Phd Shpresa Gjergji (Fundo):Anglicizmat, kërcënim për shqipen, apo jo?

Phd Shpresa Gjergji (Fundo)

Anglicizmat, kërcënim për shqipen, apo jo?

Komunikimi ka nisur me njerëzimin dhe si i tillë është bashkëudhëtar me jetën. Kombe të
ndryshme flasin me gjuhë të ndryshme, por shpesh ne hasim ngjajshmëri të cilat lidhen jo vetëm
me leksikun, por edhe me morfologjinë. Linguistika ka zhvillimet e veta dhe e shoh të udhës të
ndalem paksa në futjen e anglicizmave tek shqipja, si edhe tek roli i tyre në ligjërim.
Anglishtja, si një gjuhë botërore, është e përdorshme në një shkallë më të gjerë se sa vetëm nga
popujt anglishtfolës. Anglicizmat e formuara nga kjo gjuhë, janë bërë pjesë edhe e gjuhëve të
tjera duke u përshtatur e duke ndërhyrë ndjeshëm në të folur e në të shkruar nëpër botë. Kjo do të
përbënte një shtysë për t'i parë ato në lidhje me shqipen e sotme, ku nuk do të anashkalojë rolin
dhe ndikimin e tyre tek gjuha shqipe, ku kryesisht do të përmendja gazetat, shkrimet me karakter
politik dhe social, ku spikat dukshëm përdorimi i tyre dhe ku duhet të përdoret standardi si
domosdoshmëri. Veme re së shumti se anglicizmat janë tejet evidente, e do të doja të shpjegoja
sado pak se:

A është i nevojshëm përdorimi i anglicizmave, apo jo?
A ka rëndësi përdorimi i tyre për të marrë një informacion më të zgjeruar, apo është e
panevojshme futja e tyre tek shqipja?
Duke u nisur nga disa shembuj konkret dhe një analizë të thjeshtë leksiko-semantike, si edhe
morfologjike do të nënvijëzoja si më poshte:
1. Kur flasim për anglicizmat, të cilat e kanë gjegjësen si psh:
– "globalizëm"/"globale" – globalizëm, tërësore (fjala global-e me kategorinë e mbiemrit ka
krijuar sinonimi me fjalën në shqip "tërësore" dhe "globali-zim", "globali-zëm", "globaliz-oj",
kanë hyrë ne fjalorin shqip – shqip si fjalë të reja duke sjellë terma të njohur ndërkombëtare, por
theksoj gjithashtu, se ka marrë tipare të shqipes sipas mbaresave dhe prapashtesave të
fjalëformimit në shqipe.)
– "eksperiencë" – përvojë (fjala eksperiencë ka krijuar sinonimi me fjalën "përvojë". Ajo ka hyrë
gjerësisht në shqipe, e gjejmë edhe në fjalorët shqip – shqip. Është përshtatur nga ana
gramatikore, duke fituar cilësi kategoriale të emrit- eksperienc-ë/a, gjinia femërore, nr njëjës- tek
shumësi vjen si: "eksperienc-at", pra merr mbaresat të tilla që i përgjigjen rregullave gramatikore
të shqipes.)
2. Kur flasim për anglicizma të cilat sjellin diçka të re në kuptimësinë e fjalës në shqipe,
përmendim si p.sh.:
– "super"- element fjalëformues, parashtesë e fjalëve të prejardhura, të cilat shënojnë diçka që
është e cilësisë më të lartë, më e fundit, më e fuqishme etj., ose diçka që i kalon caqet e
zakonshme, (p.sh. superçmim, superfuqi, superprodhim, superstrukturë, supermoderne etj., pra
ka hyrë në shqipe dhe krijon fjalëformime të cilat tashmë janë prezente në fjalorët shqip – shqip.
Por duhet të pranojmë që përdoret gjerësisht edhe si mbiemër me kuptimin e diçkaje të cilësisë së
lartë. Pra vëmë re, që jo vetëm sillet si element fjalëformues, por edhe si mbiemër).

3. Kur flasim për anglicizma të cilat jo vetëm krijojnë sinonime, por sjellin nuanca të reja
kuptimore si psh:
– "test"- provë, provim, ekzaminim.
(Fjala "test" e ka gjegjësen e vete- provë, provim. Por kohët e fundit ajo ka hyrë me kuptimin e
ekzaminimit mjeksor p.sh.: "test i covid-19". Si e tillë ajo sjell ngjyrime të reja kuptimore në
përdorim. Dhe kur themi do ti nënshtrohem provimit (testimit), nuk nënkupton testin mjeksor,
por kontrollit të dijeve në shkollë.
Ose fjala
– "aksion" e cila ndodhet tashmë në fjalorin shqip – shqip dhe pavarësisht se e ka gjegjësen e vet
"veprim, veprimtari", e lidhur me veprimtaritë e periudhës komuniste, si: aksione me punë
vullnetare, sot ajo ka sjellë ngjyrime e nuanca sematike të kuptimit në ligjërim, si p.sh.:
aksion/aksione – term në financë – kapitale në një veprimtari ekonomike fitimprurëse; letër e
barasvlershme me një nga pjesët e kapitalit të një shoqërie a të një sipërmarrjeje, që i jep të
drejtën zotëruesit të saj të marrë pjesë në veprimtarinë dhe në fitimet e sipërmarrjes.
– Apo termi "film aksion" i cili merr kuptimin e nje zhanri filmash ku ndodhin një sërë ngjarjesh
me dhunë tipike fizike).
4. Kur anglicizmat kanë krijuar fjalë të reja dhe kanë hyrë gjerësisht në shqipe duke përfituar
edhe karakteristikat gramatikore të saj. Përmendim termat teknologjik si klik-oj/klikim/i-e
klikuar, i-e klikueshëm (click), aplodoj/aplodim/i-e aploduar (upload), kopi-peist (copy-paste),
kompjuter (computer), laptop (laptop), link (link) etj., të cilat kanë hyrë gjerësisht si fjalë të reja
nga bota e teknologjisë. Kjo gjë, në fakt, e pasuron gjuhën dhe madje kemi vërejtur kur terma të
teknologjisë hyjnë në përdorim edhe në komunikimin e përditshëm. p.sh.: në një njoftim
shprehja: " Për informacione të mëtejshme, klikoni linkun e më poshtëm", ky fakt është prezent.
5. Kur flasim për anglicizma të cilat shpesh janë të panevojshme mund të përmendim "çat-oj" –
nga "chat"; civil-e, civili-zim, civiliz-oj – për qytetare, qytetërim, qytetarizoj; aktualisht nga
"actually" – për faktikisht; "event" për ngjarje, ndodhi, "eveniment" – për rast,  etj., të cilat mund
të shmangen sepse nuk sjellin ndonjë gjë të re në aspektin gjuhësor. Ato e kanë gjegjësen dhe do
ishte më e favorshme për shqipen të përdorë nga lenda e saj, kur nuk ka domethënie apo risi.
Gjithëçka u tha më lartë, na shpie drejt diskutimeve e debateve gjuhësore, por ajo që unë ceka do
të doja të zgjoja vëmendjen e të vija theksin në kujdesin dhe ruajtjen e gjuhës tonë amtare të
vyer, të vjetër, të veçantë, e cila sot, më tepër se kurrë ngre alarmin për ta ruajtur si sytë e ballit.
Brezat që do të vijnë duhet ta konsiderojnë atë, ashtu si ajo është, një thesar të pa çmuar.
Phd Shpresa Gjergji (Fundo)
[email protected]