E diela poetike me Irena Dragoti

Irena Dragoti

Inekzistencë

Nata më ngjason…
Mblidhet si unë, lëshuar,
në një shtëpi plot me njerëz.
Lidh duart pas krejve si strehë paqeje
e mbi avullore mendimesh
udhëton sërish të nesërmen
si qenie e dobët dhe e brishtë
tek peshon mes humbjesh dhe rutinën…

Kam kaq shumë dritë
por nuk përcjell dot historinë
Më vdes çdo ditë, trotuaresh
pas prangosjes së jehonës.
Asnjë paraardhës nuk jetoi këto troje
përveç kohës që u ndal aty,
ku ne zgjodhëm, të shohim zgjuar,
se si ecën rruga..
në kahun e kundërt të ekzistencës.

Drejt bijës

Kur udhëtoj drejt bijës,
kokëulur mbaj frymën.
Me vehte them, lutje të ngatërruara
Si një marri kafshoj buzën e fajit
I kruaj kokën, padurimit
Kërcas gishtërinjtë,
nxjerr flatrat si qëndisma kryqi,
që më thuri motra kur ika,
se rrojnë më gjatë.

Udhëtimet e mia janë të rralla.
Drithma oqeanesh lakojnë largësinë
Fshikjen e ajrit dërgoj si lajmës,
drejt mallit veshur si shtëpi.
Ai më zgjat krahët,
të ngre në këmbë kujtimet.

Shikimet ngecin mbi re,
si veroret tek pema e dardhës,
I bëjnë hije gjumit tim të degdisur,
atje ku dielli lindi gjashtë orë më parë.

Mbjell karajfila të bardhë pas çdo miljeje,
të gjej rrugën e kthimit me aroma,
atje ku zemra pulson të ardhmen,
vetëm me zë fëmije.