanë zënë plantacionet, që kërkojnë shërbim dhe
mendim specialisti. – Më tej prof. Lutfiu vazhdon:
Me kënaqësi vë re se edhe te fermerët është pjekur mendimi, se shumë nga
dëmtuesit dhe sëmundjet që aktivizohen ndjeshëm në pranverë dhe verë, e
dëmtojnë ndjeshëm prodhimin dhe cilësinë. Nuk po them gjë të re, nga ana
shkencore, se me kohë janë publikuar shkrime në gazeta dhe buletine shkencore,
por gjatë periudhës së dimrit rezerva biologjike e dëmtuesve qëndron e strukur apo e
heshtur në formë vezësh, larvash, krisalinës së insektit, në tokë, në trungjet e
pemëve, në zgavrat e lëkurës, etj, etj. Kështu e rëndësishme është të kuptohet, se
punimet dimërore e pakësojnë ndjeshëm veprimtarinë dëmtuese në prodhim, mund
të them në të gjitha llojet e kulturave bujqësore, në veçanti të frutave, vreshtave dhe
ullishtave.
Pyetje:
– Vë re se shpesh e përdorni fjalën dëmtohet ndjeshëm prodhimi. A mund të
përdorni matematikën, që flet me gjuhën e shifrave, sa humbasim apo fitojmë nga
kjo punë dimërore?
Përgjigje:
– Është i njohur rezultati. Jo më pak se 30 apo 40%. Nuk është pak, jo vetëm
kur e mendon. Përfytyro që nga 100 kv ullinj apo rrush, të humbasësh 30 apo 40 kv.
Cili nga ne do ta pranonte për të justifikuar dembelizmin, mosdijen, apo
pakujdesinë?

Pyetje:
– Si specialist i vjetër me përvojë të gjatë në mbrojtje të bimëve, çfarë
mendoni se arrihet me kryerjen e trajtimeve dimërore…? Në veçanti ç’ janë trajtimet
e dru frutorëve, si një nga degët e bujqësisë?
Përgjigje:
– E theksova pak më lart: synohet prodhimi dhe cilësia e tij, si një tregues i
rëndësishëm, kur mendojmë tregun vendas me turizmin e shtuar dhe eksportin që ka
kërkesa të larta deri te sasia e pesticideve dhe kimikateve të përdorura. Laboratori
nuk të mban me hatër. Ndërsa për punimet ato dihen jo vetëm nga specialistët, por
edhe nga fermerët. Rendësi ka kujdesi dhe cilësia e punës, jo vetëm të punimit të
tokës rreth kurorës, por edhe largimi dhe eliminimi i degëve të thata, degët e
krasitura, grumbujt e barishteve, që shpesh i lemë në anë të parcelave, etj, etj. Një
kujdes i shtuar duhet në përdorimin e spërkatjeve dhe recetat e kimikateve.
Mbase është vendi të theksohet për një bashkëpunim me të specializuar me
farmacitë bujqësore, që tregtojnë helme dhe kimikate për zhdukjen e dëmtuesve
gjatë spërkatjeve, duke ditur jo vetëm leverdinë, por edhe rrezikun e mosdijes apo
pakujdesisë. Specialistët janë këshilluesit më të mirë dhe më të besueshëm.
Pyetje:
– Me që jemi në periudhë dimri: Ku dhe kur duhet të kryhen punimet për të
mbrojtur shëndetin dhe prodhimin e drurëve frutor? Po e bëj më konkrete pyetjen:
Cilat janë ditët më të mira gjatë dimrit, për të kryer trajtimet dimërore?
Përgjigje:
– Pyetje me vend, me vlerë për çdo kuvend: Ditë më të mira janë ato me diell,
pra ditë pa reshje dhe lagështirë moti, që fatmirësisht klima e vendit tonë i ka të
mjaftueshme, për të mos thënë me bollëk, sidomos në zonën bregdetare, ku janë
përqendruar edhe sipërfaqet më të mëdha me pemë, vreshta dhe ullishta.
Pyetje:
– Ju e njihni mirë organizimin e veprimtarisë bujqësore, tashmë edhe në
kushtet e pronës private të tokës në fshat. Ndaj po pyes: A ka specialistë nëpër
qendra dhe fshatra që japin ndihmesë, si këshillues, në kryerjen me sukses të
punimeve bujqësore, në veçanti të shërbimeve dimërore në pemëtari…..? Në
vazhdim të pyetjes: Cila është porosia për specialistët e rinj, si doktorë të mbrojtjes
së bimëve?
Përgjigje:
– Përgjigjen po e filloj nga fundi.
Doktorët apo mjekët e mbrojtjes së bimëve, pra specialistët e rinj, duhet të
jenë të papërtuar për ta parë problemin në vend dhe të japë udhëzim për mbrojtjen
dhe trajtimin e bimëve. Duhet të dëgjohet më shumë zëri i tyre, jo vetë te fermerët,
por edhe në zyrat e shtetit, pasi prodhimi bujqësor është problem kombëtar dhe
pasuri kombëtare. Telefoni është vetëm për njoftim. Është njësoj sikur t’i thash
mjekut më thuaj nga se vuaj, pa të vizituar…!
Pyetje:
– S’ besoj se jam jashtë teme, kur ju pyes: A ndjeni dhimbje shpirtërore, kur
kujtoni Institutin e Mbrojtjes së bimëve, ku kini punuar për një periudhë të gjatë….
Nuk e imagjinoj dot pse u mbyllën? Ç’ fituam dhe çfarë humbëm dhe po
humbasim…..?
Përgjigje:
– Për këtë duhen pyetur politikanët dhe shtetarët që morën vendim për t’i
mbyllur. Me sa di unë, që jam goxha i shëtitur, nuk ka shtet në botë që mos ketë
Institut të mbrojtjes së bimëve. A mund të mendohet një vend pa spitale dhe mjekë,
përfshi edhe laboratorët e studimit dhe kërkimit.
Instituti në vetvete, grumbullonte specialistët më të mirë, grumbullonte përvojë
dhe shpërndante dije e përvojë, si nga vendi ashtu edhe nga bota.
Besoj nuk është pak, kur mendojmë pasojat.

Kadri Tarelli
Janar 2025.