Gladiola Jorbus
Ne
Kur botët tona po rrokulliseshin,
dhe zemrat ishin shpërbërë
në mijëra kristale.
Dhe sytë ishin lodhur
së kërkuari të bukurën.
Dhe fyti ishte tharë
nga të vërtetat e pathëna.
Pasi ishim përleshur si të marrë,
në dallgët e dhembjes.
Pasi kishim lotuar
mbi vitet e përmbysura.
U ndeshëm të dy…
Brenda një flluske lumturie
…u strukëm.
Dhe jetës iu fshehëm.
Madje dhe vetes.
Alter egot prekën qiellin
që për Ne,
kish mbetur ëndërr.