Fazli Ferati: Poeti që hynë në botën e fëmijëve

Fazli Ferati

Poeti që hynë në botën e fëmijëve

Poeti Ismet Tahiraj, tani si krijues i dëshmuar në artin e bukur poetik, me atë përvojën shumë vjeçare në këtë fushë, vije para lexuesve me librin e tij të radhës për fëmijë “Drita ime“.

Te poezia “Drita ime“ poeti bën përsëritjen e vargut “Ti drita ime “ sikur e madhështon realizimin artistik të këtyre vargjeve, me një fuqi, si shprehje shpërthyese me ndjenjat e tij emocionuese.

Ti drita ime

Prej ujit bilur

Ti D(r)ita ime

E bilurtë

Te poezitë “Kaça“ e “Murrizi“ sikur poeti me vargjet e veta flet për anët pozitive e negative të tyre: në njërën anë kaça jep marmaladën e në anën tjetër pickon fëmijët me gjembat e saja, si dhe mundëson fshehjen e insekteve e gjarpërinjve, që shfaqin rrezik për fëmijët. Po ashtu edhe për murrizin poeti sikur rrëfen për fshehjen e iriqëve, ku natën në kotec i rrezikojnë zogjtë e pulave.

Me vargjet e kësaj përmbledhje poetike për fëmijë, poeti Tahiraj e njeh mirë botën e fëmijëve dhe hyn brenda saj, duke e bërë mjaft tërheqëse për lexuesit e vegjël. Tematika e librit “Drita ime“ ishte e larmishme. Ai thurë vargje për insekte siç janë: Kërmilli, Karrabishti, Pleshti, Bleta e tjera, me ato karaktreristikat e tyre qofshin pozitive, apo negative. Fëmijët pothuajse rritën me botën e tyre ëndërruese për jetën. Pastaj në këtë libër poeti nuk e lë pa thurur vargje si: për zogj, për lepurin, kaprollët, edhat e tjera.

Tre zogj t’bukur

Në mes prilli

Marrin nuse

Lule trëndafili

Apo, poezia “Ç’tha një lepur“ :

Një lepur në ferrë

Diku thellë n’zabel

Tafës i çoi fjalë

Atë arën mbi lumë

Duhet ta punosh

Me zell më shumë

Te poezia “Edhat’’, sa bukur poeti thurë vargjet:

Kur bëhen dy me dy

E kur nisë të bie nata

Kërcet dera

Thua ra granata

Të vjersha “Lumi’’ sikur poeti ua ngjallë dashurinë fëmijëve për lumin, për rëndësinë e ujit që ka për njeriun e tokën.

Gjithashtu të poezitë “Përroi’’, “Ibri më i miri’’, “Gurgullimë e lumit’’, poeti përshkruan bukuritë natyrore të lumenjve e sidomos të lumit Ibër, me ato gurgullimat pas reshjeve të shiut.

Poezitë qe do pasojnë ne vazhdim i takojnë një tematike tjetër, asaj sakrifice për të qenë të lirë ne trojet tona stërgjyshore. Poezia “Treni nuk ngec’’, flitet për jetimat që kanë mbetur pas luftës.

Kur shpresa vyshket si lulet

E balli errësohet si natë

Jetimit gëzoja ditën

Buzëqeshjen jepja dhuratë

Poeti thurë edhe vargje përshkruese si të poezitë: “Plagët nuk t’ janë tharë’’ (Kadri Bistricës), “Vashë, a orë mali’’ (Shotë Galicës), “Gulçime zemre’’ (Astrit Deharit) dhe “Shpella e kaqakëve’’.

Vargjet për Shotën, për Kadri Bistricën, për Astrit Deharin si dhe për luftën e kaqakëve për çlirimin e atdheut.

Pra, me këto vargje poeti të fëmijët sikur ua ngjallë ndjenjen e atdhedashurisë dhe për njohjen e figurave emblematike për mbrojtjen e atdheut ndër breza.

Të kësaj natyre është edhe poezia “Me flamur në ballë’’ ku flitet për trimat luftëtarë të Azem Bejtes në mbrojtje të atdheut, ku ndër të tjera poeti thotë:

Azem Bejta

Djalë drague

Dan Doroci

Si fajkua

Sytë si shqiponjë

Shkrepin vetëtima

Për liri t’atdheut

Luftojnë këta trima

Ndërsa te poezia “I foli gurit’’ personazh i së cilës ishte një luftëtar që kurrë nuk u pajtua me roberinë, pra bëhet fjalë për Dan Dorocin, ku ndër të tjera poeti thotë:

Dan Doroci

I flet gurit

Ti më dhe

Forcë djalërie

E urti të burrit

 

Te poezia “Zgjedha’’ përmes fjalës poetike poeti ua përkujton fëmijëve kohët më të vjetra, kur arat lavroheshin me qe. Ky element shihet qartë te poezia “Zgjedha’’.

Kur i mbreh

Qetë në zgjedhë

Gjyshi Zenel

Puna i shkon mbarë

Kur mbjell grurë e mel

Poezia “Erdhi marsi’’ flitet për rritjen e bimeve në syrin e pranverës.

Përshëndet elbi

Dhe gruri shçim

Na duhen dhe rreze

Deri n’perëndim

Kërkon luledielli

Rreze dielli dua

T’më forcohet

Shtati mua

Krijuesi  Ismet Tahiraj përmes vargjeve të këtij libri, me një pasuri tematike e figuracion të pasur artistik  e ka arritur mjaft bukur e sukseshëm realizimin e këtij libri. Krijuesi ligjëron rrjedhshëm e bukur për botën e fëmijëve, duke e njohur mirë anën psikologjike të tyre.