Cate poetike me Albert HABAZAJ

MOSTRA

Albert HABAZAJ

Kam njohur një budalla të lumtur
Që nuk është tronditur një herë,
Interesant, mendimi i mençur
Nuk i ka trokitur dot në derë.
Fatkeqësisht, e njoha atë njeri:
pa tipare deri në çngjyrosje,
pasanik deri në ligësi
tip pushti gjer në pështirosje.
Një frymor në formë dybeku
ndonjë fjalë pa shprehur ende,
kopje e dalë nga Gobseku
pikturë e lemeritshme legjende.
Nuk ia n joha atë fytyrë
Me ata sy si të laraskës,
stinëve si nepërkë e ngrirë
shfaqet vetëm përmes maskës.
… Të gjithë e dinin që ishte
Shoku i ngushtë i Tartufit,
E dinin të gjithë që ishte
Kushëri i parë i bufit…