Portreti i intelektualit të madh, Rexhep Qosjes, realizuar nga Pranvera Qerimi dhe nxënësit e saj
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot kreativitet, mësimdhënësja Pranvera Qerimi,e njohur për përkushtimin dhe aktivitetet e saj edukativo-artistike,ka realizuar bashkë me nxënësit e saj një vepër të veçantë artistike:portretin e akademikut të njohur shqiptar,Rexhep Qosja.
Procesi i realizimit të portretit ka përfshirë disa faza. Fillimisht,është bërë vizatimi i kujdesshëm i figurës së profesorit Qosja,për të vazhduar më pas me mbulimin e kontureve me fara gruri një simbolikë e fuqishme që përfaqëson dijen, përkushtimin dhe rrënjët e thella të identitetit kombëtar.Ky projekt është realizuar me shumë dashuri e kujdes nga vetë nxënësit,të cilët punuan me përkushtim nën udhëheqjen e mësueses së tyre.Fotografitë e bashkangjitura dokumentojnë këtë proces edukativ dhe artistik: nga hapat e parë të vizatimit, te bashkëngjitja e farave me ngjitës, e deri te finalizimi i portretit,ku të gjithë nxënësit, të përqendruar rreth një tavoline,kontribuojnë në mënyrë aktive.
Ky aktivitet nuk është vetëm një ushtrim artistik, por edhe një mësim i rëndësishëm për nxënësit mbi figurat emblematike të kombit,mbi vlerat e bashkëpunimit dhe mbi mënyrën se si arti mund të shërbejë si urë lidhëse mes brezave dhe historisë.
Pranvera Qerimi,një emër tashmë i njohur për aktivitetet e saj krijuese dhe edukative,edhe njëherë ka dëshmuar se mësimdhënia është më shumë sesa vetëm një profesion,është një thirrje për të ndërtuar breza që e duan dijen,artin dhe kombin.