Gladiola Jorbus
Plagët e mia
Eci dorë për dore,
me plagët e mia.
Nuk mundem t’i braktis.
As t’i lë pas.
Dhembjet nuk zbehen.
Thjesht jetojnë në heshtje.
Botës i buzëqesh fort…
që të mos shpërbëhem
në grimca ankthi të mprehta
si ëndrrat e thyera.
Shpirti im…
fsheh sëmbime
që nuk do të rrëfehen kurrë.
Lotët përleshen me krenarinë
në fushëbetejën e egos.
Dhe unë sërish i buzëqesh…
rrezes së diellit që puthet
me xhamin e dritares sime.
Mos gjyko imazhin që sheh!
Të endur mbi pëlhurën e plagëve
që askush nuk i njeh.