Gladiola Jorbus
Aromë
Nostalgjia udhëton çdo ditë
në të njëjtin orar me mua.
Në shtigjet e kujtesës
krejt padashur të has
dhe fryma ndalet…
Fjalë, buzëqeshje, pëshpëritje,
hije që vallëzojnë me shpirtin.
Rrugët që i shkel sot
janë të zhveshura, lakuriqe,
nuk më drithërojnë dot.
Nuk i vrava gjunjët në këtë kalldrëm.
Nuk më rrahu zemra nën këtë qiell.
Nuk mblodha lule të rritura
me aromën e Freyas.
Por me aromë zanash e kreshnikësh.
Manteli i kohës më mbron
nga shtrëngata e shpirtit.
Edhe pse mijëra herë, e kam tradhëtuar
të tashmen me të shkuarën.
Shkronjat e mia rrëzohen përdhe.
Nuk kam forcë t’i mbledh.
Veç me mall i bekoj.
Këtu jam një zonjë e mirë, e huaj.
Atje jam bija e dashur, e mërguar.