Esmeralda Bregaj
Të jesh vajzë, nënë shqiptare
Sa shumë po diskutohet në mediat sociale idealizmi i femrës dhe nënës perfekte shqiptare. A nuk ishe ti, ti qenie njerëzore që ke kaluar shumë paradokse, shumë kultura dhe shumë shekuj në kërkim të një të vërtete fikse? Te lutem me thuaj, kush je ti që kërkon perfeksionizmin nga një femër shqiptare, kur vetë kjo femër ka kaluar paradokset e kohës? Femra shqiptare ka qenë simboli i një vajze të virgjër nga jeta e lënduar nga fati, kurse sot femra shqiptare është e lënduar nga jeta e bekuar nga fati. Pse? Sepse një lule rritet nga dheu ku mbjell farën. Si mund të gjykoni një femër apo një mashkull kur në 20 vitet e fundit dheu ku ajo po rritet ka kaluar ndryshime radikale shoqërore dhe ekonomike? Dhe ajo që më lëndon më shumë është gjeneralizimi. Vërtet, Shqipëria ka kaluar ndryshime radikale, por ka dhe do të ketë gjithmon (me nje perqindje jo te madhe) familje që po i ngrejnë vlerat atij kombi. Ka gra që punojnë ditë e natë dhe po shqyhen si ujqit për të mbijetuar kohës, për të rritur një brez të kulturuar duke punuar e fituar buken,artin me gjak e dedikim. Pse nuk bazohemi në këtë shtresë, në këto gra heroinë, megjithëse të pakta? Kështu, ai vend do të lyhet me të kuqen e jetës dhe shpresës dhe jo me botoks e gra identike që askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë, pavarësisht se po ndryshojnë etikën e një kombi. Sa kollaj të flasesh e të gjykosh… Po, ai vend ka nevojë për një brez të ri, ka nevojë për kulturë sistematike, idealizuar dhe kryqëzuar në disiplinë dhe përkushtim. Por unë, Esmeralda Bregaj, një grua, një vajzë, një nënë dhe një grua, nuk lejoj që femra shqiptare të përulet, të gjykohet e të lëndohet. Ne sot duhet të ngremë vlerat e të flasim. Sot une po ngre dorën për Teutën e Ilirisë (Teuta e Ilirisë, e njohur edhe si mbretëresha Teuta, u vu në krye të shtetit ilir dhe të ushtrisë së tij pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron), për Elena Gjikën (Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste rumune me origjinë shqiptare. Ajo njihej me pseudonimin Dora D’Istria, sepse atëherë ishte shumë i vështirë pranimi i rolit të gruas në letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci dhe profesione që ishin pronë e mendjes mashkullore. Në kohën kur jetoi, Elena u quajt Princesha e Kulturës Evropiane), për Shote Galicën (E kush nuk e njeh Shote Galicën, jehona e së cilës jeton edhe sot? Luftëtare e shquar e çetave kryengritëse të Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Pas vdekjes së të shoqit, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij) dhe pse jo Ikbal Çikën (Ikbal Çika është gruaja e parë gazetare shqiptare dhe e para pronare grua e revistës ekonomike-letrate “Java.” Ajo hapi rrugën për fillimet e përfshirjes së grave në të gjitha fushat e jetës dhe dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e nivelit arsimor, kulturor, emancipues për gratë). Duajeni gruan shqiptare, miqtë e mi, dhe bashkë me ndryshimin të pranojmë se koha ndryshon dhe nuk e kapim dot, po koha na kap ne, po të jemi konkretë, jo idealistë dhe një zë i fuqishëm sjell ndryshimin. Mënyra si shikojmë kohën sjell portretin e idealizimin. Mos idealizoni, po dashuroni, respektoni dhe luftoni për vlerat, virtytet e nëse çdo familje punon pak më shumë, me dashuri, ai vend gjithmonë do të ketë emrin Shqipëri. Dhe ne bijtë tuaj nëpër botë do të kthehemi jo vetëm për detin dhe historinë që na lidh, por për një krenari që i merr krahët si shqiponja e fluturon e lirë. Të dua Shqipëri dhe jam pozitive, jam me ju… vajza dhe nëna shqiptare.