E merkura poetike me Vjollca ALIAJ

Vjollca ALIAJ

Eja

Eja, ti eja, poezia ime,
ti presim mëngjeset e përflakura me një filxhan vesë
larg udhës së verbërisë ku çmendurisht garojnë egot.

Kohë makutërie, s’ke ç’i bën…
Le të rendim pas erës,
me vargje të ngremë foletë e zogjve
edhe pak vjen pranvera…

Eja, ti eja, poezia ime
ta përcjellim diellin buzëmbrëmjeve
me një vals stërkalash dallge,
larg skutave të errëta ku masturbojnë mllefin inatçinjtë.

Eja, ti eja,
shpirt binjak!

Tundim malli

Më shumë se prej mishi, jam prej ëndrre
Me gjymtyrë të ambërta,
Bebëza të uritura,
Në anarkinë e horizontit një revoltë lirie…

Më shumë se prej mishi, jam prej drite
Me aromë dehëse të buzëve,
Tundim i kthjellët malli,
Nën një vorbull shikimesh,
Prekje,
E të pashprehurave fjalë…

Më shumë se prej mishi, jam prej fryme
Me shpirt në çengela gjaku,
Djeg kaq shumë,
Pesha e të shkuarës nuk më ndahet,
Më le të prehem,
Në kujtimet e njerëzve,
TINGËLLUESE,
Si një lloj poezie…