Fjolla Muaxhiri Agusholli
Nga libri me tregime “Me fal shpirt”…
ShPËTIM, EMËR I LIRISË
Ditë e hënë gushti, data është 21 e vitit 2023. Ka shumë kohë që unë nuk jam ndjerë aq e dërrmuar. Shpirti im më është ndarë në copë- copë dhe për herë të parë frika po më frikëson, aq shumë sa që i gjithë trupi po më bëhet mornica. O Perëndi, më ndihmo!
Është kjo dita që e lashë Shpëtimin në hyrje të aeroportit të Prishtinës, ku ai po udhëtonte drejt Belgjikës, për të kërkuar ndihmë mjekësore për njërën prej plagëve të lirisë që tash e ca kohë po e trette pak e nga pak.
Ky është tregimi im i vetëm që unë e shkruaj me shumë dashuri, po edhe me shumë dhimbje, po aq sa me shpresë e forcë, po aq edhe me shumë frikë, sepse në këtë tregim personazhet kryesorë jemi unë dhe Shpëtimi. Është ai që e dua edhe më shumë sesa veten time, por ndjehem edhe e frikësuar paksa sepse vetëm një natë para kësaj nate që Shpëtimi tani është sistemuar atje në një ndër spitalet e Belgjikës dhe është me kilometra larg meje, e unë që po qëndroj e vetme në shtratin tonë, në dhomën tonë të lumturisë, por edhe të dhimbjeve dhe të vuajtjeve. Shpëtimi sërish filloi t’më tregonte se si kishte ndodhur rasti i plagosjes së tij, pikërisht një natë para natës së sontme, po përse deshi sërish të ma rrëfejë atë përjetim të tmerrshëm?
-A thua po mendon se unë e kam harruar? Apooo… mos ndoshta ky rrëfim do të jetë për herë të fundit? Jo, o Perëndi! Mos më sprovo sërish me sfida të papërballueshme! Jo, jo, zemra ime nuk po ma ndjen fatkeqësinë, por edhe nuk dua ta pranoj një gjë të tillë.
Shpëtimi e nisi kështu rrëfimin e tij, duke më thënë: Ty Fjollë të kam treguar disa herë se që nga fillimi i prillit kur unë e vesha uniformën që e ëndërroja me muaj. U betova si një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare dhe nga dëshira për të dhënë nga vetja çdo gjë për të shtrenjtën Liri, isha aq i lumtur, sa që edhe jetën time e shndërrova në gjak Lirie. Me këto fjalë ai e fillonte gjithmonë rrëfimin e tij. Një javë sa qëndrova në kazermë për ushtrime, më dukej sa një jetë e tërë e me padurim e prisja ditën që të niseshim për në Kosovë.
Ajo ditë erdhi pas një jave dhe gëzimi që të jem atje te shokët e tjerë, ishte i papërmbajtshëm. Ishte data 12 prill. Ditët e prillta kishin filluar dhe lufta që nuk priste, por vriste pa mëshirë, shtoi ai. Po, i thashë unë, ishin ditët më të tmerrshme ato ditë lufte, duke ia mbajtur dorën e tij me dy duart e mia, por Shpëtimi nuk ishte më aty afër meje. Ai ishte ngritur prapë atje lart në mal, atje te Rrasa e Koshares së tij. I kishte mbyllur sytë dhe fliste duke dremitur e duke e tejçuar mendimin larg e më larg. Unë iu afrova edhe më afër për t’i dhënë mbështetje, por si duket nuk po e vërente, kot ishte përpjekja ime në ato çaste, madje e tillë ishte çdoherë kur ai e ngjiste Kosharën dhe Lisat e tij.
Edhe unë isha strukur thellë brenda mendimeve të tij e për ca çaste e vetmja ishte heshtja që na shoqëronte, e ndonjëherë ajo na ledhatonte aq dashurisht. Si duket, edhe ajo e ndjente dhimbjen time që më thumbonte pa ndalë, e kjo ndodhte sepse unë çdoherë atij tregimi ia dija fundin. Që në fillim dhe më dërrmonte dhimbja në shpirt në të gjithë qenien time, madje shumëherë ajo dhimbje më përpëlitej mes lotëve mbi fytyrë dhe më zbriste pikë- pikë drejtë e në zemër, e unë që heshtas çdoherë mundohesha t’i fshija ata lot dhe ta bëja rolin e burrneshës, që prapë të rinisë mbi buzë një buzëqeshje krenarie.
Pas pak çastesh Shpëtimi i kishte çelur sytë, ata sy të gështenjtë që lehtësisht mund ta kuptoje se si ata sy flisnin, çuditërisht pa e thënë as edhe të vetmen një fjalë. Po pra, sytë e Shpëtimit janë sy që flisnin në heshtje.
Ishte ora 12 pas mesnate dhe data 13 prill sapo kishte hyrë, e me këtë natë të prillit hymë edhe ne që ishim një rresht i gjatë me afër 100 djem të rinj ku me ata isha edhe unë. E shkelëm tokën e Kosovës, shtoi ai, pikërisht me të kaluar gardhin që e ndante Shqipërinë dhe Kosovën, thoshte Shpëtimi duke marrë frymë thellë që t’i mbushte mushkëritë me oksigjen, sepse kohët e fundit nga dhimbjet e mëdha, edhe fjalët që ai mundohej t’i thoshte, ndjehej mjaft i lodhur dhe mezi ngopej me ajër. Unë për t’i dhënë pak kohë që ai të qetësohej, e mendoja pyetjen e radhës.
-Ku e dinit ju që kishit hyrë në Kosovë? – pyeta unë.
-Jooo, ne nuk e dinim, por na e tregoi prirësi i rreshtit që e udhëhiqte rrugën për në Koshare, tha Shpëtimi. Kur ai na e tha që nga ky gardh jemi në tokën e Kosovës, shumë prej nesh u ulëm në gjunjë dhe e përqafuam token. Të tjerët që kishin ardhur nga mërgata, me ndjenja të përziera, qanin herë nga malli e herë nga dhimbja për popullin që vritej aq pamëshirshëm. Po më thoshte Shpëtimi, që këtë herë kishte vendosur të ma tregonte më në detaje atë ngjarje.
Po pastaj? Çfarë ndodhi? E pyeta unë. Ehhh pastaj, vazhdoi ai, duke ecur ashtu në rresht, ca drita ndriçuese u ngritën lart mbi trupat tanë, por përcjellësi i grupit posa i pa ato drita mbi ne, filloi të na thoshte me zë pak më të lartë që të shtrihemi në tokë që të gjithë, sepse ne, edhe pse ajo dritë në atë errësirë na i verboi sytë, ne nuk ndaluam, por vazhduam të ecnim nën mëshirën e hënës që na e ndriçonte rrugën duke e çarë mjegullën që na i veshte trupat tanë. e Aty filluan që të na hidhnin granata sepse si duket ata na kishin diktuar, dhe meqë atje ishte zonë kufitare, armiku në vazhdimësi bombardonte, sepse ata e dinin që nga kufiri me Shqipërinë, vinin pareshtur ushtarët tanë që ishin betuar para flamurit kombëtar se do ta japim edhe jetën, vetëm e vetëm për ta fituar Lirinë. Po më pas, çfarë ndodhi? Prapë unë ajo që tani më isha zhytur thellë edhe unë në ato male me imagjinatë së bashku me Shpëtimin.
-Ehhh, çfarë do të ndodhte, shtoi Shpëtimi, ca prej grupit nuk i shpëtuan atyre granatimeve, edhe pse i ndoqëm urdhëratë e prijësit të grupit, e një pjesë e grupit që tashmë kishim mbetur afër 30 apo 40 veta, vazhduam tutje duke e çarë dëborën në dysh që të ecnim.
-O Perëndi! belbëzova sikur me gjysmë zëri, ku e gjenit forcën Shpëtim? Ai me një buzëqeshje krenarie filloi të më tregonte.
Ishte ai momenti ku na triumfonte fjala e dhënë për betim. Duke e shikuar vendin tonë nën hijet e errësirës, asnjëherë nuk e menduam kthimin prapa sepse më nuk do ta lejonim vendin tonë të shkretë dhe duke u mbytur nga ata fëlliqësira, vazhduam më tutje dhe çdoherë mendonim që tani e tutje vuajtjet dhe dhimbjet e popullit tonë t’i kthejmë në lumturi, të jenë të lirë dhe mos të jemi të huaj e refugjatë në tokat e të tjerëve, jo duke e pasur tokën dhe vendin tonë të çmuar. Unë lëviza pak nga vendi duke ia pohuar që edhe unë isha e të njëjtit mendim me të, sepse ashtu isha krijuar dhe ende po jetoja në atë frymë sikurse Shpëtimi.
-Në rregull Shpëtim, vazhdova unë, por a dëshiron që të ma rrëfesh të tërën përsëri edhe sonte?
-Pooo, patjetër, shtoi ai, sepse sa herë që flas për ato ditë, unë futem përsëri atje, tek ata lisa të mëdhenj, te shokët e mi, te dëshmorët që ende qëndrojnë të përjetshëm aty, e pastaj kur të zbres këtu pranë jush, unë ndjehem shumë ma i fuqishëm, sepse ai vend më jep forcë për të vazhduar tutje.
– Dakord, i thashë unë, e pastaj çfarë ndodhi?
Me të gjitha forcat e shpirtit mundohesha ta ngjallja kureshtjen time, në mënyrë që të mund ta bëja sa ma të freskët atë kujtim reflektimi te Shpëtimi sepse tani për tani, pikërisht ajo forcë i duhej Shpëtimit tim që po qëndronte i shtrirë në shtrat, me shumë dhimbje nga plagët që i jetonin në trupin e tij, por që ai u bënte ballë me heshtje dhe qëndresë.
Një heshtje e shkurtër. Atëherë vazhdova unë sërish ta pyesja Shpëtimin:
-A më tregon pak për vendin ku kishit për të qëndruar ju? Çfarë kishte ngjarë atje?
Duke e vendosur dorën e tij mbi ballë që të mund ta ndalonte paksa dhimbjen e kokës, Shpëtimi nisi të flasë:
-Kur ne mbërritëm atje te Rrasa e Koshares, ata shokë që ishin atje, kishin mbetur shumë pak veta në gjendje për të vazhduar luftimet, sepse ca prej tyre ishin të plagosur, ca kishin rënë për të mos vdekur kurrë, por ata që kishin mbetur në gjendje pak më të mirë, qëndronin të pamposhtur deri në vdekje. Kur grupi ynë shkoi atje, ndërsa për ata ishte një rifillim i një rilindjeje të re. Aty filloi një pikë tjetër e re e kthesës. Të gjithë ne e dinim që çdo luftë është e hidhur, t’i ngul gjembat në mish pamëshirshëm, shtoi Shpëtimi, por ne të gjithë ishim të vendosur për një qëllim, nuk kishim kohë më për pushim dhe as që e mendonim ndalesën apo zbrapjen pas.
-Ohhh, i dashur! Duke ia kapur dorën e tij, vëreja që gjaku i tij pulsonte nën damarët e trupit të tij me të shpejtë. A thua prapë iu ngjit Koshares Shpëtimi? Sepse e ndjeja që ai nuk është aty afër meje dhe as që e vërente mbështetjen time. Unë isha pranë tij në çdo rrahje të zemrës, e mundohesha që të mos ia trembja kujtimet, ta lejoja që t’i kujtonte ata hapa që ai i kishte hapëruar.
-Ahhh, po, ku mbetëm Fjollë? Vazhdonte të fliste Shpëtimi. Kur keni mbërritur te shokët në Rrasë… Po, më ndërpreu ai. Aty filluan luftimet intensive. Prej atij çasti, as natë dhe as ditë nuk kishte pushim, madje edhe përkundër mjegullës që në raste të tilla do të ishte krejt e pamundur të luftohej, e atje te ne as atëherë nuk kishte pushim.
Kështu vazhduan luftimet për 15 ditë, deri në datën 28. Këtu Shpëtimi ndaloi, nuk e tha asnjë fjalë tjetër. Ngadalë filloi që të lëvizte nga shtrati, në mënyrë që të ngrihej pak për ta çlodhur trupin e mpirë nga dhimbjet që po e dërrmonin pak e nga pak. Unë u ngrita që ta ndihmoja sadopak, t’i bëja masazh trupin të tij, në mënyrë që t’ia lehtësoja peshën e dhimbjeve të cilave ai u bënte ballë me heshtjen e tij. Dalëngadalë u ula pranë tij duke ia bërë të ditur mbështetjen time dhe ndjenjën e krenarisë që çdoherë e mbaj për të.
Pas pak Shpëtimi filloi prapë të fliste: E egër, e egër ishte jeta në ato vite, e për popullin tonë të brishtë nuk kishte mëshirë, prandaj qëndresa jonë në mal e kishte një arsye shumë të fortë dhe kështu ne bëheshim edhe më të fuqishëm. Ishte stinë pranvere, ditë të prillta të një pranvere të vonuar, madje atje lart ku ishim ne, dëbora të ngrinte trupin, pastaj era që të shponte anë e përtej gjithë trupin, ajo erë që na sillte herë – herë retë e stinës e herë duke i shndërruar në mjegull që ta ngulfaste grykën e fytit, që neve edhe ashtu na ishte tharë nga etja dhe tymi i barotit, por prapëseprapë ne atje qëndruam edhe më të fortë moralisht, shtoi Shpëtimi.
Tani më unë nuk mund t’i bëja pyetje të tjera sepse… ai 28 prill është i freskët edhe sot. Ai 28 prill jeton edhe sot në trupin e Shpëtimit, por ai vazhdoi të fliste përsëri pa e pyetur unë. Atë mëngjes të hershëm, diku rreth orës 5, komandant Lika erdhi te ne me disa ushtarë, që të na përforconte pikën ku ne ua kishim marrë atyre fëlliqësirave. Natyrisht se ndjenim lodhje sado pak nga pagjumësia dhe kapriçot e motit, shtoi Shpëtimi, e kur ata u afruan afër nesh, pyesnin se ku dhe çfarë iu duhej atyre të bënin, se çfarë na duhej neve në ato momente, e duke biseduar me ata, neve na e kishin zbuluar pikën dhe na kishin rrethuar në gjysmë harku.
-Çdoherë kur Shpëtimi arrin në atë çast të tregimit, mua më ngrin gjaku në trup, por kësaj here vendosa që të përmbahem me çdo kusht. Qëndroja pranë tij dhe lejova që heshtja të na ledhatonte sadopak që të ishte e mundur, por heshtjen e frikësoi një ndezje çakmaku që Shpëtimi me të ia vuri flakën cigares që mbante në buzët e tij. Ajo cigare që u ndez, ishte ofshamë burri, por edhe unë e kuptoja ndjenjën që ai e kishte brenda tij.
Shpëtimi nisi ta rrëfente rrëfimin e 28 prillit… Aty filluan të shtënat, breshëri plumbash nga të gjitha anët, mirëpo mua nuk më mjaftonte t’u përgjigjesha me të njëjtën mënyrë, por duke qenë i shtrirë, jo ashtu nuk doja dhe vendosa që të ngrihesha në këmbë duke u mbështetur në lisin që tashmë më ishte bërë sikur gjysma ime, pos shokut tim që e thërrisnim Hoxha që e ndanim çdo gjë përgjysmë me njëri – tjetrin, edhe pse shokët tjerë që ishin prapa nesh, më thoshin që të ulesha sepse ashtu i ngritur në këmbë, kisha mundësi që të më kapnin plumbat dhe mund të vritesha, mirëpo unë nuk ngopesha duke qëndruar ashtu dhe e gjithë fuqia ime ishte kur unë isha në këmbë, shtoi Shpëtimi.
-Po pastaj i dashur? i thashë unë, duke i shtrënguar buzët, sepse këto buzë, kjo zemër, çdo qelizë në trupin tim më ngjizet çdoherë njëjtë kur Shpëtimi vjen te çasti më kritik, kur ai e tregon momentin e plagosjes, aty unë çdoherë e kujtoj moshën e tij. Shpëtimi ishte 22 vjet. Trupin e gjatë të tij, 2e10 metra i gjatë, përplot jetë, forcë, trimëri dhe shumë atdhetar. Të gjitha këto më kalonin në mendje sikur një imazh që nuk e zbeh asnjëherë harresa.
Me njërën dorë të mbledhur grusht e me tjetrën duke e thithur tymin e cigares, Shpëtimi vazhdoi të flasë sërish… Ehhh, pikërisht aty, në atë breshëri plumbash, mua më kapi njëri prej atyre plumbave, rashë në tokë dhe për një çast e humba vetëdijen, por jo gjatë qëndrova ashtu, sepse etja për Liri, betimi që kisha dhënë dhe zëri i nënës që ndjeja shumë mall për të, më këndellën, ashtu në atë gjendje unë vazhdoja të gjuaja në drejtim të armikut, shkijeve…
-Po mandej? -e pyesja më zë që më dridhej … Më pas…
-Mbaj mend vazhdoi Shpëtimi, që dalëngadalë më ka tërhequr komandant Lika bashkë me Hoxhën, për të më dërguar deri poshtë ata të dy. Atyre iu qe dashur që të ndalonin dy apo tri herë, sepse ata fëlliqësira serbë gjuanin pa ndalë në drejtim drejt nesh, por edhe unë nuk ua lija mangut sepse tashmë e gjithë fuqia më kishte kaluar në duar.
-Nuk u ndala për asnjë çast, deri sa më tha Lika që të ndaloja me të shtëna. Ma hodhi pelerinën e tij në trup, në mënyrë që të mendonin që tashmë isha i vdekur…
-E ti a i ndale të shtënat, i dashur? -e pyeta unë, sepse këtë insert nuk e dija, më herët. Nuk ma kishte treguar Shpëtimi, prandaj që nga fillimi ai më kishte thënë që kësaj radhe do të më tregonte shumë më shumë nga ajo që më kishte treguar. Po u ndala, shtoi Shpëtimi, sepse fjala e Likës ishte urdhër për mua, e doja Likën, e adhuroja për qëndrimin e tij burrëror. Edhe sot i dua me gjithë shpirt të gjithë grupin, kuptohet ata shokë që jemi ende të gjallë, në jetë, sepse ata që nuk jetojnë më, dashuria dhe admirimi për ata nuk më është shuar kurrë, asnjëherë. Shpëtimi i mbylli sytë duke i kujtuar, me një buzëqeshje të përmalluar.
Symbyllur, Shpëtimi fliste duke e kujtuar atë ditë të 28 prillit…
-Ah, po më kujtohet që pastaj Likës dhe Hoxhës iu bashkuan edhe ca shokë të tjerë për t’iu ndihmuar që të më bartnin mua. Aty pranë meje ishte edhe komandant Jeta, por edhe shumë të tjerë, po amanetin?
-A të kujtohet se çfarë i tha Hoxhës? -e pyeta unë.
-Ohhh… jo fatkeqësisht, as sot nuk më kujtohet. Po ti ishe ende gjallë, pse u desh që t’i lija amanet shokut? -i thashë unë. Po kur unë e lashë atë amanet, unë isha në agoni të thellë, isha në gjumin e ftohtë, sepse gjatë bartjes aty ku filluam të zbrisnim pas ndalesave për arsye të të shtënave, mua një tjetër plumb m’i kishte shpuar mushkëritë, prandaj e pashë të udhës që t’i them ato fjalë që i kisha në shpirt. O Perëndi, thashë unë me vete, duke u munduar që të qëndroja e fortë përballë Shpëtimit.
Nuk doja të bëhesha e ligë para tij, sepse me dhimbjet e Shpëtimit jetoja tashmë edhe unë, prandaj nuk mund ta lejoja shpirtin të më frikësohej, përkundrazi atij i nevojitet forcë, e forca do të mund të isha unë.
Kur ia thashë Hoxhës amanetin, ai ma mbante kokën në prehrin e tij, nisi të tregonte Shpëtimi, sepse ai dhe të gjithë menduan që unë po vdisja, shtoi Shpëtimi, por ata nuk e dinin që unë nuk do të kisha dhënë shpirt pa e kuptuar që ne e fituam Lirinë, sepse atë Liri ne të gjithë e lagëm që në rrënjë me gjakun tonë, prandaj qëndresa do të ishte medoemos. Në atë çast Shpëtimi ktheu shikimin drejt meje dhe më afroi pranë tij. Unë rashë ashtu si e vdekur nga dhimbjet në kraharorin e tij, por mundohesha që stuhitë e lotëve t’i shmangia sepse aty unë tani isha mbështetja dhe ngushëllimi i tij, por që nuk do të lejoj që ta ktheja kohën pas e t’i kujtonim dhimbjet e së shkuarës, sepse dhimbjet e tashme më mjaftojnë. Në këtë çast dhimbja nuk më bën të dobët,më bën edhe më të fortë sepse rrënjët e saj janë të ujitura me krenari.
Teksa qëndroja mbi kraharor të Shpëtimit, unë i ndjeja mushkëritë e tij se si pulsonin nën kraharorin e atij, këto mushkëri që nuk mundi t’i ndalojë së pulsuari asnjë plumb. Ishte ky i gjithë tregimi Shpëtim? -i thash unë, edhe pse e dija që nuk ishte fundi i rrëfimit, por dëshiroja ta kuptoja se a i është ngjitur sërish Koshares Shpëtimi.
-Jo, ka edhe shumëçka për të të treguar. Në rregull i thashë unë, atëherë po të dëgjoj me kureshtjen më të madhe. Ata u munduan shumë deri sa mbërritëm atje te kufiri, madje u desh që të vinin edhe gjysma tjetër e grupit që të më bartnin deri në Padesh, sepse rruga ishte shumë e vështirë. Dëbora ua vështirësonte shumë bartjen time, pastaj ata shkëmbinj të thepisur ishin shumë të vështirë për të ecur, e kur mbërritëm në Padesh, atje ishin dok.Time dhe Ilirjana që më dhanë ndihmën e parë, por meqë rasti im ishte shumë i rëndë, ata urdhëruan që menjëherë të niseshim për në Bajram Curr. Rrugës për atje diku në fshatin Papaj automjeti ndaloi dhe aty mbaj mend që hipën edhe ca ushtarë të tjerë. Njëri ishte i plagosur në dorë, kurse dy të tjerë që me ndihmën e të tjerëve hipën në automjet, njëri prej tyre kishte ndërruar jetë, por shoku i tij që ia mbante kokën e tij në prehrin e tij, nuk e dinte që ai kishte vdekur. Ai mundohej që t’ia mbante kokën që të mos i lëkundej andej-këndej që e shkaktonte automjeti nga rruga e vështirë me plot pengesa.
Atëherë, nisa ta pyesja Shpëtimin: E ti a ndjeje dhimbje gjatë atyre lëkundjeve i dashur? Po sigurisht, normalisht kur më kthehej vetëdija, sepse në të shumtën e rrugës unë isha pa vetëdije, por kur këndellesha nganjëherë, ofshaja se dhimbjet kishin filluar të ma thanin shpirtin. O Zot, thashë me vete, por a do të mund të ma thuash i dashur, kur e kuptove që këmbët tua nuk i ndjeje më? Çakmaku kërciti përsëri, Shpëtimi e ndezi edhe një cigare. Atë e kuptova gjatë rrugës prej Papajve duke shkuar në spitalin e Bajram Currit. Po si ndodhi, a mund të ma thuash? – e pyeta unë. Atëherë Shpëtimi derisa e mbaroi gjithë cigaren që e thithte, nuk e tha as edhe një të vetme fjalë.
-E mban në mend që të tregova për ushtarin me dorë të plagosur pak më herët? – më pyeti Shpëtimi.
-Po si jo i dashur, ai që hipi i pari në automjetin ku ishe ti. Eh tamam, ai ishte ulur pranë këmbëve të mia, e kur mua m’u kthye vetëdija, për ca çaste e pyeta dhe i thashë atij se a do të mund që t’ma ngrinte pak këmbën lart me dorën që nuk e kishte të plagosur. Ai bëri ashtu siç i thashë unë. E kapi këmbën, e ngriti dhe kur ma lëshoi, këmba ime ra pa kontroll, njëjtë si një dru. Atëherë i thashë që të vepronte njëjtë edhe me këmbën tjetër, por ishte kot së koti. Edhe ajo njëjtë si këmba tjetër ishte. Atëherë pata mundësi të thosha vetëm një fjalë: Falë të qofshin këmbët Kosharja ime dhe ty o vendi im, pastaj nga dhimbjet prapë më humbi vetëdija.
-Çfarë mendoje kur mbërrite atje në spital të Bajram Currit? E pyeta Shpëtimin me gjysmë zëri. E çfarë kisha për të menduar moj Fjollë? Atë ditë unë e jetova jetën e të gjitha jetëve. Nuk më dhimbsej trupi im, por kisha dhimbje për kohën që më nuk do të mund të kthehesha prapë atje te shokët dhe Lisin që i lashë nën ato breshëri plumbash. Mendoja se si do të mund të shkoja atje te Kosharja edhe kështu, të eci zvarrë me këto këmbë të përgjakura, që t’i shkelmoja frikërat dhe ta sillja lumturinë te populli im.
-O i dashur, lehtë ia rrethova me krahët dhe duart e mia trupin e tij, duke i thënë: As atëherë ti nuk hoqe dorë nga lufta për liri? Asnjëherë nuk u dorëzove edhe përkundër të gjitha plagëve dhe dhimbjeve që kishe në trup? Kurrë, asnjëherë, madje as sot, i njëjti jam kur bëhet fjalë për vendin dhe popullin tim, ma ktheu Shpëtimi.
-A e di një gjë i dashur, shtova unë.
-Hë, më thuaj, më tha Shpëtimi.
-Unë mendoj që shpirti yt i madh edhe të rënët për këtë vend i ringjall. Çdoherë kishte dhe do të ketë trima ky vend, por trim sikur ti do të ketë rrallë, shumë rrallë, i thashë unë duke ia dëshmuar mbështetjen time. Jooo, m’u përgjigj ai, çdonjëri prej nesh që ishte betuar për një ideal dhe kishte etikë të një ushtari, kishte trimëri brenda vetes së tij.
Atëherë unë u ngrita në gjunjë me fytyrë drejt tij dhe e pyeta:
-Po pas spitalit të Bajram Currit çfarë ndodhi?
-Aty ishte doktor Armendi së bashku me mjekë të tjerë që bënë çmos që unë të mos vdisja. Aty pas ndihmës së parë që më kishin dhënë, e kishin njoftuar spitalin ushtarak të Tiranës, vazhdoi Shpëtimi të më rrëfente, ata e kishin sjellë një helikopter që të më transferonin në Tiranë, sepse gjendja ime ishte shumë e rënduar. Ata frikësoheshin që unë nga çasti në çast mund edhe të vdisja, por… ata nuk e dinin që unë e kisha kapërcyer vdekjen sepse dëshira e madhe që ta merrja lajmin e çlirimit dhe pa e shuar mallin e flakët për fytyrën e nënës, unë do të ikja nga kjo botë? Joooo, nuk do të ishte e drejtë kjo! Unë do t’u bëja ballë të gjitha dhimbjeve, madje do ta kapërceja edhe atë që të tjerët e quanin vdekje.
Në atë çast balli i Shpëtimit u bë gjithë rrudha duke i ngritur vetullat lart për nostalgjinë e hidhur të atyre ditëve. Sot pas 24 viteve, unë qëndroja pranë tij krejtësisht e çarmatosur, unë që kisha mijëra fjalë e pyetje për t’ia bërë Shpëtimit.
-Çfarë po më ndodh? Ndoshta ky rrëfim më mori me vete brenda tij, atje thellë në britmat e shpirtit që lëngonte nga dhimbjet. Pooo, po zhytem aq thellë sa që mund ta quaj thellësi e çmendur, paranojë, por me Shpëtimin pranë meje për çudi unë nuk i trembesha asaj ndjenje të frikshme, sepse dora e Shpëtimit kësaj radhe e mbante dorën time dhe kur ai filloi prapë të fliste, unë u ktheva aty pranë tij, por duke i vërejtur sytë e tij të përhumbur në imazhet e kujtimeve që i lëviznin ngadalë, pastaj me shumë delikatesë ai nisi të më thoshte:
-E di ti që plagët e lirisë nuk vajtohen? Ato duhet mbajtur çdoherë në mendje, ato nuk duhet harruar asnjëherë, sepse kur ato harrohen shumë shpejt, mund të përsëriten.
Duke më buzëqeshur, ma ledhatoi kokën dhe shtoi, çohu, eja e ulu këtu pranë, sepse kam edhe pak për të rrëfyer për këtë temë që e nisa sonte pak më në detaje.
-Mbaj mend kur helikopteri na dërgoi në spitalin ushtarak të Tiranës mua dhe të plagosurit e tjerë. Stafi i mjekëve po na priste në oborrin e spitalit. Mua më zbritën nga barela ku më kishin vendosur gjatë udhëtimit nga Bajram Curri dhe më vendosën në dhomë intensive për katër ditë me radhë. Pastaj një nga infermieret që më qëndronte afër, më pyeti se si po ndjehem dhe a dëshiroj që ta lajmëroj familjen. Unë i thashë që ndoshta ajo nuk mund ta gjejë familjen time.
-Më kujtohet që më pyeti se si quhem, unë i tregova, pastaj i tregova se edhe ku gjendet nëna ime dhe për çudi vajzën e asaj shtëpie ajo e kishte mikeshë. U nis drejt korridorit dhe menjëherë i telefonoi asaj. Të nesërmen me të zbardhur të agut, ajo hyri në dhomë, nisi të më pyeste se si jam, pastaj me buzë që i dridheshin më pyeti ngadalë se a dëshiroj që ta takoi nënën, sepse ajo, nëna ime, pra po priste prapa derës së dhomës ku isha unë.
Mbaj mend kur ia pashë fytyrën sërish nënës, kur ajo ma ledhatoi ballin, sigurisht që ajo nuk e dinte se në ç’gjendje isha unë, por edhe unë as që dëshiroja që ajo ta kuptonte gjendjen time. U çmallëm për disa çaste aty dhe pas pak kohe mjekët e vërejtën që mua po më keqësohej gjendja dhe iu lutën nënës që të largohej dhe që nesër do të mund të vijë e të më takojë sërish. Kështu kaloi një kohë e gjatë në atë spital ushtarak të Tiranës derisa arriti çasti që të kaloja në katin e dytë të po atij spitali. Unë e ndërpreva duke e pyetur se çfarë ndodhi me plumbin që e kishte në mushkëri?
-Ehhhh, atë plumb ma hoqën që në ditët e para, me të arritur aty dhe a mund ta marrësh me mend se si e hoqën atë? Po ta tregoj edhe këtë që të dish se çfarë bashkëshorti ke ti në krah, si me shaka e tha këtë Shpëtimi, në mënyrë që sigurisht të mos më tradhtojnë lotët, sepse ai e ndjente që unë edhe ashtu isha gati që të më tradhtonte loti.
-Hëëëë, i thashë unë, unë fare mirë e di se sa i fortë je ti i dashur. Në rregull pra, tha ai, atë ditë që mjekët arritën tek unë dhe e vërejtën që kisha gjakderdhje të madhe nga mushkëritë, për fat të keq opiumi kishte mbaruar, ndërsa jeta ime ishte vërtet në rrezik. Atëherë ata vendosën që atë plumb ta heqin pa opium. Më kapën nga të dy duart duke m’i mbajtur fort, pastaj njëri prej mjekëve e tërhoqi atë nga mushkëritë. O Zot, thashë kësaj radhe me zë unë, edhe këtë e përballove i dashur?
Ishte patjetër, duhej, më thoshte Shpëtimi. Po pastaj? Pastaj herë me vetëdije e herë pa të, i kalova edhe ca ditë ashtu deri sa e mora veten, por më erdhi shpirti në vend dhe një farë force brenda meje kur kuptova që tani e tutje do të ma lejonin nënën dhe vëllanë t‘i kisha në dhomë, në mënyrë që të mund të kujdesen për mua.
Iku edhe kjo, tha Shpëtimi, por për plumbin që kishe në shpinë? – e pyeta unë. Atëherë u bë një marrëveshje që të shkoja në shtetin italian, tha ai, sepse në Tiranë nuk kishte mundësi të bëhej asgjë, tha ai. Ai dhe? Çfarë ndodhi më pas? Shtova unë.
-Asgjë, tha Shpëtimi, edhe ata u munduan që të bënin ndonjë gjë, por ishte e pamundur, sepse plumbi që ndodhej në unazë, i kishte këputur ca fije nervore dhe po ta tërhiqnin atë, do të ishte e mundur që i gjithë trupi të më mbetej i palëvizshëm, shtoi ai.
-E ti vendose që mos ta heqin atë plumb prej aty apo?
-Po, tha Shpëtimi, nuk doja që të mbetesha krejtësisht i palëvizshëm, sepse kështu siç isha, të paktën duart mund t’i lëvizja dhe do të kisha mundësi që sërish kur të më thërret vendi im, të paktën do të mund ta mbaj dhe ta shkrep armën me duart e mia.
Këtë fjalë e tha Shpëtimi dhe i mbylli sytë duke iu ngjitur Koshares së tij. Në ato çaste ai kishte shumë nevojë që të merrte fuqi e forca që e mbushte me jetë. Natyrisht se ishte Kosharja e tij, sepse atje e kishte Lisin e tij, shokët që pushojnë në dheun e atij vendi, por mbi të gjitha Shpëtimi atje kishte atë që asnjëherë nuk e tha, atje pra e kishte rininë e tij dhe gjysmën e trupit të tij, që pa asnjë kusht ia fali vendit të tij, Kosovës së tij për ta sjellë lirinë dhe për t’i shkulur njëherë e përgjithmonë ato rrënjë shkurreje që na e kishin rrethuar tërë vendin, prandaj unë, jo më kot e them se Shpëtimi është dhe do të jetë për jetë të jetëve vetë EMËR I LIRISË.