Gladiola Jorbus
Latens
Sy që zvarriten,
si gjethe të turpshme në erë.
Takohen, afrohen, sërishmi largohen,
flasin një gjuhë që askush s’e njeh.
Dikush është pranë —
një prani që trazon qetësinë.
Në qindra rrahje zemrash
që shkundin e trandin vetminë.
Fluturat u çmendën.
Nuk dinë më nga të shkojnë.
Enden në bark si fjalë pa tinguj,
si dhembje të ëmbla, që dot s’i dëbojnë.
Fjalët u ngërthyen,
në grykë po zhurmojnë.
Vallë, ku ta gjejnë guximin
nga kjo robëri të shpëtojnë?!
Sytë përndizen dhe flasin.
Frymëmarrjet ngurrojnë.
Hapat zgjohen në ëndrra.
Por tuten të vrapojnë.
Gjithsesi… edhe pse…megjithatë…
Ndjenja lëvrin, murmurin, gëlon.
E paemërt, latente, e pathënë,
mes heshtjes dhe syve, jeton.