Elvira Zeneli
HARKU I TELAVE TË DASHURISË
Kjo mbrëmje e heshtur dimri
përpiqet ta ndaloj këtë mendim të largët
Një zjarr i lehtë shpirtin e ngrirë ma ngacmon
Sytë e tij që thellë më buzëqeshin
Mendja ulet e pushon mes vargjeve
Testaturën e ula dhe fillova të meditoj
Ti erdhe me fanar dhe hyre në koridorin e kalasë,
I mbuluar me pluhur e fije merimange.
Ah, ky krater vullkani i zjarrtë
Klithmat i përthyhen mureve
Ai është harku i telave të dashurisë
Është i vetmi tel i lumturisë
Që rrugën e mbetur të kohës sonë na tregon
E dielli që rrezon rrugën për në kopshtin e besnikërisë që kemi ne të dy,
Sikur i ka ngrirë rrezet e tij pas perdeve të mjegullës dimërore.
Plakjes sonë fundi i ka ardhë
Përderisa shpirti rinohet me dashuri
I dhamë zjarr, buzëqeshje, puthje, syrit dhe fytyrës,
Ne i dhamë emër edhe ëndrrës…
E gjatë më duket nata dhe i largët është mëngjesi kur më mungon zëri yt
Të përshëndes me buzët ngjitur, ngrirë nga akulldimri…
Ne e dimë se jemi te dy të harlisur në dashuri.
Pa çka se ti ngele me kostumin tënd gri
E unë ngela mbështjellë me vellon e nusërisë harruar nga kurora e prangosur
Në një kohë të pakohë!
Duke pritur një çast mos dimri do të shkrijë…
NESËR JAM ATY…
Nesër jam aty,
U bëni zë lisave të më dalin përpara
Në këmbë me kujtime të më presin
Të më shohin sa jam rritur,
Të ulemi e të çmallemi.
Nesër jam aty,
Kroit me kupën e gurtë i thoni
Ta ruaj, po mundi, një grusht me ujë për mua
Kam një etje të moçme
Vij e lodhur nga rruga
Kujtimet më shfaqen në çdo vend ku kam ecur
Imazhi yt më del duke më buzëqeshur
Si legjenda e Urës së Vashës
Lumi i shtrirë nën këmbët e saj
Freskon me valë dashurinë e humbur.
Nesër jam aty
Kujtimet do ti mbledh si një buqetë me lule në hyrje të fshatit
Ngashërimi do t’ja shkundë fletën e fundit manit
Fletë e fundit, a fjalë e pathënë i dashur
Thinjën time fëmijëria, do ta shtyjë në kufinjtë e legjendës,
I dashur, jam aty nesër!