Vjollca Aliaj
Kërcim dritash
Natë e heshtur. Bota fle nën perden e stinës. Qielli qëndron i hapur si një faqe libri, tepër i vjetër, mbushur me fjalë drite, të cilat ngazëllyeshëm përpiqem t’i lexoj.
Në këtë hapësirë të pafundme, yjet, të shkujdesur si fëmijë, bien… bien…
Shiu i tyre zbret mbi tokë, duke lënë pas atë ndriçim që zemra ime e trazuar e përpin ethshëm. Kërcim i heshtur dritash!
Puthje shpirtpërjetësie!
Këta lotë të universit, ajërshkrirë, sjellin ëndrra rebele mes ndriçimit të tyre.
U përulem Perseideve! Toka dhe deti, krahëhapur, përqafojnë dritëpërthyerjet.
Ndihem kaq e vockël!
Kjo poezi e qiellit zbret drejt meje,
më rrëmben dhe më ul në prehër të muzave…
“Një barkë në muzg, si një njeri i braktisur,
thyen dritat mbi heshtjen e saj.
Belbëzojnë valët bregut,
teksa fryn puhizë e erës.
Është ora e këngës së sirenave…”
Mëngjesi
Mëngjes herët. Nata ende mbështillet pas hijeve të saj e dielli ngurron të zgjohet. Toka ka veshur një pelerinë të hollë kristalesh. Bryma shtrihet butësisht mbi barin si pëshpërima e ftohtë e qiellit, i cili ledhaton tokën me gishta akulli.
E magjishme puthja e dimrit, ky çast i ngrirë midis ëndrrës dhe zgjimit, kjo perde e tejdukshme që fsheh ngjyrat e fushave nën një tis argjendi. Duket sikur mijëra yje kanë rënë mbi tokë gjatë natës dhe janë kapur pas fijesh bari e petalesh të harruara nga stina e shkuar.
Tashmë dielli po ngjitet lart, bardhësia fillon të tërhiqet ngadalë, shkrin si ai kujtimi i brishtë që fluturon fjollësisht. Udhëtarja e heshtur e natës humbet, aroma e saj mbetet e ngulitur në ajrin e këtij mëngjesi.
Ah! Kjo freski zgjon qytetin e huaj, pikturë, jeton vetëm çastin…pastaj, pastaj buzëqesh në dritën e ditës. Ndalem, kthej kokën drejt fushës, jam gati të klith vargun e bukur të Giuseppe Ungaretti-t:
Mattina
M’illumino d’immenso.
(Mëngjesi
Ndriçohem nga madhështia.)
Vërtetë, po ndriçohem nga ky çast drite ku shpirti më shkrihet me pafundësinë!