Gladiola Jorbus
Dritë dhe acar
Një ditë më dhuron acarin e shpirtit,
si puhizë që ngrin brenda zemrës.
Një ditë – rrezet e diellit mbi glob,
m’i dhuron të gjitha, njëherësh.
Dhe më nuk di ç’të mendoj,
a është kjo dashuri, apo një lojë djallëzore ?
Si mund të jetohet mes dy skajeve –
kur mëngjesi të përqafon,
e mbrëmja frymën, ta mban pezull?
Rituali i kafesë
Kafeja është një filxhan plot shpresë,
Për ditën e re që sapo nis.
Një përqafim i ngrohtë,
që kundërmon aromë.
E na mbështjell me avujt e qetësisë.
Kafeja – e zezë si nata,
e ëmbël si fjalë zemre.
Ritual që dhembjen, kthen në forcë.
Me gjerbje mistike, e mbushin heshtjen.
Ata që të vetmuar ndihen në botë.
Kafeja i ngjet mikut të mirë,
Që pranë të gjendet, në ditë të vështirë.
Si psherëtimë gurgullon,
Kur ethshëm derdhet mbi filxhanë.
Sa shumë ëndje i dhuron,
çdokujt që me padurim, do ta presë.
Kur bulëzon dëshira e ëndrra,
që shpirtin nuk e lënë të vdesë.