Ullmar Qvick
I nderuar mik Sokol!
Falemnderit për materialet që po boton vazhdimisht në revistën elektronike DITURIA. Kam një tekst që mund të botohet, në të duket në rregull. Ja ka është:
BUDALLALLEKU SHQIPTAR – BUDALLALLEKU SUEDEZ
Po merrem shumë në dhomën time me krahasime midis njerëzve me kombësi të ndryshme. Dihet se individët kanë tiparet e veta, dihet se përgjithësimi mund të jetë i rrezikshëm. Mirëpo, historia, tradita, shoqëria kanë pasur një ndikim tek individët, dhe kjo ka krijuar një mentalitet me përmasa të gjera.
Kështu në viset shqiptarë, kështu në Suedi.
Para se të hyj në çështjen e budallallekut, do të shkruaj pak për mprehtësi mendore:
ADMIROJ analfabetët shqiptarë, të cilët treguan mprehtësi mendore në fund të viteve 1960-të, kur filloi shkollimi i lartë në Kosovë. Burra konservatorë në qytet dhe në fshat pranuan pjesëmarrjen e vajzave në studimet e larta. Jo të gjithë, kuptohet, ndonjë Babaqemos sigurisht nguli këmbë se detyra e vazjes ishte të mbetej në kuzhinë për të gatuar ushqim dhe për të lindur fëmijë. Por shumica treguan mprehtësi mendore, gjykim të shëndoshë. Besoj se kuptuam se ne, më në fund, do të kemi shkollim shqiptar, do të jetë një shans për shqiptarët të të dy gjinive të jetojnë më mirë se prindërit dhe baballarët. Do të përparojë në këtë mënyrë kombi shqiptar!
ADMIROJ punëtorët suedezë që në mes të shekullit 19-të kuptuan se vetëm shkollimi, përparimi moral, shoqëror dhe ekonomik do të na largonte nga mjerimi, nga gjendja e tmerrshme si një nga shtetet më të prapambetura në Europë në atë kohë. (A më besoni, shqiptarë të mirë, Suedia ishte në fund të listës nga ana ekonomike-shoqërore atëherë para 150 vitesh!) Dhe filluan njerëzit në Suedi të zhvillonin të tri levizjet popullore: Kundër keqpërdorimit të alkoolit, kundër monopolit fetar të kishës suedeze dhe më me rëndësi: Levizjen punëtore. Kuzhinat e punëtorëve u shndërruan në shkolla popullore ku disa shokë të punës studionin së bashku në kohën e lirë. Dituria na jep fuqi, na jep rëndësi shoqërore dhe politike. Këto levizje popullore, bashkë me lëndët tona të para, drurin dhe hekurin, ndikuan shumë në formimin e Suedisë demokratike me drejtësi shoqërore dhe mirëqënie ekonomike.
MË VJEN KEQ për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë kuptuar këtë të vërtetë që kuptoi klasa punëtore, njerëz të thjeshtë, në Suedi para 150 vitesh. Mosbesimi ndaj shoqërisë, mosbesimi ndaj veprimit të përbashkët shoqëror pa dallim moshe, gjinie, prejardhje familjare, është plagë e rëndë mbi trupin e shoqërisë shqiptare. Rilindasit tuaj bënin thirrje për bashkim, bashkëveprim! Sot më shumë se kurrë keni nevojë për këtë bashkërenditje të forcave tuaja. Shembulli suedez ju meson se duhet punuar në bazë të shoqërisë, në organizata me karakter lokal, të lidhura pastaj në njësi kombëtare. Tani nuk keni zaptuesin e huaj, i cili ju pengon, nuk keni diktaturë partiake… ju pengon vetëm mentaliteti juaj i mbrapsht!
MË VJEN KEQ për suedezët e ditave tona, të cilët nuk marrin masa për të ndaluar demontimin e shtetit të mirëqenies që u krijua me mund dhe djersë nga baballarët tanë. Suedezët deri në kohën moderne kanë pasur një besim (sigurisht pak naiv) se shteti është lidhur me popullin, se jemi te garantuar siguri dhe kafshatën e gojës nga shteti, në rast nevoje. – Mirëpo, filloi dalëngadalë, me një llojë sikur prej shahistit dhelparak, privatizimi i ekonomisë suedeze…. Ku e kemi sot postën, ndërmarrjet, barnatorët, shkollat….. janë në duar private! Po privatizohen një nga një sektoret më të ndieshme të shoqërisë sone, ato që kanë të bëjnë me të drejtat tona elementare për jetesë, për demokraci…. Në fron të shoqërisë sonë u ngritën Lakmia dhe Egoizmi, sunduesit brutalë në një pjesë të madhe të botës sot.
Nuk jam politikan, nuk jam skencëtar, vetëm kam mendimet e mia si njeri. Shpresoj se shqiptarët do të diskutojnë për këto çështje që përmenda këtu, dhe pastaj të veprojnë. Ka ende kohë.
Ullmar Qvick më 11 tetor 2012.