Elvira Zeneli
PIKËLLIM SHPIRTI
I dashur, a e di që unë ecë me kujtimet e tua,
Shfletoj mallshëm librin e jetës sonë
Ti nuk e ndjen as lotin që m’bie mbi fletët e librit…
Por e shikon kot siç shihen retë shterpë pa shi.
Ta dish se e hidhëruar jam me ty…
Ah kjo natë e shtroi terrin
Si nuse e ve me vello të zezë
Yjet zhduken në kupën qiellore
Nuk xixëllojnë më si atëherë.
Ata po digjen në vetvete në thellësinë e pafund.
Tamam si qirinjtë në ritualet kishtare.
E të gjithë luten për ty!
Ah, sa vrapojnë kujtimet tona
Si kuajt e harlisur n’garë.
Dhe duket sikur kjo thundra e hekurt
E stampon gjithandej patkoin të më sjellë fat
Por jo, kjo jetë nuk paska kuptim pa ty!
Të lutem mos m’u lut në ëndrra
Se, sdua të mbaj pezmin në rrudhat e bukurisë,
Ato ua heqin buzëqeshjen stinëve;
Shkoj tek vendi ynë dhe ulem aty
ku më pe për herë të parë,
e mban mend?!
Se dua ta nxjerr këtë zë çmendurie prej brendisê
E t”më dëgjosh se sa dhimbje kam në shpirt!
Po ti, pse hesht! Hë, fol pse?!
Përse kohën m’a bëre vdekatare?!
Unë Perëndeshë s’jam që të rroj pafundësisht
Në magjinë e fjalëve të dashura e të sinqerta, të dhurova mijëvjeçarë.
Të ardhmen tonë e fsheha në aromën e vargut të dashurisë, e të pikëllimit të shpirtit…
E vallëzon ajo me rrahjet e zemrës së vrarë
Dhe dimrin e acartë mundohet ta kthej në behar!
Po po ashtu është , ky shpirti im i vrarë…