Emine S. HOTI: Disa poezi nga vëllimi im i ri poetik, i cili pritet të dalë së shpejti

Emine S. HOTI

E vërteta, mikesha e rrallë

E vërteta s’bëhet gënjeshtër,
çfarëdo erë e furtunë të fryjë,
ajo qëndron, ka rrënjët thellë,
edhe kur mbulohet, është aty.
Mos e humb o njeri të vërtetën,
atë s`ka asnjë forcë që ta ndalë,
mos lejo askënd ta shkelmojë,
është mikesha jote e rrallë!

Femrat shqiptare

Dikur thoshin pareshtur:
burri odën hijeshon,
gruaja hijeshon oborrin,
aty ishte kufiri i gruas sonë.
Por çfarë do të na thonë,
kur gruaja shfaq zotësi madhështore,
kur gruaja është e barabartë me burrin,
kur hijeshon qytetin, shtetin, botën njerëzore?
Paragjykimet na mbanin në hije,

ne femrat energjike të vendit tonë,
sot ne nxitim e frymëzojmë zhvillimet,
siç po frymëzon botën Shën Tereza jonë!

Pa atë unë s`mund të roj
Poezia në mendjen time
s`ka të ndalur, si burim vërshon,
kur ndodh që s`ia hap dritaren,
ajo brenda meje gjëmon.
Fort shtrëngoj lapsin,
pareshtur, shkruaj e punoj,
nëse një çast nuk shkruaj,
ajo bëhet zog, tej do që të fluturojë.
Do ta mbaj pranë, s`do ta braktis,
le të më lodh, le të më dëshpëroj,
le të më hidhëroj, le të më trishtoj,
është zemra ime, pa atë s`mund të roj.

Mërgimtar

Ne mërgimtarët,
kemi fluturuar si zogj shtegtarë,
në vende të ndryshme të globit,
atdheun me vete kemi marrë.
Ikëm larg nga gjenocidi i Serbisë,
shumë gjak u derdh për pavarësi,
shumë u integruan, shumë u flijuan,
e paguam me çmim të lartë këtë liri.
Atdheun e kemi përherë si një diell,
më të shtrenjtë se veten atë e kemi,
e kemi në shpirt, e kemi në zemër,
në çdo grimcë t ‘gjakut tonë do ta gjeni.