Mejrem Kajolli Tusha
KËNGA E SHIUT
Edhe kujtimet më të bukura harrohen
Harrohen kur ndryshket fjala
kur ngrin fërfëlliza e erës
kur në vend të shiut rigon loti
Nyjet mbetën të pazgjidhur
Të lagur.
Edhe kënga e shiut qan
Qan mbi udhëtarët e harruar
udhëtarët e lodhur
udhëtarët e pikëlluar
Fjalëkryqi mbeti i pazgjidhur
I harruar.
HESHTJE
Hijet përkëdhelen
me aromën e rinisë
Sytë e mendjes buzëqeshin pamjes nga kujtesa
Trupi i lodhur nga mosha
shëtitet vetmuar
Viziton të kaluarën
në vend takime të pandryshuar
Në heshtje thëret
zemrën e burgosur në zemër
Ta ndjejnë ritmin e erës
T’i ndjekin retë të përlotura
Dhe, të flasin…
Të flasin deri në heshtje.
KU U HUMBËN ËNDËRRAT
Ëndërrat e kuqe me fjongo
u kalbën nën dërrasa të ftohta
U harrua kush e ngjyrosi jetën
të shëndris me ndriçimin e diellit
Kujtimet e zbehta të lagur nga shiu
nuk qajnë pranë pullazit të thyer
Vetminë e përqafojnë
mos t’ju ik mes fluturave të verdhë
Ku u humbën ëndërrat
e tempullit të shenjtë
Dora e trashëgimtarit nuk shtrëngon fortë
As nuk ledhaton
Dora e pështyn dorën e vet
derisa ëndërrat e kuqe me fjongo
kalben nën dërrasa të thata
dhe pa druajtje pyesin
Ku mbetën ëndërrat
Përse ikën pa zë?