Osman Goranci, shkruan:
Botën e zbulova përmes librave; – Sartri
“FILXHANI ME BUZË TË KAFSHUAR”
Tregime. Autor Kadri Tarelli
Ditën e shtunë, më 17, të majit 2025, një organizim i mrekullueshëm nga ShB
“Fidani”, me drejtues Berat Batiu, sot në Galerinë e Teatrit “Bekim Fehmiu”, në
qytetin Prizren, para adhuruesve të shumtë të fjalës së shkruar artistike, u bë
përurimi i librit me tregime, të autorit durrsak Kadri Tarelli.
E bukura e librit “Filxhani me buzë të kafshuara”, është se autori herë si
kronist e herë si historian, me penë dhe me një aftësi të veçantë intelektuale i ka
mbledhur dhe zbërthyer nga gurra e pasur e popullit në hapësirën mbarë shqiptare,
shumë rrëfime reale, emocionuese, por edhe frymëzuese. Të gjitha këto ndodhi e
histori të shkurtra, si dhe vetë përjetimet e veta në kohë dhe nëpër kohë, autori Kadri
Tarelli, me një mjeshtri të rrallë, duke i portretizuar me kujdes tiparet dhe karakteret e
personazheve që edhe i hasim në jetën e përditshme, i ka përmbledhur në një libër,
që tek lexuesit lënë mbresa të thella nga ndodhitë e përjetuara, që për një kohë të
gjatë do të mbeten në kujtesën e tyre.
Në këto tregime, gjithsecili i përjetojmë dhe i ndjejmë kambanat e dashurisë,
shpirtin e humanistes tonë të shenjtë Nëna Tereza, trimërinë e Adem Jasharit,
frymën liridashëse të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mallin e shqiptaro
amerikanit për vendlindje, ullinjtë e Qamiles, etj. Edhe vetë titujt e mbi pesëdhjetë
tregimeve në librin, “Filxhani me buzë të kafshuara”; “Nga loti i nënave deti u bë i
kripur”, “Dashuri adoleshenti”, “Ndodh që rakia të bëhet ujë”, “Kapelja i solli drutë”,
“Skënderbeu nuk më lë të martohem”, “Me fëmijët e Dardanisë”, “Gratë dhe
muhabeti te porta”, etj, shtojnë kureshtjen tek lexuesi, që t’i lexoj me një frymë, dhe
t’i rilexoj edhe njëherë, edhe shumë herë!…
Të gjitha këto tregime, ku hasim edhe figura letrare si metamorfoza,
sarkazma, etj, janë të shkruar me një gjuhë të pastër letrare, që edhe nuk e lodhin
lexuesin, ngase aty hasim në copëza jete, rrëfime dhe histori të shkurtra, ku edhe
gjithsecili nga ne mund ta gjejmë veten mes dhe brenda tyre. Po ashtu, nisur nga
përvoja shumëvjeçare në fushën e arsimit dhe të letrave shqipe, duke iu qasur një
mendësie artistike, por edhe filozofike të shkrimit, në mbi-titujt e shumë tregimeve
autori Kadri Tarelli, jep thënie të mendimtarëve të ndritur, jo vetëm nga trojet tona
etnike, por nga i gjithë globi.
Për librin “Filxhani me buzë të kafshuara”, që u promovua sot në Prizren, folën Berat
Batiu, Prof. Zamire Hereni dhe Ali Balliu, krijues letrar.
Ndërsa punëtorja shquar e arsimit në Durrës dhe kritikja e njohur e letërsisë,
Merita Kuçi Thartori, mes tjerash tha; “Ky libër me tregime, që godasin dhe na bëjnë
të qeshim, e ku çdo njëri mund ta gjejë veten në të kaluarën dhe të sotmen, është
një sihariq si për lexuesin ashtu edhe për letrat shqipe. Këtu autori Tarelli është edhe
vetë një nga personazhet e tregimeve që vetë i ka qëndisur me penën e tij magjike”
Kënaqësi të veçantë në këtë promovim libri, ishin këngët dhe zëri i
mrekullueshëm i prizrenases Andrra Burri.
Osman Goranci
Gazeta “In.lajm”
Prizren. 17. 05. 2025.
Shënim: Fotot: Syri Ramadani