Caste poetike me Vjollca Aliaj

Vjollca Aliaj

E pashpjegueshme

Në sytë e tu flakëron një dritë,
thirrje e heshtur më fton të humbas në rrugët mister të dëshirës.
Fjalët nuk mjaftojnë të kapin brendësinë,
sa herë afrohem,
ngrohtësia jote bëhet hije,
fshin çdo dyshim…

Nuk është premtim,
as pritje,
kjo lëvizje e papërmbajtur e ajrit na lidh
pa zë, pa fjalë.
Joshja e pashpjegueshme,
bën të të dua
të të kërkoj pa fund,
pa e ditur as vetë se ku humb.

E pamundura

Mbi trup të penelit fjalë në gjuhën frënge
pika boje të njoma,
pa frymë errësira,
marramendje…
shterzojnë ngjyra sonete të panjohura…
tunduese aroma e vajit,
me copëza shpirti figurat e rastësishme,
ballo dritëvenitur…
Pluskon vetmia si llava,
pluhur i zi më kot kërkon të fsheh
zjarri djeg,
zemra një kometë
në syrin tënd,
yll me bisht shkon e shuhet
Me të njëjtën kupë qiellore
rrëkëllejmë thellësisht botën
E pamundura e përjetshme
largësitë afron këtë mbrëmje të vjeshtës…
Le ta lemë të na shpupurisë!
Le ta lemë të na thith si opium!