Gladiola Jorbus
Ngjyrat që s’i shoh
Vetmia më zgjat dorën në zgjim
si alter ego e unit tim.
Trishtimi urdhëron pa ftesë.
Në tryezën e veshur
me pëlhurë indi të zezë.
Zhgënjimi pëshpërit në 20 decibel,
atë që zemra do të heshtë.
Nga sënduku i lotëve dot nuk del.
Çapitjet e mia – hapa të lodhur në një rrugë
që premtoi dritën, por solli hije.
Shpresat – të rreme si flluska sapuni,
që zhbëhen para se t’i prek me dorë.
Dhe buzëqeshjet…
oh, ato buzëqeshje të sforcuara,
si maska të bukura
mbi shpirtin që lëngon.
Diku… në këtë rrëmujë të heshtur,
po lind një poezi
ngjizur me gjakun tim
dhe zvetënimin e tij.
Ngjyrat u tretën…
Papritmas u shpallën në arrati.