Linda Shaqiri
Mozaik qëndrese
Mos gjyko!
Nën hijen e muzgut,
Mos më vështro!
Pse rrugët e mia i lava me kohë,
Mos më gjyko!
Stinët i kapa me gishtin e hënës,
Derdha durimin në grusht oqeani,
Nën strehë ndërtova fole,
Të ruaj lotin nga pluhuri i mykur,
Acari i djegur,
E ti që vështron fijen e flokut të artë,
Shkëlqimin e shpirtit,
Në bebëzën e syrit,
Shiko gjurmët nën hapat e mi,
Sa plagë mbështolli balta,
Ma e ëmbël sesa mjalti,
Sa pallate e kulla,
U ndërtuan mbi një mozaik,
Mozaik qëndrese!
Linda
Kur lindi Ajo,
Me lot qau dhe qielli,
Ndau detin në katër anë,
Bashkë me të lindi dhe dielli
Në pranverën e bukur,
Të muajit Maj,
Me mahnitjen e shtojzovalles,
Lindi me misionin e ringjalljes,
E shpresës dhe besës,
Mikeshë e Diellit dhe Hënës,
Dashuri ka tre yje qielli,
Rrethuar me tre Luanë,
Një mesazh i shkruar në letër,
Me ca rreshta,
I vulosur diku lart,
Thuhet në planetin e Mërkurit,
Bekimin nga Zoti e mban në kraharor,
Me emrin më të bukur të Majit,
Si dhuratë nga Nëna e Diellit,
Që dha jetë nga jeta e saj,
E madhja Mbretëresha NËNË,
Le të rrojë sa malet e Perëndisë,
Sa shtigjet e hapura, Deri në pavdekësi!