Viron KONA:Duke përkujtuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit

Viron KONA

           Mund “të shkurtoj” majën Everest, por jo romanin tim!

Duke përkujtuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit1)

                         Pak humor me kolegët shkrimtarë

 

                        Paskam trokitur në portën e Olimpit!2)

 

Shkrimtari i ri trokiti në derën e  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

-Urdhëroni zotëri, cilin kërkoni? – e pyeti portieri, që po hante një copë bukë me djathë e domate.

-Dua të takoj kryetarin.

-Nuk është, – i tha portieri dhe bëri t`i mbyllte derën.

-Atëherë, nënkryetarin, të lutem!

-Edhe ai nuk është.

-Po, sekretari, ai besoj se është?

-Më vjen keq zotëri, por edhe ai nuk është.

-U pa puna, do të takoj atë që merret me botimet, – tha pa e fshehur nervozizmin shkrimtari i ri.

-Nuk është zotëri, as ai nuk është, – i tha portieri, teksa gëlltiti të gjithë copën e bukës, të djathit dhe të domates së mbetur.

Shkrimtari u shfaq krejt i habitur dhe foli me zë të ulët, si të fliste me vete:

-More, po ç ‘ është kështu, këta, “qoftë larg!”, sikur paskan vdekur të gjithë!

-E ke shumë gabim zotëri, shkrimtarët janë hyjnorë, janë të pavdekshëm. – i tha portieri, kësaj here duke fshirë me mëngën e xhaketës thërrimet e bukës dhe djathit që i kishin mbetur në buzë.

-Ah, – tha me ironi shkrimtari i ri, – pse s`thua që unë paskam trokitur në portën e Olimpit!

 

                       Ju lutem, m`i thoni edhe një herë ato fjalë!

 

-Urime, – i tha zyrtari i lartë, duke i shtrënguar dorën autorit për librin e ri që porsa kishte botuar. -Ke shkruar një roman vërtet të rrallë, madje të mrekullueshëm, nuk e teproj po të thosha se me këtë roman do të jesh njëri nga pretendentët  për çmim!

Autorit të librit i ndriti fytyra dhe, duke parë andej – këndej, i tha:

-Ju falënderoj shumë, zotëri, nuk mund ta merrni me mend sesa më gëzuat, por, ju lutem, ju lutem shumë, m`i thoni edhe një herë tjetër këto fjalë kur të jem mes kolegëve shkrimtarë! Ja, disa prej tyre po afrohen…

 

                  Vërejtjet pas krahëve na shijojnë më shumë!

 

Kur përurimi i librit përfundoi dhe të gjithë nisën të shkojnë në punët e tyre, njëri nga shkrimtarët pjesëmarrës në përurim iu afrua studiuesit që mbajti referatin kryesor dhe i tha:

-Fole  mirë, por të kishe bërë edhe ndonjë vërejtje! Ti e di që, vërejtjet me vend janë si kripa e gjellës, si piperi dhe speci djegës, si xhenxhefili, si salcat pikante…

Studiuesi e ndërpreu dhe i tha:

-Meqenëse përmende kripën, piperin, specin djegës, xhenxhefilin dhe salcat pikante, shkojmë ku ato kanë vendin, ja, tek ai restoranti i fshehur mes pemëve. Atje, bashkë me mishin e pjekur e me shije pikante, edhe vërejtjet pas krahëve të autorit, do të na shijojnë më shumë!

 

                               Mund “të shkurtojë” majën Everest,

                                             por jo romanin tim!

 

-Romani im tregon për aventurat e një grupi alpinistësh, që ngjiten në majën më të lartë të botës, në Everest, – i tha shkrimtari i ri  botuesi të njohur. -Shpresoj se do të ma botosh?3)

-Tema më duket interesante, – i tha botuesi, – Por do ta lexoj romanin dhe do të të kthej përgjigje.

Kaluan disa javë dhe, ngaqë s`po merrte përgjigje, shkrimtari i telefonoi botuesit dhe e pyeti nëse ai e kishte lexuar romanin.

-Më vjen keq që s`po e lexoj dot më shpejt, – iu përgjigj botuesi, – prisja tjetër gjë nga ti, romani po më duket i lodhshëm në lexim, madje edhe më i lodhshëm sesa t`i ngjitesha dhe vetë Everestit. Ke shkruar për aventura shpesh herë të pabesueshme, rrëfen se si në lartësinë 8 mijë metra alpinistët heqin maskat e oksigjenit, shtrohen këmbëkryq duke ngrënë ushqime të llojllojshme dhe duke pirë verë e shampanjë, madje ata këndojnë e kërcejnë,  ndërkohë që dikush shkruan në ditar përshtypjet e tij, një tjetër pikturon peizazhet mbresëlënëse, disa luajnë me topa dëbore, një djalosh i bie kitarës dhe këndon këngë dashurie, një tjetër mbledh lule (?!) dhe ia dhuron vajzës alpiniste që dashuron…Pastaj, befas, personazhet humbasin nëpër shtigje mali, përpihen nga humnerat e rrëpirat, rrëshqasin në akullnajë qindra metra poshtë, zhduken dhe rrëmbehen nga ortekë të fuqishëm dhe, pas disa orësh, shfaqen papritmas si me magji, madje ndihen mjaft mirë me shëndet, me humor dhe krejt të freskët!! Ndërkaq, personazhet i mbajnë fjalime dhe i thurin vargje poetike njëri-tjetrit, qeshin me hare e bëjnë humor edhe kur zvarriten nëpër shkëmbinj të rrëshqitshëm e të thepisur, apo dhe kur kalojnë buzë humnerave e akullnajave…Të them të drejtën, po dyshoj dhe s`jam i sigurt, nëse unë si lexues do të kem guximin “të ngjitem” së bashku me personazhet e tu alpinistë deri në majën Everest, në lartësinë 8.849  metra…!

Botuesi heshti një çast dhe vijoi:

-Zotëri! Ngjitja në Everest s’është si të bësh  një ekskursion turistik në malin e Dajtit. Si fillim mendoj që ti duhet të studiosh mirë dhe me kujdes faktet shkencore dhe përvojat e atyre që janë ngjitur deri atje lart. Duket që nuk e di se në Everest temperatura shkon -40 gradë apo dhe -60 gradë  celsius, maskat e oksigjenit s`mund të hiqen e të vihen si të ishin syze dielli. Duhet të dish se vetëm disa persona mund të qëndrojnë në majë, qëndrimi atje s`duhet t`i kalojë 10 apo 20 minuta, ndryshe, sidomos pa maskë rrezikon seriozisht jetën  për shkak të mungesës së pamjaftueshme të oksigjenit, për shkak të stresit dhe të lodhjes, por dhe për shkak të ndonjë stuhie të fuqishme që vjen papritmas…Duhet të dish gjithashtu se në lartësinë mbi 8 mijë metra mbi nivelin e  detit nuk rriten bimë  apo lule. Kjo zonë quhet “zona e vdekjes”, sepse aty ka shumë pak oksigjen, ka kushte ekstreme të motit, temperatura të ulëta  dhe erëra të forta…Të këshillojë t`i bësh përmirësime dhe shkurtime të thella romanit, sidomos të mënjanosh fantazitë boshe dhe teprimet që bien ndesh me faktet shkencore…Mos harro këshillën, që u jep Çehovi shkrimtarëve të rinj:” Shkruaj dhe shkurto. Shkruaj dhe shkurto!” 

Shkrimtari i ri dëgjonte me nervozizëm, ndizej përbrenda nga zemërimi dhe mezi priste të shpërthente. Ai i tha botuesit:

-Kuptohet qartazi, zotëri, ju s`doni që ta botoni romanin tim! E po, mbase s`keni faj, sepse ju  s`e keni nivelin e duhur të kuptoni imagjinatën time dhe vlerat e rralla të këtij romani! Ndonjë fakt shkencor, mund ta verifikoj, por që ta rishkruaj dhe të shkurtoj pjesë të tëra të romanit, këtë harroje, kjo s`ka për të ndodhur kurrë! Madje, në mënyrë figurative do të thosha që, unë mund “të shkurtoj” edhe majën Everest, por jo romanin tim! Eh, pse po vazhdoj të merrem ende me ty, kur ka plot botues të tjerë që do të ma rrëmbenin këtë roman magjepsës, siç rrëmben peshkun delfini akrobatik dhe do të ma botonin në dhjetëra mijëra kopje. Unë, “drëng!” paratë në dorë dhe…

 

                                   Romani i “përmbytur”

 

-Lutem, hidhi një vështrim romanit tim dhe më ndihmo me ndonjë sugjerim, – i tha shkrimtari i ri një botuesi.

-Për çfarë flet romani yt ?

-Për vërshimet e lumenjve dhe përmbytjet… Personazhi im kryesor është një specialist që manovron disa motopompa të fuqishme, të cilat shërbejnë për largimin e ujërave nga tokat e përmbytura dhe kthimin e tyre në toka buke…

Pasi e lexoi romanin, botuesi i tha:

-Ideja dhe qëllimi i romanit është interesant, por, romani  yt është “përmbytur me ujë” më shumë se tokat e përmbytura, madje aty, ka kaq shumë “ujë”, saqë as motopompat e tua të fuqishme, nuk e largojnë dot..!

 

                                         Si bleta nektarin!

 

Në përfundim, në këtë Ditë të Shënuar të Librit, po përshëndes me disa  vargje të krijuar enkas të gjitha shkrimtarët, që përkushtohen dhe vënë shpirtin dhe zemrën në çdo krijim të tyre:

 

“Ty të “urdhëron” shpirti dhe mendja,

Ndaj pareshtur s`e ndal të shkruarin,

Vargjet poetike që të dalin nga zemra,

Lexuesit i kërkojnë si bleta nektarin!”

……………………

Shënime shpjeguese:

1.Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga jeta Servantesi, Shekspiri, dhe Garcilaso de la Vega. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e disa shkrimtarëve të tjerë…

2.Olimpi është i njohur në mitologjinë e lashtë greke si shtëpia e perëndive greke, në majën Mytikas 2918 metra lartësi.

Në mitologjinë shqiptare “mal i perëndive” konsiderohet mali i Tomorit, me majën më të lartë 2416 metra, i quajtur ndryshe “Baba Tomori” – babai i perëndive dhe i njerëzve. Ai kishte bashkëshorte të Bukurën e Dheut. Edhe mali i Pashtrikut (pjesë e maleve të Hasit), mes kufirit imagjinar Shqipëri-Kosovë, konsiderohet “Baba Pashtriku”, mali i perëndive, figurave mitologjike. Kuptimi etimologjik i Pashtrikut: “pa shtriga”).

3.Më 27 maji të vitit 1953, dy alpinistë: Sër Edmund Hillari (nga Zelanda e Re) dhe Tenzing Norgei (nga Nepali) arritën të ngjiten në majën më të lartë të botës, në Everest. Pas asaj ngjitjeje, janë edhe qindra të tjerë që kanë mundur të kapin majën, mes tyre, në vitin 1912 edhe gjashtë alpinistë shqiptarë.