Caste poetike me Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

KUJTESË E FRIKËSUAR

Buzëqeshja jote është zverdhur në takim,
Damarët e gjetheve nuk janë të fortë si atëherë
E hodhe në tokë fjalën e dhënë
E shkele me këmbë si gjethe e rënë

Në ikje ta shkëpus një copë fjale
Ndërgjegjen zhveshur e kam prej mëkatit
Puthjen mbille në djerrinën e zemrës
Atje ku askush s’arrin
Më pas ik në moskund

Ah, kjo kujtesë e frikësuar e thërrmon zjarrin që djeg
Klithjet rrëzohen prej buzëve
Mos ki frikë nga rrudhat e kohës që të sjellin kujtime
Mendimet të shkelin me hidhërim në shpirt
Si krenaria kur bie përdhe!

Atëherë bërtit sa të të çirret zëri
Më humbi thuaj, edhe ajo pak krenari
Ngele pa ëndrrën e fikur mu në prag të saj,
Për të vazhduar, ndoshta, ndoshta pastaj….